24 Janar 2019

Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë fillon vlerësimin e 1642 projekteve bujqësore

Prishtinë, 7 qershor - Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka filluar procesin e vlerësimit të 1,642 projekteve bujqësore të fermerëve dhe agrobizneseve vendore, të cilat presin mbështetje përmes masave mbështetëse të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të vitit 2018.

Me rastin e fillimit të këtij procesi, ministri i MBPZHR-së, Nenad Rikalo bashkë me U.d e Kryeshefit Ekzekutiv të AZHB-së, Ekrem Gjokaj, kanë mbajtur një konferencë për media, me ç‘rast edhe kanë treguar se Ministria e Bujqësisë, përveç se ka rritur buxhetin për Programin për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural të vitit 2018, e ka rritur edhe transparencën në procesin e vlerësimit të projekteve bujqësore, si dhe ka krijuar lehtësira në disa kritere për aplikim për fermerët.

Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo, ka thënë se për Programin për Bujqësi dhe Zhvillim 2018, si dhe për masat tjera për investime në infrastrukturën rurale dhe për investimet në zonat e thella rurale, MBPZHR-ja ka planifikuar një buxhet prej 27 milionë euro.

“Mund të ju them se prej fillimit të hartimit të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2018 jemi u munduar që të përfshijmë sa më shumë akter në përpilimin e tij, duke krijuar në këtë mënyrë edhe shumë lehtësira për fermerët, të cilët aplikojnë për të përfituar grante investive."

"Po ashtu në këtë proces një punë shumë të mirë e ka bërë edhe Departamenti për Politika të Zhvillimit Rural. Prandaj, duke pasur parasysh gjitha këto, besoj që implementimi i këtij programi do të jap rezultate konkrete në zhvillimin ekonomik të vendit”, theksoi ministri Rikalo.

Ai po ashtu, ka treguar se procesi për implementimin e këtij programi, që nga fillimi deri në mbarim do të jetë i hapur dhe transparent dhe për këtë shtoi se do të përkushtohen maksimalisht në çdo kohë.

Gjithashtu, ministri Rikalo ka njoftuar se krahas këtyre programeve aktuale, tashmë janë afër nënshkrimit të një marrëveshje me USAID-in për financimin e projekteve të përbashkëta bujqësore për sektorin e pemëve të imta dhe sektorin e bimëve mjekësore dhe aromatike, e që sipas tij ky do të jetë një program shumë atraktiv dhe i kapshëm për fermerët e vendit.

Në anën tjetër, U.d i Kryeshefit Ekzekutiv të AZHB-së, Ekrem Gjokaj, ka njoftuar se organi implementues i Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, i ka ndërmarrë të gjitha masat që gjatë tërë kohës të ketë një vlerësim të drejtë dhe transparent.

“Ky vit dallon prej viteve tjera, jo vetëm, për shkak të ndërrimit të strukturës organizative, por edhe mënyrës së përgatitjes së Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, pasi në të jemi munduar të përfshijmë të gjitha kërkesat që i kemi marrë nga fermerët."

"Po ashtu ne do të jemi të hapur gjatë gjithë kohës në shërbim të fermerëve dhe palëve tjera me interes duke përfshirë edhe shoqërinë civile, ku kjo po dëshmohet edhe sot ku po demonstrojmë edhe fillimin e procesit të vlerësimit të aplikacioneve të granteve live para mediave dhe shoqërisë civile, gjë që nuk është bërë më parë”, ka thënë Gjokaj.

Programi i këtij viti, sipas tij do të shkojë në favor të zhvillimit bujqësor të vendit, gjë që do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Me këtë rast, ekipi vlerësues i projekteve të zhvillimit rural, para të pranishmëve në konferencën për media, kanë demonstruar në mënyrë të detajuar dhe transparente procesin  e vlerësimit të aplikacioneve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 janar 2019  - Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”, i cili po mbështetë Ministrinë e Drejtësisë organizon ngjarjen “Rruga drejt një Kodi Civil modern të Kosovës,”. (Amfiteatri i Madh në ndërtesën e re të Qeverisë, ora 9:30)

- Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova do të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Kodit të ri Civil për Kosovën në Ministrinë e Drejtësisë. (Amfiteatri i Madh në ndërtesën e re të Qeverisë, ora 10:00)

- Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Kosovës organizojnë aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut për nevojat e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut. (Komanda e  Forcave Tokësore të FSK-së, kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 10:00)

- Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj pret në takim kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të cilin do të nënshkruaj marrëveshje bashkëpunimi. (Kabineti i ministrit te Infrastrukturës dhe Transportit, ora 10:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! shënon 100 vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit me homazhe tek shtatorja në Prishtinë. (Prishtinë, ora 10:30)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të diskutohet lidhur me kërkesën e Rektorëve të Universiteteve Publike rreth programeve të pa akredituara. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Me rastin e 90 vjetorit të lindjes së regjisores së mirënjohur të kinemasë shqiptare Xhanfise Keko, nën patronatin e Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës së Shqipërisë, do të shfaqet premierë filmi dokumentar "Koha e pelikulës" i regjisorit Mevlan Shanaj, dedikuar artistes që ia kushtoi krijimtarinë, botës së madhe të fëmijëve të vegjël. (Kino ABC, ora 11:00)
 
- Kryeministri Ramush Haradinaj vizitë pune në ndërmarrjen “Fox Marble”. (Fshati Poturovc në Lipjan, ora 12:30)

- Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, do të mbajë mbledhjen e radhës, në të cilën do te shqyrtohet draft-Planit të punës së Komisionit për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N-302, ora 13:00)

- Mbahet takimi i përbashkët i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Objekti i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rr. “Luan Haradinaj”, ora 14:30)

- Jepet shfaqja “I vetëm në banesë” i autorit gjilanas Avni Shkodra, me regji të Natyra Kallabës, kurse do të luajnë aktorët e Tetarit të Gjilanit. (Teatri i qyteti te Gjilanit, ora 19:00)