01 Korrik 2022

Ministri Peci viziton fermerët e Podujevës të cilët pësuan dëme nga breshëri

Prishtinë, 22 qershor - Pas stuhisë e cila preku disa rajone të vendit tonë gjatë ditës së djeshme, e cila ishte e shoqëruar edhe me shira dhe breshër, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci i shoqëruar me Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, vizituan fshatrat Lupq i Poshtëm, Lubq i Epërm, Popovë dhe Majancë, për të parë nga afër dëmet e shkaktuara në fermat e bujqve të kësaj ane.

Me këtë rast, Ministri Peci i njoftoi fermerët të cilët pësuan dëme në kulturat bujqësore për procedurat rreth kompensimit të dëmeve, si dhe mënyrën e përpilimit të raportit nga terreni.

“Të gjithë bujqit të cilët kanë pësuar dëme në sektorin e bujqësisë nga fatkeqësitë natyrore, siç janë: erërat e forta, breshëri, vërshimet, përmbytjet dhe ngricat duhet të drejtohen në Drejtorinë Komunale për Bujqësi dhe të raportojnë për to, pasi secila komunë mbledh të dhëna dhe evidenton për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe ato raporte pastaj i sjellin në Ministrinë e Bujqësisë për procedim të mëtejmë”, sqaroi me këtë rast Ministri Peci.

Njëkohësisht, Ministri Faton Peci bëri apel për të gjitha komunat të cilat pësuan nga fatkeqësitë natyrore duke kërkuar nga ta që procesi i vlerësimit të dëmeve të jetë sa më objektiv dhe real, për të evituar kështu çdo vonesë të mundshme në procedim të pagesave nga MBPZhR-ja, duke pasur parasysh se në MBPZhR secili raport do t’i nënshtrohet procesit të verifikimit nga Komisioni i cili e bënë pranimin dhe shqyrtimin e raporteve të cilat i pranojmë nga Drejtoritë Komunale për Bujqësi.


Kalendari

Ngjarjet e datës 1 korrik 2022 - Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri mban Konferencë për media. (Para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese, ora 9:30)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Ministria e Mbrojtjes organizon ceremonin e diplomimit të kadetëve të Gjeneratës 2022 të Akademisë së Mbrojtjes - Qendrës për Studime Universitare të FSK-së “Wesley Clark”. (Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 10:00)

- Nën organizimin e Federatës Sindikale te Sektorit Privat te Kosovës shoqata e autobusëve të Mitrovicës dhe Vushtrrisë do të protestojnë para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për mos krijimin e kushteve për punë. (Para Ministrisë së Infrastrukturës, ora 10:00)

- Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale mban konferencën me temën “Ndikimi i ndryshimeve të Kuvendeve Komunale në kualitetin e politikave lokale” ku do të prezantohet hulumtimi mbi pasqyrimin e përbërjes së Kuvendeve Komunale. (Hotel Sirius, nga ora 10:00)

-OJQ AKTIV dhe platforma OPEN organizon prezantimin e rezultateve të hulumtimit “Regjistrimi i popullsisë nga këndvështrimi i komunitetit serb në Kosovës”. (Qendra e Energjisë Qytetare në Mitrovicën e Veriut, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 voton listën e dëshmitareve qe do të ftohen për intervistim si dhe shqyrton CV-te për angazhim të eksperteve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)