29 Mars 2024

Evropa rrezikohet gjithnjë e më shumë nga pakësimi i ujit

Berlin, 23 mars - Evropa dhe Gjermania po rrezikohen gjithnjë e më shumë nga pakësimi i ujit. Sidomos niveli i ujërave nëntokësore po bie në mënyrë shqetësuese. Për të luftuar problemin nevojiten masa adekuate dhe një riorientim.

Ulja drastike e ujit në Gjermani nuk reflektohet vetëm në rënien e niveleve të përrenjve dhe lumenjve. Ajo bëhet e dallueshme dhe nga pakësimi i lagështisë së tokës, që ka rëndësi sidomos për bujqësinë dhe pyjet. Sigurisht, lagështia e tokës ndryshon shumë në varësi të faktit, nëse ka rënë vazhdimisht shi apo ka qenë një periudhë e gjatë thatësie.

"Por kush mendon se disa ditë me shi të dendur do ta rregullojnë gjendjen, e ka gabim: Edhe nëse për një kohë të gjatë bie shi i madh, gjithnjë e më pak ujë arrin në rezervuarët e ujërave nëntokësorë”.

Sepse duhen shumë muaj, që uji i shiut të hyjë nga sipërfaqja e tokës përmes shtresave të ndryshme të tokës dhe shkëmbinjve, dhe që damarët nëntokësorë ujorë të jenë mbushur sërish pas një periudhe të gjatë thatësie.

Gjendja e rezervuarëve të ujërave nëntokësore matet nga satelitët GRACE-FO (Gravity Recovery and Climate Experiment Follow On), të cilët masin prej 20 vjetësh luhatjet e gravitetit të tokës, që ndryshon nga përmbajtja e ndryshme e ujit.

Ndërsa malet dhe fundi i detit ndryshojnë fare pak, zhvendosja e sasive të mëdha të ujit përmes avullimit, reshjeve, apo rrjedhjes në det ofron të dhëna të dobishme, që studiuesit mund t'i krahasojnë më pas me rezultatet e matjeve të mëparshme nga misioni GRACE dhe me të dhënat e stacioneve tokësore.

"Vlerësimi i të dhënave tregon tendencën negative", thotë Jay Famiglietti nga Global Institute for Water Security.

Përgjegjës për rritjen e mungesës së ujit, nuk është vetëm ndryshimi i klimës. Sigurisht që rritja e temperaturave shkakton rritjen e avullimit. Edhe përdorimi i pakujdesshëm i ujit në shumë vende do të shtojë mungesën e tij.

Sepse edhe pse uji po bëhet gjithnjë e më i pakët, konsumi prej vitesh po shtohet. Nga njëra anë në familjet private e mbi të gjitha në industri dhe në bujqësinë intensive. Sidomos në verërat shumë të thata të viteve të fundit bujqësia ka ujitur gjithnjë e më shpesh, meqë bimët në fusha po thaheshin. Në disa rajone kjo ka shkaktuar vështirësi të konsiderueshme me furnizimin me ujë.

/dw/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)