28 Mars 2024

Vojisllav Sheshel shpallet përfundimisht kriminel lufte

Hagë, 30 nëntor - Gjykata e Tribunalit të Hagës për krime në ish-Jugosllavi ka konfirmuar më në fund vendimin në procesin kundër Sheshelit. Ai dënohet përfundimisht për krime.

Vojislav Shesheli është dënuar përfundimisht për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndonëse në shkallën e parë ishte shpallur i lirë ndaj akuzave për krime në Bosnjë-Hecegovinë, Kroaci dhe Vojvodinë. Ditën e fundit të marsit 2016, ai ishte shpallur i pafajshëm dhe ishte liruar nga gjykatësi francez Jean-Claude Antonetti.

Në shpjegimin e vendimit Antonetti tha se Shesheli "nuk ishte udhëheqës i vullnetarëve të partisë së tij, Partia Radikale Serbe, sepse ata kanë qenë nën komandën e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ)". Gjykata asokohe konstatoi se nuk ka ndonjë lidhje konkrete mes "gjuhës së urrejtjes" së Sheshelit me krimet e bëra.

Dy gjykatës të trupit gjykues - kryesuesi Antonetti dhe gjykatësi nga Senegali Niang – ishin të mendimit se Shesheli është i pafajshëm. Ndërsa anëtarja e tretë e trupit gjykues, italinja Flavia Lattanzi kundërshtoi rreptë këtë vendim duke thënë se "vendimi lirues për Sheshelin është një gabim i madh dhe i pavlefshëm".

Prokuroria e mllefosur me këtë vendim, menjëherë është ankuar, sepse ajo ka paraqitur dëshmi për përgjegjësinë e Sheshelit për krime, vrasje, përndjekje dhe propagandë kundër myslimanëve. Me gjuhën e tij të urrejtjes, Shesheli ka nxitur drejtpërdrejt krimet e bëra në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci. Në Kroaci gjatë luftës janë vrarë 20.000, ndërsa në B-H mbi 100.000 persona. 72 dëshmitarët e nxjerrë në procesin kundër Sheshelit para Tribunalit të Hagës për krime në ish-Jugosllavi, kanë paraqitur shumë argumente për përgjegjësinë e Sheshelit për krimet e bëra nga Lëvizja çetnike serbe, të cilën ka udhëhequr ai në B-H, Vukovar, Bijeljinë, Brçko, Nevesinje, në afëri të Mostarit dhe në zonën e Sarajevës. Prokuroria kishte kërkuar denim prej 28 vjet heqje lirie.

Ndaj prokuroria është ankuar menjëherë dhe ne rishqyrtimin e rastit në dhjetor të vitit të kaluar (2017), ajo pohonte se Shesheli mban përgjegjësi për krimet dhe se në procesin e parë këto dëshmi nuk janë marrë parasysh. „Këtu bëhet fjalë për mosrespektimin fundamental të detyrës së gjykatësit", tha Serge Brammertz në procesin e përsëritur. Trupi gjykues në shkallën e dytë konstatoi se "asnjë trup i arsyeshëm gjykues nuk ka mundur të konstatojë se Shesheli nuk është përgjegjës për krime lufte dhe krime kundër njerëzisë". Ndërsa prokuroria pohonte se Shesheli është përgjegjës për përndjekje, deportim dhe zhvendosje të dhunshme në B-H dhe Kroaci.

Gjykatësit me 11 prill të këtij viti kanë dënuar Vojisllav Sheshelin me 10 vjet heqje lirie - sipas akuzave për përndjekje, deportim dhe vepra të tjera johumane, si pjesë e krimeve kundër njerëzimit, të kryera në vendin Hrtkovci në Vojvodinë. Por edhe në këtë proces gjykatësit e kanë liruar Sheshelin ndaj akuzave për krime në B-H dhe Kroaci. Shesheli ka kërkuar të ankohet ndaj këtij vendimi, por vendimi tani është përfundimtar: Vojisllav Shesheli denohet për krime lufte me 10 vjet heqje lirie. Këtë denim ai e ka vuajtur në kohën sa ka qenë në paraburgim në Hagë. Por ky vendim nuk mund të ndryshojë më. Ai është përfundimtar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)