19 Shtator 2019

Gjilani në përkrahje të fermerëve

Gjilan, 5 qershor –  “Komuna e Gjilanit është modeli më i mirë i partneritet të madh me organizatat e fuqishme ndërkombëtare dhe vendore për përkrahje ndaj fermerëve”, ka thënë drejtori i Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, teksa ka numëruar projektet, të arriturat dhe sfidat e 5-mujorit të punës për vitin 2019.

Në konferencën për gazetarë, Ramadani ka përmendur implementimin e programit me mbështetje të Komisionit Europian, ku 100 studentë apo sapo të diplomuar do të kryejnë praktikë tre mujore me pagesë, do të mbështeten 10 ndërmarrje që zhvillojnë turizmin rural dhe 52 biznese fillestare do të fitojnë grante të vogla në vlerë prej 2500 euro.

Ndërkohë, përmes bashkëpunimit me shkollën e bujqësisë “Arbëria”, ai tha se kanë mbështetur 5 ferma blegtorale me gjedhe të racës simental, përderisa 572 fermerë janë subvencionuar në mbjellje pranverore.

“Përveç kësaj, është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit me kompaninë Shell Kosova  për subvencionimin e naftës për fermerë për 5 cent për litër, sikur që kemi kontratë edhe me Hib Petrolin për përkrahjen e fermerëve në të njëjtën masë. Ky do të jetë një lehtësim i madh për bujqit”, theksoi i pari i bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani.

Duke nënvizuar projektet në proces të implementimit, drejtori i Bujqësisë në Gjilan ka përmendur projektin e serrave të zinkuara, furnizimin e bletarëve me shtëpiza trekatëshe, furnizimin me makina mjelëse etj.

“Projekti i radhës në prag të implementimit është “Furnizim me makina mjelëse“, këtu kemi pasur 95 aplikime dhe përfitues do të jenë 40 fermerë. Do të trajtohen blegtorët që kultivojnë mbi 5 krerë lopë qumështore dhe nuk kanë qenë përfitues asnjëherë. Po ashtu, kemi përfunduar pranimin e aplikacioneve për mekanizim bujqësor, ku interesimi është tepër i madh dhe për 70 mekanizma bujqësor kanë aplikuar 274 fermerë”, ka thënë Ramadani.

Në fund të konferencës, drejtori Ramiz Ramadani pohoi se edhe këtë vit do të vazhdohet me projektin e rrugëve fushore, ku është përzgjedhur operatori, është nënshkruar kontrata dhe për pak ditë do të nisin punimet.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 shtator 2019 - Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren të zhvillon punimet një punëtori nga Garda Kombëtare e Iowa në SHBA dhe Forcës të Sigurisë së Kosovës. (Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, ora 8:00)

- Mbahet mbledhja e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 10:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, do të vizitojë Komunën e Mamushës  ku do të takoj kryetarin e kësaj komune, Abdülhadi Krasniç , për të diskutuar rreth përgaditjes së Garës Nacionale të Sportit. (Objekti i komunës, ora 10:15)

- Fillon skema e re e projektit per fuqizimin e angazhimit të ndërtimit të pronësisë i financuar nga BE që synon të mbështesë punën e OJQ-së për një Kosovë të gjelbër. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 10:30)

- Në kuadër të Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë, Balkan Green Foundation dhe Instituti për Politika Zhvillimore organizojnë eventin që thekson të arriturat dhe ndikimin në komunitet nga projekti “Empower - Engage Build Ownership” i mbështetur nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë. (Amfiteatri i Sheshit Zahir Pajaziti, ora 10:30)

- Në faqen e KDI-së në Facebook, mbahet bashkëbisedimi LIVE për dialogun Kosovë-Serbi, me kandidaten për kryeministre znj.Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës. (KDI, ora 12:00)

- Lëvizja FOL organizon diskutimin e katërt në kuadër të Forumit FOL Hapur me kandidatin për Kryeministër nga Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Socialdemokratike. Ramush Haradinaj. (Lëvizjes FOL, ora 13:00)

- Mbahen ndeshjet e ligës së femrave dhe ligës së juniorëve në pingpong. (Ferizaj, ora 18:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti takohet me qytetarë të Prishtinës. (Hotel Sirius, ora 18:00)

- Kandidatja e LDK-së për Kryeministre, Dr. Vjosa Osmani, takohet me strukturat dhe qytetarët e Ferizajt. (Restaurant “Fitorja”. ora 18:00)

- Bëhet hapja e ekspozitës personale të piktorit Vehbi Murati, e titulluar “Një ditë e zakonshme shtatori”. (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00) 

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti takohet me banorë te Malishevës së Gjilanit. (Fshati Malishevë, ora 20:00)

 - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti takohet me banorë te Pozhoranit. Pozhoran, ora 21:00)