24 Janar 2019

Bujqësia në gjendjen më të rëndë, paratë e buxhetit për bujqësi po vidhen

Prishtinë, 5 dhjetor - Sot Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës e mbajti konferencën e radhës për media me qëllim sqarimin e një mori problemesh me të cilat po përballen bujqit në vend.

Tahir Tahiri, Kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës ka thënë se këtë herë duhet të konstatojmë se veprimtaria dhe puna e bujqve në tërësi konsiderohet nga institucionet në përgjithësi si veprimtari e punë e fshatit, si e dorës së dytë e të tretë.

Përveç ndonjë deklarate të rrallë askush sipas tij kur flet për ekonominë e zhvillimin nuk flet edhe për bujqësinë.

"I dëgjojmë të flasin në mënyrë abstrakte për prodhimin vendor por nuk i shohim të flasin për masat dhe mbështetjen e bujqve dhe fermerëve në terësi", ka theksuar Tahiri.

Konferenca u mbajt sot para  ndërtesës së Qeverisë për t’ia kujtue Kryeministrit se me 18 dhjetor 2018 bëhet një vit që kur ia kemi bërë një kërkesë për takim e dialog lidhur me këto probleme.    

"Ende nuk morëm kurrfarë përgjigje prej tij. Para një viti bujqësia e Kosovës ishte në gjendje të rëndë, sot është në gjendje edhe më të rëndë", theksoi Tahiria.

Ai ka treguar se kanë kërkuar dialog për t’i tregue Kryeministrit sebuxheti për bujqësi ishte shumë i vogël, ky buxhet është keqpërdorë dhe po keqpërdoret me të madhe në forma të ndryshme.

Po ashtu paratë e buxhetit për bujqësi sipas tij po vidhen me rastin e ndarjes për grande dhe subvencione, aplikuesit për grande dhe subvencione nuk mund t’i marrin ato pa dhënë mito deri në 20% të vlerës së projektit.

Ai po ashtu ka potencuar se ata që marrin grande pa ryshfet, ose janë të afërm të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, ose janë zyrtarë e militantë të partive në pushtet, grandet i marrin ata që më së paku merren me bujqësi, kurse refuzohen edhe doktorët e veterinës dhe agronomët me traditë të gjatë pune në bujqësi.

"Subvencionet jipen edhe me shtatë muaj vonesë, andaj ky është keqpërdorim për vepër penale dhe përgjegjësit duhet të shkojnë në burg për këtë."

"Kriteret për grande dhe subvencione, për shumicën e bujqve janë të papërballueshme, andaj shumica prej tyre heqin dorë nga ato projekte, e lënë punën në bujqësi për të marrë rrugën e gurbetit, dhe si rezultat i kësaj, Kosovën e kanë braktisë rreth 60% e fuqisë punëtore në bujqësi", ka shtuar Tahiri.

Ai ka treguar se sivjet e kanë patur rendimentin më të ultë të grurit (rreth 2500kg/1ha) që prej pas lufte.

Shkaktarë ishte lagështija e stërgjatur në pranverë e cila bëri dëme të mëdha te gruri duke zvoglue në masë të madhe rendimentin, mirepo ishin edhe farat, plehrat dhe pesticidet e kualitetit të dobët që ndikuan në uljen e rendimentit.

Dhe në mungesë të prodhimit vendor të grurit, mullijet tona i mbushen hambaret e tyre me 80% të sasisë së grurit nga importi dhe atë kryekëput nga Serbia.

Karshi këtij problem, Qeveria dhe Ministria e Bujqsisë sipas Federates Sindikale e Bujqve, janë të heshtura dhe nuk po marrin kurrfarë masash mbrojtëse apo ndihmash për humbjet që pësuan bujqit prodhues të grurit, përderisa shtetet e tjera në këso rastesh ndajnë fonde të veçanta për t’i kompensuar 100% dëmet e bujqve.

Bujku i Kosovës shpesh i ekspozohet fatkeqësive të ndryshme natyrore dhe dëmeve të mëdha nga ato, në këto raste Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë bëhet e verbër dhe e shurdhët kurse bujqit i bartin pasojat, nganjëherë fatale për fermerin.

Bujkut tonë i mungojnë këshillat dhe trajnimet për aplikimin e një prodhimtarije intensive bujqësore, bujkut tonë i mungon tregu, si ai i mbrendshmi ashtu edhe e jashtmi për neglizhencën e institucioneve qeverisëse, bujku jonë nuk ka mbrojtje ligjore dhe shëndetsore.

Këta sipas Tahirit flasin çdo ditë për integrimin e Bashkimin Evropian por tema kryesore aty në BE është prodhimi bujqësor dhe blegtoria.

Këta flasin për zbatimin e MSA dhe MSA si arritje e madhe e Qeverive të Kosovës. Po aty tema bazë është prodhimi bujqësor e blegtoral.

"Nëse kudo në dokumentet bazë dhe strategjike të vendit është bujqësia pse nuk është as në buxhetin e vendit dhe pse nuk është në axhendën e Qeverisë asgjëkundi."

"Kjo sjellje e Kryeministrit tregon të vërtetën e tyre të madhe që e mbajnë fshehtë nga publiku. Ata janë me tregtarët e importit jo me bujqit. Përdryshe nuk do ta kishim Rikallon ministër të Bujqësisë", theksoi me tutje Tahiri.

Përderisa shumë shtete të rajonit, BE-së dhe me gjerë, kanë problem me gjetë persona të interesuar që të angazhohen në punët e bujqësisë, në Kosovë personat më të vyer dhe të sinqertë, pra bujqi tanë përjashtohen nga grandet, subvencionet dhe ndihmat në raste fatkeqësie.

Në vazhdim pasoi thatësia e cila filloi nga fundi i korrikut e deri kah fundi i nëntorit, e cila e bëri gati të pamundur për shumicën e bujqve t’i mbjellin kulturat vjeshtore, konkretisht grurin në afatin optimal (prej 1-20 tetor) në sipërfaqet e planifikuara qe zakonish pas lufte mbillen rreth 60.000 mijë ha.

Shirat që filluan me ra me 24-25 nëntor mundësuan që të fillohet me mbjelljen e grurit për t’u ndërpre ato me 28, 29, 30 nëntor dhe sipas të gjitha gjasave vështirë se do të kemi kushte të pershtatshme klimatike për ti realizue planet e mbjelljes së grurit më shumë se 15-20% të sipërfaqeve.

Tahiri theksoi se fushatën e mbjelljeve vjeshtore e kanë vështirësue edhe mungesa e mekanizimit bujqësor modern bashkëkohor, edhe gjendja jashtë funksionale e dy hidrosistemeve, Ibër - Lepencë dhe Radoniq nuk patën mundësi bujqit me ujit arat e planifikuara për t’i përgadit në afatin optimal për mbjellje, edhe çmimi i lartë i farërave, plehrave dhe naftës, mungesa e fuqisë punëtore që ja kanë mësy gurbetit ishin faktor dështues së mbjelljes së grurit.

Për FSBK-ën kjo është një gjendje alarmante, sepse vitin e ardhshëm do të jemi  90% të varur prej importi për sigurimin e bukës për popullatën e Kosovës. Shumë sipërfaqe do të mbesin djerrinë sepse bujqit e Kosovës janë vetëdijsue se arat që mbillen në dhjetor me grurë nuk garantojnë redimente të dëshiruara dhe kështu nuk do të arsyetohen investimet, andaj edhe hjekun dorë  nga mbjelljet  për të mos dështuar ato.

Nga Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë Federata kërkon hapa konkret për zbutjen dhe tejkalimin e kësaj situate të rëndë për bujqit kultivues të drithrave.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 janar 2019  - Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”, i cili po mbështetë Ministrinë e Drejtësisë organizon ngjarjen “Rruga drejt një Kodi Civil modern të Kosovës,”. (Amfiteatri i Madh në ndërtesën e re të Qeverisë, ora 9:30)

- Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova do të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Kodit të ri Civil për Kosovën në Ministrinë e Drejtësisë. (Amfiteatri i Madh në ndërtesën e re të Qeverisë, ora 10:00)

- Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Kosovës organizojnë aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut për nevojat e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut. (Komanda e  Forcave Tokësore të FSK-së, kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 10:00)

- Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj pret në takim kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të cilin do të nënshkruaj marrëveshje bashkëpunimi. (Kabineti i ministrit te Infrastrukturës dhe Transportit, ora 10:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! shënon 100 vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit me homazhe tek shtatorja në Prishtinë. (Prishtinë, ora 10:30)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të diskutohet lidhur me kërkesën e Rektorëve të Universiteteve Publike rreth programeve të pa akredituara. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Me rastin e 90 vjetorit të lindjes së regjisores së mirënjohur të kinemasë shqiptare Xhanfise Keko, nën patronatin e Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës së Shqipërisë, do të shfaqet premierë filmi dokumentar "Koha e pelikulës" i regjisorit Mevlan Shanaj, dedikuar artistes që ia kushtoi krijimtarinë, botës së madhe të fëmijëve të vegjël. (Kino ABC, ora 11:00)
 
- Kryeministri Ramush Haradinaj vizitë pune në ndërmarrjen “Fox Marble”. (Fshati Poturovc në Lipjan, ora 12:30)

- Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, do të mbajë mbledhjen e radhës, në të cilën do te shqyrtohet draft-Planit të punës së Komisionit për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N-302, ora 13:00)

- Mbahet takimi i përbashkët i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Objekti i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rr. “Luan Haradinaj”, ora 14:30)

- Jepet shfaqja “I vetëm në banesë” i autorit gjilanas Avni Shkodra, me regji të Natyra Kallabës, kurse do të luajnë aktorët e Tetarit të Gjilanit. (Teatri i qyteti te Gjilanit, ora 19:00)