01 Korrik 2022

Kosova dhe Shqipëria përafrojnë politikat bujqësore

Prishtinë, 20 qershor - Në mbledhjen e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë e cila po mbahet në Prishtinë, në kuadër të avancimit të politikave të përbashkëta bujqësore mes dy vendeve u nënshkruan edhe dy marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe homologes së tij, Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë, Frida Krifca.

Në fjalimin e tij hyrës, Ministri Peci theksoi se siguria ushqimore është sot kryetemë jo vetëm në rajon por edhe në mbarë globin, duke shtuar se “Shkëputja e zinxhirëve të furnizimeve me inpute bujqësore qoftë nga pandemia apo nga zhvillimet aktuale të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës po e vështirësojnë punën e fermerëve tanë, mirëpo është edhe një mundësi e mirë që vendet tona, të kyçen në zinxhirin e shkëputur dhe të krijojnë rrugë të reja për eksport”.

Sa i përket marrëveshjeve të bashkëpunimit, si një vazhdimësi e një bashkëpunimi mes dy institucioneve, marrëveshja e parë “MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI NË FUSHËN E ZBATIMIT TË PROGRAMEVE TË MBËSHTETJES PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL” lidhet me përafrimin e politikave të dy vendeve me politikat e përbashkëta bujqësore, aktivitetet e agjencive të pagesave respektivisht AZHB - AZHBR, për përgatitjen për paketën e akreditimit për fondet IPARD e gjithashtu edhe shkëmbimin e eksperiencave të ndërsjella për skemat e pagesave direkte, skemat e cilësisë, LPIS, AICS, organizimin e grupeve të prodhuesve, politikat për trajtimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, politikat e sigurimeve bujqësore e të ngjashme.

Nga ana tjetër marrëveshja e dytë “MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI PËR SHKËMBIM PËRVOJASH NË PROCESET TEKNIKE” lidhet me shkëmbimin e përvojave në proceset teknike në fushën e statistikave dhe shërbimeve këshillimore ku përfshihet rrjeti i kontabilitetit në fermë apo FADN, Zhvillimi i Sistemit të Integruar Informativ Bujqësor, raportimet vjetore për bujqësinë dhe peshkimin në Komisionin Evropian, raportimi për çmimet e produkteve bujqësore në DG-AGRI, shkëmbimin e përvojave për zhvillimin e zonave rurale përmes avancimit të Shërbimeve Këshillimore dhe ngritjes së kapaciteteve të këshilluesve publiko – privat.
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 korrik 2022 - Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri mban Konferencë për media. (Para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese, ora 9:30)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Ministria e Mbrojtjes organizon ceremonin e diplomimit të kadetëve të Gjeneratës 2022 të Akademisë së Mbrojtjes - Qendrës për Studime Universitare të FSK-së “Wesley Clark”. (Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 10:00)

- Nën organizimin e Federatës Sindikale te Sektorit Privat te Kosovës shoqata e autobusëve të Mitrovicës dhe Vushtrrisë do të protestojnë para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për mos krijimin e kushteve për punë. (Para Ministrisë së Infrastrukturës, ora 10:00)

- Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale mban konferencën me temën “Ndikimi i ndryshimeve të Kuvendeve Komunale në kualitetin e politikave lokale” ku do të prezantohet hulumtimi mbi pasqyrimin e përbërjes së Kuvendeve Komunale. (Hotel Sirius, nga ora 10:00)

-OJQ AKTIV dhe platforma OPEN organizon prezantimin e rezultateve të hulumtimit “Regjistrimi i popullsisë nga këndvështrimi i komunitetit serb në Kosovës”. (Qendra e Energjisë Qytetare në Mitrovicën e Veriut, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 voton listën e dëshmitareve qe do të ftohen për intervistim si dhe shqyrton CV-te për angazhim të eksperteve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)