24 Shtator 2018

Holanda mbështet ngritjen e cilësisë së qumështit vendor në Kosovë

Prishtinë, 6 korrik -  Përmes projektit "Programi për trajnime në sektorin e prodhimit të qumështit në Kosovë"”, synohet ngritja e kapaciteteve në industrinë prodhuese të qumështit.

Promovimi i këtij projekti dy vjeçar është bërë sot, ndërkaq do të mbështetet nga Ambasada e Holandës në Kosovë dhe do të zbatohet nga Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara AERES të Holandës. 

Me këtë rast, zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Mevludin Krasniqi, theksoi se ky projekt do të ndikojë në avancimin e mëtejmë të sektorit të qumështit.

Ai ka treguar se Ministria e  Bujqësisë përmes politikave mbështetëse nga viti në vit po krijon klimë të favorshme për investime dhe zhvillim të sektorit të qumështit.

“Ministria e Bujqësisë edhe sivjet është duke e mbështetur sektorin e qumështit, ku përmes subvencionimit  synojmë rritjen e fondit blegtoral dhe ngritjen e cilësisë së qumështit, ndërsa përmes granteve investive jemi duke investuar në ferma, në pajisje për avancimin teknologjik të përpunimit të qumështit dhe në shumë hapësira tjera’, ka thënë zëvendësministri Krasniqi.

Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, ka thënë se projektet e tilla ndikojnë në avancimin e sektorit të qumështit.

“Ky projekt ka rëndësi për industrinë e qumështit në Kosovë dhe duke ditur se Holanda ka një prodhimtari më të madhe të qumështit në botë, atëherë Holanda edhe duhet të jetë model për Kosovën. Për këtë arsye Qeveria e Holandës ka shpreh gatishmërinë e mbështetjes së këtij sektori në Kosovë që ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, Milazim Berisha, ka treguar se në kuadër të këtij projekti do të bëhet një vlerësim i prodhimtarisë së qumështit dhe në bazë të analizave do të trajnohen një pjesë e stafit në një periudhë të caktuar në Holandë. Sipas tij, ky projekt do të ndikojë në ngritjen e mëtejmë të kapaciteteve të sektorit të qumështit në vend.

 

Kalendari

Ngajrjet e datës 24 shtator 2018

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Transmetuesin Publik të Kosovës, shqyrtimi i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)


- Misioni i OSBE-së do të publikojë dy raporte që kanë të bëjnë me legjislacionin dygjuhësh dhe respektimin e të drejtave gjuhësore në Policinë e Kosovës, në kuadër të aktiviteteve të shumta për shënimin e Ditës Evropiane të Gjuhëve. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:30)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon tryezën e Diskutimit me temë "Monitorimi i Planit Strategjik të KPK-së: Ku po qëndron sistemi prokurorial në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik?". (Hotelin Swiss Diamond, ora 10:30)

- Në kuadër të Javës së Sportit Evripian Federate e çiklizimit te Kosovës organizon garën e hapur çiklistike për të gjitha kategoritë dhe grupmoshat nga 20 deri 100 km. (Gjilan, ora 11:00)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi do të shoqëroj Drejtoreshën e Korpusit të Paqës, Dr. Darlene Grant, gjatë vizitës ku ata do të përcjellin një Vullnetare të Korpusit të Paqës në punë në shkollën e saj në një fshat të Kosovës. (Shkolla fillore “Nëna Tereza”, fshati Vranidoll, ora 11:15)

- Organizata ETEA, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, do ta organizojë “Ditën e Librit të Ndaluar” me temën “Librat digjen, (por) idetë jo”, si përgjigje ndaj cenzurës, me theks të veçantë te cenzurimi i librave. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 13:00)

- Ministri i Financave Bedri Hamza dhe drejtoresha për Eksport në UniCredit Bank Austria AG Sabina Eder do të nënshkruajnë marrëveshjen për kredi në vlerë prej 5.349 milionë euro për financimin e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në Komunën e Podujevës. (Ndërtesa e  Qeverisë, kati 11, ora 15:00)

- Mbahet diskutim i hapur me shkrimtarin dhe publicistin Veton Surroi mbi temën “Librat digjen, (por) idetë jo” me moderim nga Liridona Sijarina. (Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 15:00)

- Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohen me Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Republikën e Shqipërisë.  (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 15:00)

- Organizohet shfaqja e filmit “Fahrenheit 451” në bashkëpunim me “Film n’park”. (Parku i Qytetit të Prishtinës, ora 19:00)