04 Korrik 2020

OBT: Kina ka subvencionuar jashtë rregullave fermerët

Prishtinë, 1 mars - Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) mori një vendim në favor të Shteteve të Bashkuara që ishin ankuar se gjatë viteve të fundit Kina i subvencionte shumë prodhuesit e saj të grurit dhe të orizit.

OBT-ja në Gjenevë u pajtua me qëndrimin amerikan se Pekini i kishte paguar fermerët e saj me shuma të tepruara për rritjen e grurit, orizit “Indica” dhe atij “Japonica” nga viti 2012 deri në 2015, por tha se mosmarrëveshjet lidhur subvencionimin e misrit kishin skanduar tashmë.

Vendimi vjen pas ankimit të paraqitur nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2016, në muajt e fundit të administratës së ish-Presidentit Barak Obama.

Vendimi mund të apelohet, por përfaqësuesi aktual për tregtinë i SHBA-së Robert Lighthizer e vlerësoi atë.

"Mbështetja e tepruar e Kinës kufizon mundësitë për fermerët amerikanë për të eksportuar prodhimet në Kinë," tha zoti Lighthizer në një deklaratë. "Ne presim që Kina të fillojë të veprojë në përputhje me detyrimet e OBT-së.", tha ai.

Shtetet e Bashkuara pretendojnë se Kina u ka paguar fermerëve të saj rreth 100 miliardë dollarë më shumë sesa lejojnë rregullat e OBT-së, duke krijuar mundësinë për nxitje të prodhimit të grurit dhe orizit, por për pasojë ka ndikuar në uljen ndjeshëm të çmimeve botërore për drithërat.

Vendimi mund të ketë pasoja edhe për Indinë, që ka vepruar në mënyrë të ngjashme me Kinën.

Vendimi i OBT-së vjen në mesin e bisedimeve intensive tregtare ndërmjet Uashingtonit dhe Pekinit. Presidenti Donald Trump ka shprehur optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 Korrik 2020

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi Inspekton investimet në fushën e futbollit në fshatin Novosellë të Pejës. (Fshati Novosellë, ora 13:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti pret në takim drejtuesit e institucioneve shëndetësore. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton shpellën “Bukuroshja e Fjetun”, promovim i turizmit kulturor. (Pejë, ora 13:30)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Garën ndërkombëtare e automobilizimit “Kulla 2020”. (Pejë, ora 15:30)