11 Dhjetor 2019

Gjilani me KE-në do ta financojë punën praktike për të rinjtë në agrobiznes

Gjilan, 7 shkurt - Në Komunën e Gjilanit është prezantuar para bizneseve dhe të rinjve projekti “Të rinjtë në Agrobiznes”, për praktikën në punë, e cila do të paguhet nga projekti që financohet nga Zyra e Komisionit Europian në Prishtinë.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka inkurajuar bizneset përpunuese të produkteve agro që të jenë bashkëpunuese në këtë projekt sepse krahas mbështetjes që i jepet nga projekti në të njejtën kohë ndihmojnë të rinjtë që të kenë një vend pune që siguron të ardhura për familjen e tyre.

“Komuna e Gjilanit dhe projekti i KE-së janë të përkushtuar për absorbimin dhe involvimin e të rinjve në punësim në kompanitë që kanë fushëveprim produktet agro dhe përpunimin e ushqimit."

"Qëllimi ynë me këtë subvencionim të pagës është që në bazë të performancës të rinjtë të vazhdojnë pastaj punën në këto kompani edhe pas përfundimit të projektit. Përpos kësaj, ne do të japim edhe mbështetjen tjetër për “Start up” për një numër të caktuar që i plotësojnë kriteret që të fillojnë biznesin e tyre të pavarur."

"Njëkohësisht, jemi duke punuar për të mbështetur edhe bizneset në zhvillim që këto hallka pastaj të jenë funksionale për të ardhmen dhe rritjen e numrit të të punësuarve në sektorin privat”, ka thënë kryetari Haziri.

Haziri gjithashtu ka thënë se Komuna e Gjilanit në nivel vendi është e para sa i përket zhvillimit ekonomik lokal, që sipas tij është një motiv edhe më i madh për punë të përbashkët në këtë drejtim.

Ndërsa, Ermelinda Haziri, udhëheqëse e programit, ka bërë prezantimin për bizneset se si mund të aplikojnë për të pranuar të rinjtë e interesuar në punë gjatë të ardhmes.

Në këtë projekt janë në bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë Komuna e Gjilanit si garantuese e zbatimit të projektit të KE-së, sektori privat dhe Zyra Rajonale e Punësimit dhe implementohet në 11 komuna të regjionit Lindje. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 dhjetor 2019 - Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë lanson platformën "Forumi i Gruas për Siguri”, aktivitet ky që implementohet në kuadër të projektit “Ndërtimi i Qëndrueshmërisë: Komunitetet kundër Ekstremizmit të Dhunshëm". (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Aksion për Nëna dhe Fëmijë organizon konferencën për përmirësimin e cilësisë me temë "Mbështetja në të ushqyerit me gji nëpër QMF". (Hotel Sirius. ora 9:00)

- Koalicioni i OJQ-ve për Javën Kundër Korrupsionit organizon tryezë diskutimi lidhur reformën e sistemit të drejtësisë në Kosovë, si dhe sfidat e deritanishme me të cilat sistemi gjyqësor dhe prokurorial është ballafaquar vazhdimisht. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Avokati i Popullit organizon 'Ditët e hapura me qytetarë të Pejës" ku do të takojë në mënyrë individuale secilin qytetarë që lajmërohet për takim, duke u respektuar parimi i konfidencialitetit, që të parashtrojnë ankesat e tyre për shkeljet eventuale apo t'i drejtohen për këshilla, në rast të shkeljes së të drejtave të njeriut nga autoritetet publike. (Zyra e Institucionit të Avokatit të Popullit në ndërtesën e Komunës së Pejës,, ora 10:00)

- Oda e Afarizmit Të Kosovës organizon promovimin e librit për biznes "Nga zero në njëqind", të autorit Dritan Shpuza. (Salla e konferencave Orion përballë Kino ABC,  ora 10:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës do të mbaj konferencë për media, në të cilën Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj,  do të prezantoj rezultatet e aktiviteteve për mbledhjen e borxheve, me theks të veçantë aktivitetet për konfiskimin e pasurisë së tatimpaguesve borxhlinj. (Zyra Qendrore e ATK-së, ora 11:00)

- Bëhet promovimi i librit "Traumatologjia e sistemit osteomuskular" e autorit, Prof.dr. Cen Bytyqi. (Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ora 11:00)

kryetari i degës së PDK-së në Prizren z.Shaqir Totaj, nesër mban konferencën e radhës. (Zyret e degës në Prizren, ora 11:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe rrjeti i marketeve Viva Fresh Store organizojnë hapjen e Ekspozimit dhe Promovimit të Prodhimeve Vendore në kuadër të “Javëve të Biznesit Kosovar 2019” me moto: Unë Konsumoj Produkte Vendore, Po JU? (Objekti i Viva Fresh Store Adresa, Rruga e Tiranës -Prizren, ora 13:00)  

- Koalicioni i OJQ-ve për Javën Kundër Korrupsionit organizon tryezë diskutimi me temë "Lufta për meditje - politikat kundërthënëse të qeverisë për udhëtimet zyrtare. (Hotel Sirius, ora 14:00)

- Këshilli Drejtues i Sindikatës se Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës mban takim lidhur në të cilin do të diskutojë situatdn aktuale, nëse pagat nuk merren me Ligjin e ri të Pagave, se cilat do të jenë veprimet sindikale duke respektuar fuqishem zërin e andtaresisë të cilën përfaqësojnë. (Zyrat e SBASHK-ut, ora 15:00)

- Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur organizon bisedën hapur te titulluar “Metodologjia e re per zgjërim: pengesë apo inspirim”. (Swiss Diamond, ora 18:00)

- Federata e Futbollit e Kosovës organizon koktejin e fundvitit me gazetarë. (Hotel “Venus” në afërsi të Lipjanit, ora 18:00)