01 Tetor 2020

Fillon ekzekutimi i subvencioneve në vlerë prej rreth 11.9 milionë euro

Prishtinë, 27 shtator - Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, pas kontrollës administrative dhe kontrollave në terren ka përgatitur listat për pagesë të fermerëve përfitues në kuadër të Programit për Pagesa Direkte për vitin 2019.

Deri më tani janë proceduar listat për pagesë të 13697 fermerëve, të cilët kanë përfituar subvencione në vlerë prej 11,891,328.14 euro.

Prej kësaj shume, pagesa direkte për sipërfaqe për personat fizik,  të cilat do të fillojnë të ekzekutohen nga MBPZHR-ja, arrijnë vlerën prej 8,097,061.22 euro, ndërkaq për blegtori 3,102,635.00 euro.

Pagesat po ashtu janë në proces edhe për listën e përfituesve të personave juridik-agrobizneseve në vlerë prej 513,842.57 euro për sipërfaqe të mbjella dhe pagesa direkte për blegtori për këta persona në shumën prej 181,126.70 euro.

Kryeshefi Ekzekutiv i AZHB-së, Ekrem Gjokaj, ka thënë se kjo agjenci gjatë gjithë kohës së procesit vlerësues ka qenë dhe do të jetë transparente, me c’rast i ka informuar fermerët përmes sms-ve dhe vendimeve në e-mail, si dhe përmes ueb-faqes së AZHB-së për rezultatet lidhur me procesin vlerësues.

Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në programin e sivjetmë ka paraparë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për elbin, për thekrën, për luledielli, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për pulari, për bletari, për derrari, për thëllëza, për pemishtet ekzistuese, për perimet në fushë të hapur dhe në serra, për vreshtat ekzistuese, për bujqësinë organike, si dhe për fidanë të pemëve drufrutore dhe hardhi të rrushit.

Po ashtu, subvencionim ka edhe për akuakulturën, therjet e raportuara të gjedhit, për qumështin sipas kategorive të cilësisë dhe për verën e prodhuar dhe të deklaruar zyrtarisht, për primin e sigurimit bujqësor për kulturën bujqësore të mjedrës, si dhe për sasinë e dorëzuar/shitur të duhanit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 Tetor 2020 - Me rastin e Ditës Botërore për të Moshuarit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica do të bëjë një vizitë në Shtëpinë për Persona të Moshuar pa Përkujdesje Familjare në Prishtinë. (Shtëpia për Persona të Moshuar pa Përkujdesje Familjare, ora 9:00)

- Mbahet seanca gjyqësore kundër Faik Grainca për keqpërdorim të pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK. (Gjykata Themelore në Ferizaj, salla nr.3, ora 9:30)

- Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica do të bëjë një vizitë në zyrat e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës në Prishtinë. (Zyrat e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, ora 9:30)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi do të ndajë çmimet vjetore për kinematografi. (Kabineti i ministres Dumoshi, ora 10:00)

- Komisioni Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës voton për ekspertin e shëndetit publik si dhe diskuton me ekspertët rreth angazhimit të tyre. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan nis vitin e ri akademik 2020/2021. (Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, ora 11:30)

- Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu do të merr pjesë në aktivitetin sensibilizues të organizuar nga Drejtoria e Shëndetisë dhe QKMF me rastin e shënimit të muajit të Kancerit të Gjirit. (Sheshi “Shatërvan” në Prizren, ora 11:30)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, do të merr pjesë në përurimin e klasave parashkollore të SHFMU “Mati Logoreci”, të renovuara nga KFOR-it Turk në Kosovë. (Shkolla “Mati Logoreci” në Prizren, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë edhe në fillimin e punimeve të rrugës Arbanë - Landovicë në Prizren. (Në afërsi të varrezave të dëshmorëve në Landovicë, ora 12:30)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në fillimin e punimeve të rrugës Arbanë-Landovicë. (Landovicë, Varrezat e Dëshmorëve, ora 12:30)  

- Kryeministri Avdullah Hoti viziton komunitetin boshnjak në Reçan. (Reçan, ora 13:30)

- Në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e Hysni Gucatit. (https://www.scp-ks.org/sq/transmetim, ora 15:00)

- Kryeshefi Ekzekutiv i Korporates Financiare te Zhvillimit Ndërkombëtar të ShBA-ve, Adam Boehler mban një konferencë telefonike për shtyp në të cilën do të diskutojë sesi delegacioni i fundit i qeverisë amerikane në Greqi, Kosovë, Serbi, Izrael dhe Marok avancoi marrëveshjet ekonomike dhe investimet e sektorit privat për të mbështetur zhvillimin global dhe politikën e jashtme të SHBA. (https://www.eventbrite.com/e/telephonic-press-briefing-with-us-international-development-finance-tickets-123158497381, ora 17:00)