27 Shtator 2022

Ministria e Bujqësisë dhe Land Steiemark të gatshme për bashkëpunim në bujqësi

Prishtinë, 14 shtator - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka pritur sot në një takim delegacionin nga Qeveria e Land Steiemark të Austrisë, të kryesuar nga Martin Schaller, si dhe Konsulli i Nderit Manfred Brandner, me të cilët kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë.

Ministri Peci, ka prezantuar para tyre zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë në Kosovë, si dhe i ka njoftuar ata se Qeveria e Kosovës gjatë këtij mandati e ka vënë në prioritet zhvillimin e këtij sektori, si një potencial për zhvillim ekonomik.

Krahas kësaj, Ministri Peci e ka njoftuar delegacionin me potencialet që ka Kosova në sektorin e bujqësisë, që sipas tij është ndër fushat më të rëndësishme për ekonominë e Kosovës, me potencial të madh, që mund të tërheq edhe investime nga jashtë.

Duke pasur parasysh këtë, ai ka shprehur gatishmërinë që të fillojnë bashkëpunimin në zhvillim të sektorit, përmes projekteve konkrete.

Në anën tjetër, Martin Schaller, kryesues i delegacionit nga Land Steiemark, ka treguar se në programin e tyre “Agjenda e Bardhë – e Gjelbër”, e kanë vënë në fokus Ballkanin Perëndimor, i cili sipas tij gjithashtu shkon në përputhje me politikat e jashtme të Qeverisë Federale të Austrisë dhe Komisionit Evropian.

Në kuadër të fokusit, ai ka treguar se e kanë edhe sektorin e  bujqësisë dhe në këtë aspekt janë pajtuar me Ministrin Faton Peci që të shohin mundësitë për përkrahjen e sektorit të bujqësisë në Kosovë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 shtator 2022

 - Ministria e Mbrojtjes dhe FSK organizon Konferencën Vjetore Ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2022”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë së Kosovës me përkrahjen e zyres se Presidentes dhe parnerëve ndërkombëtar organizon Konferencën e parë Rajonale “Energjia & Gratë”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton Projektligjin për Sigurinë Kibernetike, Projektligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

 - Koalicioni 27, grupi i organizatave të shoqërisë civile publikojnë raportin “Shkatërrimi ekologjik – Koha të veprojmë”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Informimit, Agjencia për Informim dhe Privatësi mban konferencë kryetarët e Gjykatave si dhe Prokurorët e Prokurorive të Republikës së Kosovës. (Hotel Emerald, ora 10:15)

- Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë shënon Ditën Botërore të Turizmit, në bashkëpunim me Unionin e Turizmit të Kosovës dhe me përkrahjen e Projektit për Zhvillimin e Sektorit Privat (PPSE). (Parku Arkeologjik Ulpiana, ora 11:00)

-  Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti diskuton mbikëqyrjen e zbatimit të Rekomandimeve të Kuvendit lidhur me auditimin e performances të ndërmarrjes publike KOSTT SH.A. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Këshilli i Prindërve të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Naim Frashëri”, Prishtinë organizon një protestë për të shprehur shqetësimet lidhur me prolongimin e fillimit të mësimit për vitin akademik 2022/2023. (Shkolla fillore "Naim Frashëri" në Prishtinë, ora 12:10)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie lidhur me grevën në sektorin publik. (Selia qendrore e LDK-së, ora 11:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim organizon sallonin e radhes me temë “Dhuna online ndaj grave në politikë: Çfarë masa mund të ndërmarrim?”. (Libraria Dukagjini, ora 17:00)

- KFOR i udhëhequr nga NATO do të zhvillojë stërvitjen “Golden Sabre”. (Zona stërvitore të Camp Novo Selo)