19 Janar 2022

Arrestohen 31 persona për rastin e Subvencioni 2021

Prishtinë, 3 dhjetor - Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, përkatësisht Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike, kanë realizuar një aksion i cili është vazhdim i aksioneve të mëhershme për  rastin Subvencioni 2021,  në disa lokacione të ndryshme të Kosovës.

Prokuroria Speciale njofton se nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsejtë tridhjetenjë (31) persona, prej tyre dymbëdhjetë (12) zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK.  

Ndërkaq, aksioni është zhvilluar në komunat: Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri dhe Podujevë.

Përderisa, nëntëmbëdhjetë (19) persona janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve. Përfituesit e subvencioneve janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me subvencione.

Personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Dhënie e ryshfetit”, “Mashtrim me Subvencione’’, si dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Gjithashtu, gjatë afateve kohore ligjore Prokuroria Speciale do të bëjë kërkesë për caktim e masës së paraburgimit të personave të cilët janë ndaluar nga aksioni i sotshëm.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 janar 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Banesore, shqyrton raportin e grupit punues në lidhje me zbatimin e mbikëqyrjes së Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe NED-it mban konferencë për media në të cilën do të prezantohet analiza me titull “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft raportin e monitorimit të Ligjit për Shëndetin Mendor dhe diskuton për punën e Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. . (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike inicon procedurat lidhur me auditimin e raporteve vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës, së subjekteve politike, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)
 
- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- The British School of Kosova organizon shfaqjen edukativo - arsimore për fëmije  "Mushkonjat dhe Princi". (Teatri "Faruk Begolli" në Kolegjin AAB, ora 11:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës mban ceremoninë e themelimit të 22 vjetorit të saj në të cilën do të marrin pjesë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe drejtues nga odata ekonomike, përfaqësues nga institucionet ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga organizatat e kontabilitetit. (Qendra e Shërbimit për Tatimpagues, ish-ndërtesa e Gërmisë, sheshi Skënderbeu, ora 14:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' hapet ekspozitë memoaresh e kujtimesh "Dhoma e Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit". (Muzeu Etnologjik i qyteti të Gjilanit, ora 16:00)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj tubim me qytetarë ku do të shpaloset Manifesti - dokumenti i parë i partisë. (Hotel Grand, ora 17:00)