22 Tetor 2019

Administrimi i tokës në favor të politikave të gjelbra

Seul, 27 shtator - Agjencia Kadastrale e Kosovës e udhëhequr nga Kryeshefi i saj Ekzekutiv z. Avni Ahmeti i shoqëruar nga bashkëpunëtorë nga fusha e kadastrës dhe teknologjisë së informacionit, ka përfunduar vizitën pesëditore në Seul, Republika e Koresë. Qëllimi i qëndrimit në Kore ishte participimi në konferencën ndërkombëtarë kushtuar krijimit të politikave dhe ambienteve të gjelbra si pjesë e administrimit të tokës, “Korea Green Inovation Days” (Ditët e inovacionit të gjelbër në Kore). Në kuadër të aktiviteteve përveç atyre të ndërlidhura me konferencën, ekspertët e AKK-së kishin mundësi të mbajnë takime me prijës të institucioneve të interesit nga fusha e kadastrës, administrimit të tokës, infrastrukturës së të dhënave hapësinore, e-qeverisjes e ngjashëm. Në mesin e takimeve më të rëndësishme ishin ato me institucionin homolog në fushën e kadastrës, Agjencia për mirëmbajtjen e Regjistrave Pronësor dhe për Kadastër (LX), me Agjencinë Shtetërore për Informacione Hapësinore, Agjencinë Shtetërore për e-Qeverisje si dhe Agjencinë Shtetërore për Banim dhe Tokë. Të gjitha këto takime, pos për prezantime të përgjithshme të aktiviteteve të ndërsjella, u shfrytëzuan edhe për vendosjen e bazave për një bashkëpunim konkret në të ardhmen, përfitimet nga i cili bashkëpunim nuk do të ishin vetëm të përveçme për AKK-në, por të përgjithshme për shumicën e institucioneve në fushëveprimin e të cilëve bie mbrojtja e ambientit dhe krijimi i politikave të gjelbra.

Po ashtu, z. Ahmeti kishte edhe një takim të rëndësishëm me udhëheqës të lartë të Bankës Botërore, respektivisht me z. Jorge Munoz, Udhëheqës i Njësisë së Bankës Botërore për Administrim të Tokës dhe Infrastrukturë të të Dhënave Hapësinore me të cilin diskutuan rreth bashkëpunimit intensiv e disa vjeçar mes Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Bankës Botërore.

Z. Ahmeti falënderoi z. Munos për përkrahjen e vazhdueshme si financiare po ashtu edhe profesionale, ndërsa theksoi se ekspertët e AKK-së janë duke u transformuar nga absorbues të njohurive në shpërndarës të tyre. Në këtë takim, z. Munos u zotua se përkrahja do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërsa u shpreh i kënaqur nga rezultatet e arritura nga përkrahja e deritanishme e Bankës Botërore.

Ndërsa, si pjesë kryesore e aktiviteteve, respektivisht pjesëmarrja në konferencën për politika të gjelbra, e mbajtur me datat 26 dhe 27 shtator, Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti ishte panelist në sesionin kushtuar transformimit të shteteve në zhvillim dhe orientimi i tyre kah përkrahja e politikave të gjelbra. Në fjalën e tij, z. Ahmeti përmendi reformat e planifikuara në kadastër, respektivisht krijimin e  Ligjit të ri për Kadastër, draftimin e Ligjit për IKIH (infrastrukturës kombëtare e të dhënave hapësinore), amandamentimin e 12 Udhëzimeve Administrative në fushën e kadastrës, regjistrimit të të drejtave pronësore, e ngjashëm si dhe u zotua që në planifikimet e ardhshme, projekteve që mund të kenë efekt në ambient të u kushtohet rëndësi më e veçantë. Po ashtu, z. Ahmeti ofroi kanalet për komunikim që ka zhvilluar AKK, si Gjeoportali shtetërorë, të shfrytëzohen për promovimin e politikave, produkteve dhe shërbimeve në mbrojtje të ambientit. Përndryshe në konferencën e organizuara nga Banka Botërore, morën pjesë përfaqësues nga dhjetëra institucione nga e tërë bota, me mbi 200 pjesëmarrës.  
 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 tetor 2019 - Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, do të vizitojë Shkollën Fillore të Mesme të Ulët "Eqrem Qabej" në Mitrovicë, ku do të takoj drejtoreshën e kësaj shkolle, Remzije Alidemaj, për të parë procesin e zhvillimit të Garës Nacionale në Sport dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik. (Objekti i shkollës, ora 9:50)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa të Komunës së Mitrovicës. (Salla e mediave të Komunës së Mitrovicës, ora 10:00)

- Mbahet dita e parë e panairit ndërkombëtar të Agrobiznesit dhe Ushqimit AGROKOS. (Salla 1 Tetori, ora 10:00)

- Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosova organizon ceremoninë inauguruese të Punëtorisë “Made in Kosova”. (SOS Fshatrat e Fëmijëve në Prishtinë, Rr. 1 Tetori p.n, Velani, ora 11:00)

- Organizatat joqeveritare Community Building Mitrovica, Mundësia, 7 Arte, Civil Development Organisation, Iniciativa Qytetare Skenderaj organizojnë konferencën e përbashkët të në të cilën do të prezantohet Raporti i monitorimit të aktivitetit të prokurimit: Qendra e riciklimit industrial për mbeturinat paraprakisht të klasifikar ose të përziera.  (Community Building Mitrovica, pas ëmbëltorës “Ballkan, ora 11:00)

- Lansohet platforma digjitale në rajon me koncept të "ekonomisë së përbashkët" e cila ju mundëson individëve të përfitojnë nga mjetet e tyre motorike duke i lëshuar ato me qira, si dhe personave të interesuar të marrin makina motorike me qira me cmime më të arsyeshme se nga format trandicionale të makinave me qira. (Objekti i Inovation Center of Kosova, ora 11:00)

- Bëhët promovimi i librit "Me Mall dhe Lot nga Stambolli" të autorit Hamdi Thaqi dhe Nazife Prebreza- Thaqi, që flitet për shpërnguljen e familjes Prebreza nga Toplica. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Agjencia Kosovare e Privatizimit mban ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit nr.51. (Hoteli Grand, ora 12:30)

- Takohen dy grupet punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. (Selia e LDK-së, “Qafa”, ora 15:00)

- Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës me në ceremoni solemne shënon vitin e 10-të Jubilar Gjyqësor. (Hotel Emerald, ora 17:00)