19 Mars 2024

Kërkohet shtim i inspektorëve bujqësorë për siguri më të lartë ushqimore

Kamenicë, 22 maj - Shtimi i numrit të inspektorëve dhe këshilluesve bujqësorë po shihet të jetë nevojë e domosdoshme me qëllim që në Kosovë të ketë siguri më të madhe ushqimore. Rritja e cilësisë së produkteve dhe prodhimeve ‘bio’ po konsiderohet hap i rëndësishëm që prodhimet vendore të depërtojnë në tregun e Bashkimit Evropian.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se kjo komunë ka përparësi shumë të madhe për zhvillim të bujqësisë pasi që 70 % e territorit të saj janë hapësira kodrinore-malore.

Kastrati tha se është ngritur vetëdija e qytetarëve që të investojnë në këtë fushë veprimtari, pasi që, këtë vit janë rreth dyzet përfitues të granteve të Ministrisë së Bujqësisë, kurse viteve të mëparshme kanë qenë jo më shumë se tetë.

"Vitet e fundit buxheti për subvencione për të gjitha kategoritë ka qenë 9 mijë e 925 euro që nënkupton subvencione jo vetëm në bujqësi por në të gjitha fushat. Ne çka kemi arritur dhe jemi duke kërkuar nga niveli qendror është me nda fonde shtesë dhe në këtë aspekt, edhe në vitin e kaluar edhe këtë vit, kemi arritur me marrë një fond, jo të mjaftueshëm, por të paktën me mundë me thënë një përkrahje dhe orientim... ne si shtet duhet të zvogëlojmë burokracinë në aspektin e shpërndarjes së subvencioneve dhe granteve", tha Kastrati.

Nga Departamenti për Këshilla Bujqësore që vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përfaqësuesi Tahir Halitaj tha se ministria ka hartuar mekanizma shtesë për të zbatuar në tërësi standardet e Bashkimit Evropian. Megjithatë, sipas tij, politikat për përfitues të granteve duhet t’ju përshtaten edhe prodhuesve të vegjël.
 
"Edhe ne e vlerësojmë që kemi nevojë për këshilltarë që i zbatojnë standardet; numri i këshilltarëve është i kufizuar për shkak të buxhetit të Qeverisë edhe nuk mund të pranohen punëtorë, por ne e kemi mekanizmin e certifikimit të këshilltarëve privat dhe të licencimit të kompanive që na plotësojnë në terren me këshilla”, tha Halitaj.

Sabedin Kadriu, koordinator rajonal për Gjilan në AUVK, tha se me kapacitetet e vogla të inspektorëve që kanë në dispozicion po mundohen të ofrojnë siguri ushqimore për qytetarët e këtij regjioni.

"Sa i përket sigurisë ushqimore, thashë në fillim, jemi duke e bërë të pamundurën të mundur, mirëpo me atë kapacitet që e kemi, realisht [kapaciteti] i fuqisë punëtore që e kemi - konkretisht i inspektorëve, është shumë i vogël", u shpreh ai.

Ky debat për fushë veprimtarinë bujqësore në Kosovë u zhvillua në kuadër të projektit "Përkrahje për Komunikim në Procesin e Integrimit Evropian" që financohet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimeve Evropiane. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)