18 Prill 2024

Aktivizimi i sistemit mbrojtës për vreshtat i nevojshëm për Rahovecin

Rahovec, 4 korrik - “Krijimi i Zonës Ekonomike në Komunën e Rahovecit është lajm i mirë për bizneset e kësaj komune, për zhvillimin ekonomik, por edhe për të punësuarit”, kështu ka deklaruar kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë vizitës që i bëri disa fshatrave të Komunës së Rahovecit.

I shoqëruar nga kryetari i Komunës, Smajl Latifi, kryeministri Haradinaj, ka vizituar Zonën Ekonomike mbi Opterushë, e cila me vendim të Qeverisë është shpallur zonë e lirë ekonomike, me qëllim që të ndihmoj në zhvillimin ekonomik të kësaj ane përmes ofrimit të lehtësirave për bizneset të cilat veprimtarinë e tyre do ta zhvillojnë në këtë zonë të lirë ekonomike dhe me mundësinë e hapjes së vendeve të reja të punës.

Kryeministri Haradinaj, gjithashtu ka vizituar edhe palestrën e sportit në Rahovec për të parë nga afër punimet të cilat janë në përfundim e sipër, për ta vazhduar vizitën te vreshtat e dëmtuara nga breshëri, në fshatin Fortesë-Pataqan i Poshtëm si dhe dëmet që i janë shkaktuar nga breshëri fermerit Ismajl Morina nga fshati Gexhë, në rreth 10 hektarë tokë të mbjellura, derisa në fund të qëndrimit të tij në Rahovec, kryeministri Haradinaj vizitoi përroin në mes fshatrave Krushë e Madhe-Celinë.

“Qeveria e vendit do të përshpejtojë dhënien e subvencioneve që të paktën t’iu dalë në ndihmë fermerëve të kësaj ane dhe banorët e Rahovecit do ta kenë përkrahjen e qeverisë për realizimin e të gjitha projekteve me rëndësi për qytetarët e kësaj Komune”, tha Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se është e dhimbshme për gjithë këto dëme të shkaktuara nga breshëri dhe vërshimet dhe se të gjithë duhet të angazhohemi për t’i trajtuar këto probleme dhe këto sfida.

Më tej, kryeministri Haradinaj, tha se nga kryetari Latifi ka pranuar raportin i cili përmban të dhënat për dëmet e shkaktuara, që kap shifrën e miliona eurove.

“Do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë e mbrojtjes nga breshëri, sepse është vështirë që t’iu dalim përballë dëmeve financiare nëse situata të ngjashme përsëriten nga viti në vit”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj foli edhe për rëndësinë që ka krijimi i zonës ekonomike dhe për përmbylljen e projektit të palestrës sportive.

Kryetari Smajl Latifi, ka falënderuar kryeministrin dhe qeverinë për përkrahjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Komunës për krijimin e Zonës Ekonomike në Rahovec për herë të parë, pas 17 vjetësh kërkesave të vazhdueshme.

Me këtë rast, kryetari Latifi tha se komunës që ai drejton i janë shkaktuar dëme në bujqësi, amvisëri dhe infrastrukturë publike.

“Kërkojmë ndihmën e qeverisë për trajtimin e veçantë të përroit problematik mes fshatrave Krushë e Madhe dhe Celinë, i cili po kërcënon jetën e banorëve dhe të amvisërisë në këto fshatra”, tha kryetari Latifi.

Kryeministri tha se do të vazhdojë vizitat në të gjitha komunat, për të punuar me kryetarët e komunave në zgjidhjen e problemeve me të cilat ato përballen.

 .

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)