23 Janar 2019

89 gjoba për ndotësit gjatë muajit nëntor

Prishtinë, 24 dhjetor - Në kuadër të aktiviteteve të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, Let’s Do It ka bërë monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore nga insektorët komunal mjedisor.

Bazuar në të dhënat e monitorimit, rezulton se gjatë muajit nëntor në të gjitha komunat e Kosovës janë shqiptuar 89 gjoba mandatore për ndotësit.

Komuna e Prishtinës i prin listës së komunave me më së shumti gjoba të shqiptuara, gjithsej 35, pasuar nga Komuna e Vushtrrisë ku janë shqiptuar nëntë gjoba nga inspektorët mjedisor.

Me nga shtatë gjoba të shqiptuara lista vazhdon me Komunën e Gjakovës dhe atë të Malishevës, pasuar nga Komuna e Prizrenit me pesë gjoba të shqiptuara për ndotësit, derisa në Komunën e Pejës, të Istogut dhe atë të Obiliqit janë shqiptuara nga katër gjoba për ndotje të mjedisit. Në Komunën e Vitisë janë shqiptuar vetëm dy gjoba gjatë muajit nëntor, ndërsa tri të tilla kanë qenë në Komunën e Kamenicës.

Por, asnjë gjobë e vetme nuk është shqiptuar në komunat, si: Rahoveci, Fushë Kosova, Skenderaj, Podujeva, Mitrovica, Ferizaj, Kaçanik, Hani i Elezit, Klina, Deçani, Juniku, Shtimja, Lipjani, Drenasi dhe Dragashi. Përderisa, në Komunën e Gjilanit dhe atë të Suharekës është shqiptuar vetëm nga një gjobë për ndotësit.

Nga të dhënat e monitorimit rezulton se lloji më i shpeshtë i gjobave të shqiptuara ishte ai për hedhjen e mbeturinave dhe materialeve ndërtimore jashtë vendeve të caktuara.

Gjatë monitorimit për muajin nëntor, të kryer nga Ekipi i Let’s Do It, rezulton se sfidë për zbatimin e Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore vazhdon të mbetet mospajisja e Policisë së Kosovës me tiketa të gjobave mandatore si dhe mungesa e inspektorëve mjedisor në disa prej komunave.

Udhëzimi Administrativ për Gjoba Mandatore është nënshkruar gjatë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, dhe ka synim reduktimin dhe eliminimin e ndotjës së mjedisit dhe shëndetin e njeriut, mbrojtjen e sipërfaqeve publike dhe private përmes menaxhimmit të mbeturinave. 

Let’s Do It ju njofton se monitorimi i zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore do të vazhdojë edhe muajve në vijim, kur edhe do të bëhen publike të gjitha të dhënat.

Po ashtu, gjatë muajit janar do të mbahet Konferenca Përmbyllëse e Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, në të cilën do të bëhet prezantim i rezultateve të Fushatës, përfshirë edhe të dhënat e zbatimit të këtij Udhëzimi që u nënshkrua më 17 tetor, ndërsa ka hyrë në fuqi shtatë ditë pas nënshkrimit.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 janar 2019 - Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”, i cili po mbështetë Ministrinë e Drejtësisë organizon ngjarjen “Rruga drejt një Kodi Civil modern të Kosovës,”. (Amfiteatri i Madh në ndërtesën e re të Qeverisë, ora 9:30)

- Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova do të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Kodit të ri Civil për Kosovën në Ministrinë e Drejtësisë. (Amfiteatri i Madh në ndërtesën e re të Qeverisë, ora 10:00)

- Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Kosovës organizojnë aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut për nevojat e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut. (Komanda e  Forcave Tokësore të FSK-së, kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 10:00)

- Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj pret në takim kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të cilin do të nënshkruaj marrëveshje bashkëpunimi. (Kabineti i ministrit te Infrastrukturës dhe Transportit, ora 10:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! shënon 100 vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit me homazhe tek shtatorja në Prishtinë. (Prishtinë, ora 10:30)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të diskutohet lidhur me kërkesën e Rektorëve të Universiteteve Publike rreth programeve të pa akredituara. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Me rastin e 90 vjetorit të lindjes së regjisores së mirënjohur të kinemasë shqiptare Xhanfise Keko, nën patronatin e Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës së Shqipërisë, do të shfaqet premierë filmi dokumentar "Koha e pelikulës" i regjisorit Mevlan Shanaj, dedikuar artistes që ia kushtoi krijimtarinë, botës së madhe të fëmijëve të vegjël. (Kino ABC, ora 11:00)
 
- Kryeministri Ramush Haradinaj vizitë pune në ndërmarrjen “Fox Marble”. (Fshati Poturovc në Lipjan, ora 12:30)

- Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, do të mbajë mbledhjen e radhës, në të cilën do te shqyrtohet draft-Planit të punës së Komisionit për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N-302, ora 13:00)

- Mbahet takimi i përbashkët i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Objekti i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rr. “Luan Haradinaj”, ora 14:30)