07 Dhjetor 2019

Sot në Prishtinë mbahet takimi i ministrave të Bujqësisë të Evropës Juglindore

Prishtinë, 12 nëntor - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka njoftuar se sot në Prishtinë do te mbahet takimi vjetor të ministrave të Bujqësisë së vendeve të Evropës Juglindore.

Ky takim mbahet në Prishtinë, sepse Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Republikës së Kosovës, do të marrë edhe presidencën për udhëheqjen e Grupit Drejtues të Punës për Zhvillimin Rural Rajonal në Evropën Juglindore për një vit.

"Grupi Drejtues i Punës për Zhvillimin Rural Rajonal në Evropën Juglindore, do të mbajë takimin vjetor të punës së ministrave të Bujqësisë nga Evropa Juglindore, me ç’rast Kosovës do t’i dorëzohet edhe presidenca për udhëheqjen e këtij grupi për periudhën një vjeçare", bën të ditur MBPZhR.

Takimi do të hapet nga ministrja në detyrë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Dijana Zhiviq.

Ndërsa, pjesëmarrës do të jenë ministrat e Bujqësisë të vendeve, si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Hungaria, Bullgaria, Turqia, Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Gjermania, zëvendësministra të tjerë të vendeve të rajonit, si dhe përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian, të ambasadave në Prishtinë, të FAO-s, GIZ-it dhe të organizatave të tjera donatore.

Temat kryesore që do të diskutohen në këtë takim do të jenë zhvillimet e ardhshme për sektorët e bujqësisë dhe zhvillimit rural në rajonin e EJL dhe  shqyrtimi i procesit të bashkëpunimit rajonal në fushën e caktuar.

Rëndësia e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian (BE) për vende/territore të Ballkanit Perëndimor, duke reflektuar dhe progresin e bujqësisë dhe zhvillimit rural do të adresohen gjithashtu gjatë Takimit të Ministrave në Prishtinë, Kosovë.

Grupi Drejtues i Punës për Zhvillim Rural Rajonal (GDP) është një organizatë ndërqeveritare dhe ndërkombëtare, e cila është e lidhur me institucionet qeveritare për zhvillimin rural në shumë vende të Evropës Juglindore.

Synimi i saj është që të ofrojë bashkëpunim konstruktiv dhe të vazhdueshëm ndërmjet Ministrive për Bujqësi, në kuadër të përgjegjësive të tyre drejt procesit integrues në Bashkimin Evropian.             



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 dhjetor 2019 - Këshilli Gjyqësor i Kosovës organizon Konferencën e Nëntë Gjyqësore në të cilën do të marrin pjesë tërë struktura e sistemit të drejtësisë në Kosovës për të diskutuar temën: “Të arriturat dhe sfidat e sistemit gjyqësor gjatë vitit 2019”. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Federata e pingpongut të Kosovës do të organizojë turneun më të fortë të vitit 2019,  TOP 12 për Seniorët më të mirë, me të cilat edhe përmbyllen garat për vitin 2019. (Palestra e sporteve në Prishtinë, ora 10:00)

- Federata e Futbollit e Kosovës organizon turneun final të projektit “Rekrutimi i vajzave të reja në futbollin e organizuar” nën moton “Ti mund ta bësh – You Can Do It”, ku do të marrin pjesë ekipet fituese të turneve të mbajtur në 13 komuna. (Kompleksi “Sopa Sport” në Lipjan, ora 10:15)

- Rrjeti i Grave të Kosovës mbledhë 158 organizatat anëtare, përkrahësit individual, partnerët, miqtë, dhe përfaqësuesit e mediave në Kuvendin e 17-të Vjetor të Anëtareve. (Hotel Sirius, ora 10:30)

- Misioni i OSBE-së organizon konferencë ku do të prezantojë aktivitetet që Misioni ka organizuar gjatë vitit 2019 me të rinj, siç janë Akademia e OSBE-së për Dialog, Deklarata Ndër-Komunale për Dialog ndërmjet Komuniteteve, si dhe Lojërat Mini-Olimpike për Njerëz me Nevoja të Veçanta, të cilat kanë sjellë së bashku të rinj nga komunitete të ndryshme. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:30)

- Gecjan Fashion Group sjellë për të 13-in Vit me radhë, ngjarjen më të madhe të modës në rajon “Kosova International Fashion Week 2019”. (Salla e panaireve në Shkabaj, ora 18:00)