16 Korrik 2018

Kosova me vetëm 259 729 krerë gjedhe

Prishtinë, 3 korrik - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Ekonomive Bujqësore (AEB) për vitin 2017.

Ky publikim ofron të dhëna për shfrytëzimin e tokës bujqësore, kulturat bujqësore, blegtorinë, inputet bujqësore (plehrat minerale, organike, pesticidet) dhe shpenzimet në ekonomitë bujqësore.

Rezultatet e kësaj ankete tregojnë se në Kosovë sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore është 416 072.33 hektarë (përfshirë tokën e përbashkët).

Nga gjithsej sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore, pjesa më e madhe u përket: livadheve dhe kullosave (përfshirë tokën e përbashkët) me 52.5%; si dhe tokës së punueshme, ku arat marrin pjesë me 44.9 %, kulturat shumëvjeçare (pemët, vreshtat, fidanet) 2.3%, dhe kopshtet me 0.3%.

Nga gjithsej tokë e punueshme – ara (186 954.16 ha), pjesa më e madhe është me drithëra 120 746.28 ha (64.6 %); bimë foragjere me 35 998.79 ha (19.3%); perime gjithsej (në fushë të hapur, në serra dhe kopshte) janë 9 698.75 ha, prej të cilave perime në fushë të hapur dhe serra janë 8 499.76 ha (4.5%); patate 4 290.29 ha (2.3%); bishtajore 3 559.50 ha (1.9%); bimë industriale 450.45 ha (0.2%); kultura të tjera 2 333.11 ha (1.2%) dhe tokë djerrinë 11 075.99 ha (5.9 %).

Sipërfaqe e ujitur, të paktën një herë gjatë periudhës referuese të anketës, është 32 294.10 ha. Kurse, gjithsej sipërfaqja e trajtuar me pesticide është 115 543.24 ha.

Sipas rezultateve të AEB 2017, numri i gjedheve është 259 729 krerë; i deleve është 182 278 krerë; i dhive është 28 410 krerë; i derrave është 41 086 krerë; i njëthundrakëve (kuaj, mushka, gomarë) është 2 326 krerë; i shpezëve (pula, qura, rosa dhe pata) është 2 811 385 krerë; dhe gjithsej numri i koshereve të bletëve është 163 717.

Metodologjia dhe standardet e aplikuara në AEB 2017 (përkufizimet – definicionet, pyetësori, dhe udhëzuesi) janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostatit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 Korrik 2018 - Përkujtohet 20 vjetori i rëniës se dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bashkim Kerolli dhe Adem Ademi. Te vendi i quajtur Rrasa e Zogut të kufiri Shqipëri - Kosovë, ora 10:00 - nisja behet nga fshati Polac, ora 8:00)  

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të shqyrtohet projektligji për lirinë e asociimit në Organizata Joqeveritare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 225, ora 10:00)

- Mbahet ceremonia e inaugurimit te impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në fshatin Mramor. (Bregu lindor të Liqenit të Badocit pranë fshatit Mramor, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim përfaqësues të projektit të GIZ-it gjerman dhe nxënës nënshkrues të peticionit për ngritjen e kapaciteteve në arsim. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:30)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në të cilën do të shqyrtohet projektligji për Produkte të Ndërtimi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 10, ora 11:00)

- Oda Ekonomike e Kosvës organizon takim me delegacionin e organizatës prestigjioze “The Heritage Foundation”. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 14:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, me rastin e blerjes së automjeteve multi funksionale ushtarake të lëvizshmërisë së lartë nga Qeveria e Kosovës për Forcën e Sigurisë së Kosovës. (Kazerma Adem Jashari në Prishtinë, ora 16:00)