19 Prill 2024

Xhuda: Kosova do t’i vihet si kusht Serbisë për në BE

Prishtinë, 18 mars - “Njohja e pavarësisë së Kosovës do t’i vihet si kusht Serbisë vetëm kur ajo të ndodhet para dyerve të Bashkimit Europian. Por, tani ju nuk jeni në një pozitë të tillë. Ajo që ju thonë se njohja e Kosovës nuk është kusht që Serbia të anëtarësohet në BE, është një mënyrë që problemi momentalisht të lihet mënjanë”.

Ky është mendimi që një nga ekspertët dhe njohësit më të mirë perëndimorë të rrethanave ballkanike, gazetari i njohur britanik, Tim Xhuda, i shprehu ditët e fundit gazetës së përditshme serbe “Danas”, duke folur për trekëndëshin Serbi-Kosovë-BE.

“Tani për tani, nuk ka arsye të merremi me këtë çështje, sepse ka gjëra të tjera për të bërë, deri sa kjo çështje të vihet në rendin e ditës”, theksoi Xhuda, ndërkohë që vërejtjes së gazetës së lartpërmendur se shtyrja e problemit nuk është mënyrë për zgjidhjen e tij, ai iu përgjigj:

 “Jam dakord, por nuk i takon BE-së që ta zgjidhë këtë problem. Zgjidhjen duhet ta gjejnë Serbia e Kosova dhe mos prisni që nga Brukseli do t’ju vijë ndonjë recetë e gatshme”. Pyetjes nëse mund të gjendet ndonjë zgjidhje konstruktive për Kosovën që do të kënaqte të dyja palët (Serbinë dhe Kosovën), gazetari britanik me përvojë iu përgjigj, duke vënë në dukje se “në këtë moment nuk shoh ndonjë zgjidhje të tillë. Më mirë do të jetë sikur të gjendet ndonjë mënyrë për realizimin e jetës së përbashkët të serbëve dhe të shqiptarëve në Kosovë. Sa i përket ndonjë zgjidhjeje afatgjatë, dyshoj se ka ndonjë që mund ta dijë sesi do të jetë ajo”, tha ai.

Lidhur me atë që zyrtarët e lartë të BE-së i thonë Serbisë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është kusht për anëtarësimin e saj në BE, por se ata insistojnë te bashkëpunimi rajonal në Ballkan dhe nëse ky bashkëpunim mos ndoshta është një hap drejt njohjes nga ajo (Serbia) të pavarësisë së Kosovës, Tim Xhuda theksoi se nuk mendonte se bashkëpunimi rajonal është një hap në rrugën drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm për njerëzit në Serbi, Kosovë dhe rajon. Askush në BE nuk do që të importojë probleme që vijnë si pasojë e mungesës së bashkëpunimit. Qipro tashmë po u shkakton dhembje kohe zyrtarëve europianë, kështu që vështirë se do të gjendet dikush që do të donte probleme suplementare.

Kurse pyetjes se deri në çfarë mase Kosova përbën pengesë për Serbinë në procesin e integrimet të saj europian, gazetari i njohur britanik iu përgjigj:

“Kosova është problem, por nuk e di sesi ai do mund të kualifikohet dhe sesa pengesë e madhe është midis pengesave të tjera që ka përpara Serbia dhe me të cilat duhet të përballet. Megjithatë, herët ose vonë, problemi kosovar duhet të zgjidhet. Sidoqoftë, ekziston një ndryshim mes problemit kosovar dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës. Sikurse e dini, Republika e Irlandës dhe Britania e Madhe prej shumë vitesh janë anëtare të BE-së, megjithëse Irlanda prej një kohe të gjatë nuk ka pranuar se Irlanda e Veriut është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar. Gjithnjë ka mënyra që këto probleme të tejkalohen. Duhet të merren në konsideratë shembuj të ndryshëm. Ai i Irlandës është i mirë, ndërsa shembulli i Qipros është i keq”, theksoi Tim Xhudi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)