28 Mars 2024

IFC lanson sistemin e sigurimit të bujqësisë në Kosovë

Prishtinë, 11 prill - IFC, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, ka lansuar sistemin e sigurimit të prodhimtarisë bujqësore në mënyrë që t’i jepet një shtytje zhvillimit të sektorit bujqësor në vend.

Projekti i Agro-financimit për Evropë dhe Azi Qendrore i IFC-së ka punuar me ministrinë për të zhvilluar e implementuar një sistem të sigurimit bujqësor transparent, të qëndrueshëm dhe financiarisht të zbatueshëm me qëllim të përmirësimit të konkurrueshmërisë dhe zhvillimit të këtij sektori.

Gjatë viteve 2016 e 2017, bujqësia në Kosovë është vlerësuar se ka humbur rreth 15 milion euro në formë të dëmeve, të cilat do të mund të ishin parandaluar me vendosjen e një sistemi adekuat të sigurimit.

“Tani bujqit në Kosovë mund t’i sigurojnë kulturat e tyre bujqësore, gjë që do t’u mundësojë atyre uljen e rrezikut nga faktorët klimatikë dhe mbrojtjen e investimeve të tyre,” tha Dijana Zhiviç, Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

“Sigurimi i bujqësisë gjithashtu fermerëve u ofron vazhdimësi të veprimtarisë, gjë që çon në të hyra më të qëndrueshme për fermerët dhe ndihmon në ngritjen e eksportit, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e huamarrjes për këtë sektor.”

Ky projekt është pjesë e bashkëpunimit ndërmjet Grupit të Bankës Botërore dhe MBPZHR-së, për ta mbështetur zhvillimin e sektorit të bujqësisë në vend.

“Sigurimi i bujqësisë është një komponentë thelbësore për ta bërë sektorin e bujqësisë më konkurrues, për ta forcuar mjedisin e përshtatshëm, dhe për t’i rritur aftësitë teknike në mënyrë që të ndihmohet në uljen e rrezikut."

"Sistemi i ri i sigurimit të bujqësisë do të ndihmojë në rritjen e besimit për sa i përket huadhënies për bujqësi, dhe kjo do të ndihmojë pastaj në rritjen e produktivitetit dhe profitabilitetit në Kosovë,” tha Leah Soroka, Menaxhere e Programit të Agro-financimit për Evropë dhe Azi Qendrore e IFC-së.

Projekti i Agro-financimit për EAQ i IFC-së, në partneritet me Ministrinë e Financave e Austrisë dhe Bankën Hungareze Eksport-Import, ka për synim rritjen e qasjes në financa për sektorin e bujqësisë në Ballkanin Perëndimor, Ukrainë, Azi Qendrore dhe Azerbajxhan.

Kosova u bë anëtare dhe aksionare e IFC-së në vitin 2009. Që nga atëherë, IFC-ja ka investuar dhe mobilizuar 391 milionë dollarë në vend përmes pesë projekteve në sektorë të ndryshëm.

Shërbimet këshilluese të IFC-së në Kosovë synojnë ta përmirësojnë klimën e investimeve dhe procedurat e falimentimit, të mbështesin kompanitë në sektorin privat, dhe të tërheqin pjesëmarrjen e sektorit privat në zhvillimin e projekteve infrastrukturore.

IFC-ja është organizatë simotër e Bankës Botërore dhe anëtare e Grupit të Bankës Botërore - është institucioni më i madh i zhvillimit global i fokusuar në sektorin privat në tregjet në zhvillim.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)