07 Tetor 2022

Kosova dhe Sllovenia, mundësi të reja bashkëpunimi në bujqësi

Prishtinë, 1 tetor – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka pritur sot në një takim Ambasadoren e Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejcic të shoqëruar nga Drejtori i Odës Sllovene të Bizneseve, Bajram Fusha me të cilët ka diskutuar rreth mundësive për bashkëpunim të mëtejmë në sektorët që mbulohen nga MBPZhR—ja, me qëllim të fuqizimit dhe zhvillimit të mëtejmë të bujqësisë në gjithë vendin.

Gjatë këtij takimi, Ministri Faton Peci ka prezantuar prioritetet dhe projektet zhvillimore, të cilat planifikohen të realizohen gjatë këtij mandati, e të cilat do të jenë në funksion të zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së këtij sektori, i cili është kontribuuesi kryesor në zhvillim ekonomik.

“Ekspertiza Sllovene është e mirëseardhur qoftë në shkëmbimin e përvojave për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve ashtu edhe në arritjen e kritereve të IPARD në mënyrë që Kosova të ketë qasje direkte në fondet e Bashkimit Evropian për avancim të sektorit të bujqësisë”, shtoi tutje Ministri Faton Peci.

Duke e falënderuar shtetin slloven për mbështetjen e vazhdueshme që e ka dhënë për Kosovën, Ministri Peci theksoi se të dy vendet kanë shumë mundësi bashkëpunimi në fushën e ekonomisë dhe bujqësisë në veçanti.  Në këtë takim, ata u pajtuan që të krijojnë partneritete të reja mes të dyja shteteve, me qëllim të krijimit të mundësive për bashkëpunim mes afaristëve nga Kosova dhe atyre nga Sllovenia duke nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi mes dy shteteve në të ardhmen me qëllim të avancimit të sektorit të bujqësisë dhe pylltarisë.

Në anën tjetër, Ambasadorja e Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejcic, shprehu gatishmërinë e saj për të thelluar edhe më tej partneritetin mes MBPZhR-së dhe Ambasadës së Sllovenisë në Kosovë dhe rikonfirmoi gatishmërinë e shtetit të saj për të ndihmuar zhvillimin bujqësor të Kosovës.



  

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 tetor 2022 - Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese shqyrton nominimet e kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me përmbushjen e kushteve të parapara me Kushtetutë dhe Ligj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 9:00)

- Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Caritas Zviceran në Kosovë lansojn thirrjen “Projektet Investuese të Diasporës” në kuadër të projektit “Veprimi i Komunave për Riintegrim dhe Diasporë – MARDI”. (Ndërtesën Qeverisë, salla P38, ora 9:30)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi mban konferencë për medie lidhur me qëndrimet dhe vlerësimet për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi. (Holli i Kuvendit të Kosovë, ora 10:00)

- Rrjeti i Grave të Kosovës dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë publikojnë përmbledhjen e politikave 'Dispozitat për koston e lejes së lindjes, atësisë dhe pushimit prindëror në Ligjin e Punës', të shkruar nga Dita Dobranja në emër të RrGK-së. (Hotel Sirus, ora 10:00)

- OJQ Aktiv organizon prezantimin e “Udhëzuesin për verifikimin bazë të informacionit mediatic” i cili është i dedikuar kryesisht për komunitetin serb të Kosovës. (Qendra e Energjisë Qytetare në Mitovicën e Veriut, ora 11:00)

- Sekretari Gjeneral i FIBA Andreas Zagklis takohet me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku. (Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës, ora 11:00)