16 Korrik 2018

Presidenti Thaçi viziton fermerët për nisjen e fushatës së korrje-shirjeve

Ferizaj, 11 korrik - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me Zëvendësministrin e Bujqësisë dhe Kryetarin e Ferizajt, sot kanë përcjellë për së afërmi fushatën e korrje-shirjeve të grurit në Komunën e Ferizajt.

Presidenti Thaçi ka thënë se muaji korrik është muaji i korrje-shirjeve dhe ka shprehur besimin se kjo do të jetë një sezon e mbarë, pavarësisht se ka pasur të reshura të shumta.

“Si institucione të vendit, si president i vendit, e kam pa të udhës të jem gjithmonë pranë fermerëve, në mbështetje të tyre, për t’i plotësuar nevojat dhe kërkesat e gjithë fermerëve të Kosovës."

"Është shumë me rëndësi që sivjet rendimentet janë të mira. Janë të standardit edhe të viteve të kaluara, pavarësisht reshjeve, por edhe ata që kanë pësuar nga reshjet, do të punojmë që si institucione të vendit t’u kompensohen ato dëme”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai e ka uruar fermerin Xhevat Uka nga fshati Prelez i Komunës së Ferizajt dhe gjithë fermerët e Kosovës për punën e mirë dhe për fillimin e sezonit të korrje-shirjeve të grurit.

Kurse, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se vizitat e presidentit dhe konsistenca e mbështetjes së qeverisë qendrore dhe lokale i inkurajon fermerët të punojnë edhe më shumë dhe tregojnë më së miri se ne jemi të përkushtuar që t’i mbështesim fermerët dhe ta mbështesim bujqësinë.

Fermeri Xhevat Uka e ka falënderuar presidentin Thaçi, zëvendësministrin Krasniqi dhe kryetarin Aliu për vizitën në fermën e tij dhe për përkrahjen e vazhdueshme.

Presidenti Thaçi në fund ka theksuar se po shihet një angazhim i shtuar i të gjithë fermerëve të Kosovës, që ta përfundojnë këtë sezon sa më mirë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 Korrik 2018 - Përkujtohet 20 vjetori i rëniës se dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bashkim Kerolli dhe Adem Ademi. Te vendi i quajtur Rrasa e Zogut të kufiri Shqipëri - Kosovë, ora 10:00 - nisja behet nga fshati Polac, ora 8:00)  

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të shqyrtohet projektligji për lirinë e asociimit në Organizata Joqeveritare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 225, ora 10:00)

- Mbahet ceremonia e inaugurimit te impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në fshatin Mramor. (Bregu lindor të Liqenit të Badocit pranë fshatit Mramor, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim përfaqësues të projektit të GIZ-it gjerman dhe nxënës nënshkrues të peticionit për ngritjen e kapaciteteve në arsim. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:30)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në të cilën do të shqyrtohet projektligji për Produkte të Ndërtimi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 10, ora 11:00)

- Oda Ekonomike e Kosvës organizon takim me delegacionin e organizatës prestigjioze “The Heritage Foundation”. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 14:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, me rastin e blerjes së automjeteve multi funksionale ushtarake të lëvizshmërisë së lartë nga Qeveria e Kosovës për Forcën e Sigurisë së Kosovës. (Kazerma Adem Jashari në Prishtinë, ora 16:00)