27 Maj 2022

Konfirmohet përkrahje e shtetit italian për sektorin e bujqësisë

Prishtinë, 24 janar - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, gjatë ditës priti në takim Ambasadorin e Italisë në vend, Antonello De Riu, me të cilin biseduan rreth zhvillimit të sektorit të bujqësisë dhe për mundësitë e bashkëpunimit të të dyja vendeve në të ardhmen.

Ministri Faton Peci e falënderoi Ambasadorin De Riu për bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe e njoftoi për zhvillimet ne sektorin e bujqësisë dhe projektet zhvillimore për këtë vit.

“Me ambasadorin De Riu trajtuam mundësitë e bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë duke mundësuar kështu shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës italiane. Gjithashtu trajtuam mundësinë e pjesëmarrjes së afaristëve kosovarë në panaire bujqësore në Itali në mënyrë që të krijojmë ura bashkëpunimi me bazë industrinë agro-ushqimit."

"Mundësitë e rritjes së kapaciteteve janë të shumta pikërisht kur ka vullnet për bashkëpunim. Miqësinë mes dy vendeve do ta forcojmë edhe më tej përmes projekteve zhvillimore, në avancim të sektorit duke u bazuar në potencialin serioz që Kosova ka në përmirësim të bilancit tregtar përmes bujqësisë”, shtoi ministri Peci.

Në anën tjetër, Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu e falënderoi Ministrin për pritjen dhe njëkohësisht e konfirmoi gatishmërinë për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme për avancim, ngritje të kapaciteteve dhe zhvillim të sektorit të bujqësisë në Kosovë.

--------

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 maj 2022

- Fillon punimet konferenca “Qasjet Aktuale në Diagnostikimin dhe Menaxhimin e Pacientëve me Sklerozë Multiple, Dita Botërore e Sklerozës Multiple 2022”. (Four Points by Sheraton, Marigona Residencë, ora 9:00)

- Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu raporton para Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Drejtoresha e Misionit të USAID-it, Zeinah Salahi, do të flasë në hapjen e Forumit të Bizneseve të Diasporës. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Kolegji AAB organizon hapjen zyrtare të edicionit të parë të Panairit të Karrierës dhe Punësimit AAB 2022. (Kolegji AAB, ora 10:00)

- Në kuadër të projektit “Evropa Juglindore - Së Bashku Kundër Korrupsionit” mbahet konferenca për media, në të cilën do të prezantohet raporti me titull “Nevoja për institucionalizimin e vlerësimit anti-korrupsion në Kosovë”, në të cilin raport trajtohet ndryshimi e shpeshtë i ligjeve anti-korrupsion dhe nevoja që ndryshimeve të ligjeve tu paraprijë vlerësimi periodik i legjislacionit dhe masave anti-korrupsion. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Oficerë të lartë nga Kroacia dhe Shqipëria që ishin pjesë e UÇK-së bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz. (Prekaz, ora 10:00)

-  Zyrtari për Sektorin Privat në USAID, Mathju Kulinajn, bashkë me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, do të mbajnë fjalë rasti në ceremoninë përmbyllëse të Programit të USAID-it Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt. (Hoteli Emerald, ora 10:30)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe te vendi i rënies së dëshmorëve të kombit Sadedin Hajda dhe Mexhit Mustafa. (Hamoc, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës diskuton rreth emrave të ekspertëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  N303, ora 11:00)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe të vendi i rënies së dëshmorëve të kombit Feim Gashi, Sakip Bellaqa, Përparim Thaqi në fshatin Fortesë. (Fortesë, ora 12:00)

- Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion organizon konferencë për media si pjesë e Javës Kundër Varfërisë Menstruale dhe Stigmatizimit të menstruacioneve. (Para Bibliotekës Kombëtare, ora 12:30)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe në vendin e rënies së dëshmorëve të kombit Milaim Morina dhe Xhevdet Krasniqi. (Në rrugën Fortesë-Celinë, ora 13:0)

- Ministrja e  Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të takohet me një delegacion nga Shqipëria, të kryesuar nga ministrja e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, me rastin e organizimit të konferencës “Turizmi i përbashkët Kosovë - Shqipëri”. (Hotel Prishtina, ora 14:00)

- Mbahet konferenca për media e përzgjedhësit Alain Giresse në kuadër të grumbullimit për katër ndeshjet e muajit qershor në UEFA Nations League. (Hotel Emerald, ora 14:00)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe në vendin e rënies së dëshmorëve të kombit në fshatin Brestoc. (Brestoc, ora 14:00)

- Kombëtarja e Kosovës i fillon stërvitjet dhe do t’i mbajë dy seanca në Kampin Nacional në Hajvali. (Stërvitja e parë mbahet, ora 10:30 derisa stërvitja e dytë, ora 17:30)