05 Tetor 2022

Kosova dhe Maqedonia nënshkruan bashkëpunimin në bujqësi

Shkup, 16 shtator - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci bashkë me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Republikës së Maqedonisë së Veriut nënshkruan sot gjatë ditës Memorandumin e Bashkëpunimit mes dy vendeve, gjatë vizitës zyrtare të Ministrit Faton Peci në shtetin fqinj.

Ky memorandum ka për synim inkurajimin e mëtutjeshëm të zhvillimit të marrëdhënieve të mira dhe forcimin e vazhdimësisë së bashkëpunimit në fushën e interesit të përbashkët në lidhje me procesin e para anëtarësimit në Bashkimin Evropian të të dyja vendeve fqinje.

Në kuadër të këtij Memorandumi të Bashkëpunimit palët do të bashkëpunojnë ngushtë me qëllim të arritjes së progresit në aktivitete që lidhen me Integrimin Evropian në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, veçanërisht në  harmonizimin e legjislacionit të brendshëm me atë të BE-së, forcimin e strukturës institucionale përmes ngritjes së kapaciteteve institucionale në institucionet përkatëse, koordinimin e ndihmës së donatorëve në lidhje me përdorimin më të mirë të instrumenteve financiare të BE-së, plotësimin e kritereve sipas standardeve të IPARD, shkëmbimin e informacioneve në lidhje me proceset e BE-së në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, zbatimin e konsultimeve, nismave dhe aktiviteteve të përbashkëta në inkurajimin e arritjeve të të dyja palëve në fushat e përdorimit më të mirë të instrumentit financiar të para–anëtarësimit për zhvillimin rural, etj.

Koordinimi për realizimin e bashkëpunimit mes palëve për sektorët e listuar më lartë do të realizohet përmes mjeteve dhe metodave, siç janë organizimi i përbashkët i takimeve, konferencave, tryezave, panaireve, seminareve, nismave të përbashkëta në avancimin e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural me interes të ndërsjelltë.

Vlen të theksohet se Memorandumi në fjalë u nënshkrua gjatë seancës së parë të përbashkët të dy qeverive, kosovare dhe asaj maqedonase e cila u mbajt sot në Shkup.

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 tetor 2022

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban takohet me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku. (Ndërtesa e Ministrisë, ora 10:00)

- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik përkitazi me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues në Gjilan. (Salla e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 10:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban takohet me kryetarin e Komunës së Prishtinës Përparim Rama. (Ndërtesa e Komunës, ora 10:45)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve pret sekretaren e ambasadës së Malit të Zi, Fedisa Dacić ku edhe do të mbahet konferenca për media lidhur me Forumin Ekonomik Ndërkombëtar Ulqini. (Objekti i AKB-së, ora 11:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban takohet me Komitetin Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës. (Selia e FFK-së, ora 11:30)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton në parim Projektligjin për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë COVID-19. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:30)

- Agjencia Kosovare e Privatizimit organizon ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve të aseteve përmes likuidimit nr. SHAL 59. (Hotel Grand, ora 12:30)

- Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi raporton para Komisionit për Integrime Evropiane. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Komuna e Gjilanit organizon mbledhje komemorative për të nderuar jetën dhe veprën e prof. dr. Shqiponja Isufit. (Salla e teatrit të qytetit të Gjilanit, ora 13:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike bën zgjedhjen e eksperteve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 14:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban mban konferencë për media. (Stadiumi “Fadil Vokrri”, ora 15:00)

- Zhvillohet ndeshja Kosovë - Itali në kuadër të Kualifikimeve e Evropianit U17. (Stadiumi “Fadil Vokrri”, ora 16:00)