19 Nëntor 2018

Përurohet fillimi i punimeve në rregullimin e shtratit të lumit Klina në Skenderaj

Skenderaj, 16 tetor - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, në ditën e parë të emërimit të tij si ministër, së bashku me këshilltarët politik e sekretarin Arben Çitaku kanë bërë homazhe tek Kompleksi Memorial "Adem Jashari" në Prekaz. 

Gjatë vizitës në Komunën e Skenderajt, ministri Matoshi së bashku ne kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jasharin, kanë vu themelin e  punimeve të projektit “Rregullimi i shtratit të lumit Klina”, i financuar nga MMPH.

Gjatë kësaj ceremonie, Matoshi tha se në ditën e parë të detyrës së ministrit po e viziton komunën e Skenderajt duke kujtuar se ky vend është i të gjithë shqiptarëve.

Ministri Matoshi tha se projekti për rregullimin e shtratit të lumit Klina do të ketë ndikim pozitiv për qytetarët dhe komunën e Skenderajt.

" Për mua është nder i veçantë që ditën e parë të punës sime, tanimë si ministër, ta fillojë në Komunën e Skenderaj. Lumi Klina  që ne, këtë vit e mbështesim financiarisht në vlerë prej 200 mijë euro, do të ketë ndikim në disa aspekte, do t’i parandalojë vërshimet, do të ruaj biodiversitetin dhe do t’ia kthej një pamje shumë të mirë lagjes ‘Spahiu’ në Skenderaj”, tha Matoshi.

I pari i MMPH-së, Matoshi tha se dikasteri që ai drejton është duke mbështetur edhe projekte të tjera në Komunën e Skenderajt.

“ Rregullimi i shtratit të  lumit Klina, nuk është projekti i vetëm në Skenderaj. MMPH-ja është duke mbështetur edhe katër projekte të tjera në këtë komunë në shumë të përafërt prej 1 milion euro”, tha ministri Matoshi.

Ndërsa kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari falënderoi ministrin Matoshi për mbështetjen e dhënë në investime të projekteve në këtë komunë.

“Ky është një projekt i rëndësishëm që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka mbështetur, komunën tonë dhe qytetarët tanë”, tha Jashari.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është duke mbështetur Komunën e Skenderajt në projektet: “ Kyçjet individuale në ujësjellës për 12 fshatra – Skenderaj”,

“Rregullimi i kanalizimit fekal në Skenderaj”, “Rrjeti i kanalizimit në Prekaz-Mikushnicë, Skenderaj” dhe “Ndërtimi i kanalizimit në fshatin Runik – Skenderaj”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 nëntor 2018 - Kuvendi i Republikës së Kosovës shënon Diten e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.(Ndërtesa e Kuvendit, salla C 405, ora 10:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli merr pjesë në Ditën e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 405, ora 10:00)

- Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  C-301, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim do të përurojë impiantin i për trajtimin e ujërave të zeza në vise rurale në fshatin Kramovik, Komuna e Rahovecit. (Fshati Kramovik, ora 11:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza - moçalishtë e ndërtuar në Kramovik të komunës së Rahovecit. (Fshati Kramovik, ora 11:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu për avansimin e pozitës së të rinjve në sport, kreativitet kulturor dhe mendim kritik dhe në dituri. (Objekti i Komunës së Ferizajt, ora 11:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli merr pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

-  Mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Norvegjisë, me ç’rast nënshkruhet projekti përkrahës i Norvegjisë për ngritjen e kapaciteteve të shërbyesve civilë për zbatimin e MSA-së. (Ndërtesa e Qeverisë, salla e Konferencave P-32, ora 11:00)

- Mbahet sesioni informues i thirrur nga  Fondi i Ballkanit Perëndimor e cila është thirrja e dytë me radhë për propozimet e projekteve rajonale. (Ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ora 11:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli pret në takim të përbashkët ministrin e Financave, ministrin e Drejtësisë dhe kryeshefin e Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë. (Kabineti i Kryeparlamentarit, ora 13:00)

- Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mban takim me të rinjtë e Nismës në Shtime. (Shtëpia e Kulturës në Shtime, ora 16:00)
 
- Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mban takim me të rinjtë e Nismës në Lipjan. (Golden Day në Lipjan, ora 18:00)

- Galeria Kombëtare e Kosovës organizon hapjen e ekspozitës “Muzeu i tri pikave” të artistit Lulzim Zeqiri. (Galeria Kombëtare e Kosovës, ora 20:00)