23 Shkurt 2020

Rënia e çmimit të kulturave dhe rritja e çmimit të aluminit dhe çelikut shqetësojnë fermerët amerikan

Illioni, 7 janar - Rritja e çmimit të aluminit dhe çelikut, dhe rënia e çmimit të kulturave bujqësore, kryesisht të ndikuara nga tarifat, po detyrojnë shumë fermerë amerikanë të ndalin blerjen e pajisjeve të mëdha dhe të shtrenjta.

Zëri i Amerikës njofton nga Panairi i Përparimit të Fermave në Dikejtër të Illioit, se fermerët duan pajisje të reja që përdorin teknologjinë e fundit, por kanë vështirësi ta përballojnë koston dhe po ndeshin pengesa për të marrë kredi nga bankat.

Në realitetin e bizneseve bujqësore, ekziston një vijë ndarëse e shënuar që dallon nga ngjyra – e kuqe dhe jeshile dhe që nuk ka asgjë të përbashkët me dritat e semaforit:

“Ashtu siç mund të jeni të familiarizuar me markat e makinave Ford apo Chevy, në fermë ne njohim markat e pajisjeve Case ose John Deere.”

Për familjen e fermeres Megan Dwyer nga Illinoi, zgjedhja e tyre është traktori i kuq i firmës Case edhe pse ata jetojnë në Moline pranë selisë së kompanisë John Deere që prodhon pajisjet bujqësore me ngjyrën e gjelbërt.

“Kemi preferuar gjithmonë të kuqen në fermë. Këtë markë kemi njohur gjithë kohën.”

Disa nga makineritë Case që familja Dwyer i ka blerë në vitin 1970 janë më të vjetra se ajo vetë dhe ende funksionojnë edhe sot. Ajo thotë se do të ishte mirë të përdornin pajisje të reja, por nuk janë në gjendje t’i përballojnë.

“Nuk kemi para për to. Ne po operojmë me humbje tani për tani.”

Fermerët në Amerikë po përballen me vitin e pestë radhazi të të ardhurave nën mesatare. Tarifat hakmarrëse të vendosura në kulturat bujqësore që eksporton Amerika vazhdojnë të zvogëlojnë fitimet e fermerëve, ndërsa tarifat amerikane për aluminin dhe çelikun e importuar kanë rritur koston për prodhimin e pajisjeve bujqësore në Shtetet e Bashkuara, si traktorët dhe autokombajnat.

Dwyer thotë se mjedisi i sotëm ekonomik nuk lë hapësirë për të shpenzuar shumë para për pajisje të reja.

"Ato janë luks në ditët tona. Huadhënësit, bankat duan të shohin diçka që sjell fitim nga investimi dhe blerja e pajisjeve të mëdha nuk e justifikon shpenzimin”, thotë Megan.

Kompania John Deere e ka ulur parashikimin e fitimit të saj disa herë këtë vit. Kompania thotë se po kërkon të ulë kostot dhe do të zvogëlojë prodhimin në qendrat e saj në Illinoi dhe Ajova me 20 për qind kryesisht për traktorë të mëdhenj.

“Ne gjithmonë masim pulsin e klientëve, deri ku mund ta përballojnë dhe po përpiqemi të adresojmë shqetësimet e tyre me sa kemi mundësi me pajisjet dhe teknologjinë tonë”, thotë Laurel Caes, me kompaninë John Deere.

Kompania thotë se ka mundësi të tjera për fermerët që nuk dëshirojnë të blejnë pajisje me kosto të mëdha, ndërsa vazhdon lufta tregtare.

“Ne ofrojmë gjithashtu përmirësime të pajisjeve ekzistuese. Pra nëse nuk blen dot një pajisje të re, ne japim mundësinë e përmirësimit të pajisjes ekzistuese me teknologji të re", thotë Laurel Caes.

Departamenti amerikan i Bujqësisë njoftoi se sektori i fermave në vend ka mbi 426 miliardë dollarë borxh. Sipas Federatës Amerikane të Fermave, falimentimet e fermave janë në rritje në shumicën e vendit, ndërsa shkelja e kontratave të kredive për bizneset bujqësore ka arritur nivelin më të lartë në gjashtë vjet.

Ndërsa përmirësimet e teknologjisë mund të mos jenë aq të shtrenjta sa blerjet e pajisjeve të reja, ato gjithsesi kanë një kosto dhe shumë fermerë mund të kenë nevojë për të financuar blerje të tilla.

“Ka gjëra më të rëndësishme ku duhet t’i shpenzojë paratë sot në fermë”, thotë Megan.

Për këtë arsye ajo do të vazhdojë të riparojë traktorët e saj të kuq Case,megjithëse janë të vjetër, derisa të qetësohet lufta tregtare që vazhdon të thithë fitimet e saj dhe që ka hedhur hije të zymta mbi ekonominë bujqësore në vend.

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 shkurt 2020 - Partia Demokratike e Kosovës, mban Konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

- Mbahet marshi i çiklistëve kundër ndotjes së ajrit në Prishtinë. (Pikë nisja nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, Fushë Kosovë, në hyrje të Prishtinës, ora 12:00)

- Komuna e Deçanit në bashkëpunim më OVL-UÇK-së në Deçan! bejnë zbulimin e pllakës së varrit të luftëtarit e komandantit Halim DervishTolaj nga Prejlepi i Deçanit. (Kompleksi i Varrezave të Dëshmoreve të Kombit në fshatin Prejlep, ora 12:00)