25 Shtator 2021

Kriteret për subvencionim të qumështit, ShPQK del me kërkesë për Ministrinë e Bujqësisë

Prishtinë, 11 shtator - Shoqata e Prodhuesve të Qumështit (ShPQK) ka shprehur sot shqetësimin e saj mbi procedurat e aplikimit dhe formën e vendosjes së kritereve për subvencionim nga Ministria e Bujqësisë, pasi në rrethanat e krijuara, sipas saj, një numër i konsiderueshëm i fermerëve nuk do të ketë mundësi aplikimi.

Në një komunikate për media thuhet se mospajtimet si shoqatë e prodhuesve të qumështit i kanë paraqitur edhe si pjesë e grupeve punuese, por edhe para publikimit për subvencionim të qumështit në lidhje me disa nga kriteret e publikuara.

“Gjithashtu, kemi propozuar përkrahje edhe më te madhe të këtij sektori tejet të rëndësishëm, sidomos duke u bazuar edhe në rrethanat e rënduara pas paraqitjes edhe të pandemisë COVID-19. Fatkeqësisht, kërkesat dhe sugjerimet tona nuk u morën parasysh, përkundrazi ato u injoruan totalisht”, thuhet në komunikatë.

ShPQK thotë se kundërshtimi i saj ka të bëjë sidomos me udhëzimin administrativ për “kopjen e kontratës e noterizuar për furnizim me qumësht të lëshuar nga qumështoret e licencuara në Kosovë ose nga pikat e grumbullimit të qumështit të regjistruara si biznese dhe të cilat kanë kontratë me ndonjërën qumështore të licencuar”.

“Sa i përket zbatimit të këtij kriteri për noterizim të kontratave në mes të fermerëve si prodhues të qumështit si dhe fabrikave të përpunimit të qumështit, mendojmë se, noteri vetëm e vërteton një deklaratë mes dy palëve, në këtë rast kontratë (të prodhuesit dhe përpunuesit), por jo edhe garantimin për korrektësi dhe vazhdimësi në lidhje me kushtet e pranim – dorëzimit të qumështit.

Kjo do të jetë vetëm burokraci shtesë, duke marrë për bazë që mesatarisht një kompani përpunuese ka rreth 200- 300 fermerë të kontraktuar, e në këtë rast do të krijojë shumë humbje kohe, shpenzime shtesë me të cilën do të ngarkohen prodhuesi dhe përpunuesi i qumështit, ndërsa nuk do të ketë fare efekt”, thuhet në komunikatë.

ShPQK kërkon nga Ministria e Bujqësisë miratimin e kërkesave të tyre, pasi që sipas saj, kriteret aktuale vetëm sa po e rëndojnë mënyrën e aplikimit dhe pamundësojnë përfitimin e fermerëve të merituar, përfundon komunikata.

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Shtator 2021

- Federata e Pingpongut organizon 3 xhirot e radhës në ligën e juniorëve dhe 1 xhiro në ligen e junioreve ku do te mbahet ndeshja ndërmjet ‘Ahmet Hoxha MK’ vs ‘Lidhja e Prizrenit’. (SHMU Tefik Çanga në Ferizaj, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës dhe njëherësh kandidati për kryetar të Komunës nga Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren, Mytaher Haskuka, do të vizitojë fshatin Nashec. (Oborri i shkollës së fshatit Nashec, ora 18:00)