15 Nëntor 2019

Shqipëria e fundit në Ballkan për kujdesin ndaj grave

Tiranë, 24 tetor - Shqipëria renditet e fundit në Ballkan sa i takon mbrojtjes dhe mirëqenies së grave, sipas një studimi global të sapo publikuar.

Indeksi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2019/20 e rendit Shqipërinë në vendin 57 midis 167 shteteve, të krahasuar në 11 tregues mbi cilësinë e jetës së grave.

ndeksi u përgatit nga Instituti i Universitetit Georgetown për Gratë, Paqen e Sigurinë si dhe Instituti i Oslos për Kërkime mbi Paqen.

Ai mati në mënyrë të krahasuar treguesit e mirëqenies ekonomike, sociale, politike të grave, ligjet dhe diskriminimin, si dhe sigurinë e grave në familje, komunitet dhe në shoqëri.

Shqipëria raportohet në të 11 treguesit e Indeksit me pikë dhe përqindje, përkatësisht: Shkollimi 9.8 pikë, përfshirja financiare 38.1, punësimi 46.4, përdorimi i celularëve 86.1, përfaqësimi parlamentar 29.3, mbështetja ligjore 10, paragjykimi gjinor 1.08, diskriminimi në punë 6, dhuna nga partneri 8.2, siguria në komunitet 61.6 pikë, dhunë e organiizuar 0.

Sipas Indeksit të këtij viti, krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka shënuar ndryshime të papërfillshme në shkollimin e grave, paragjykime gjinore, dhunë gjinore dhe përdorim celularësh, si dhe përmirësim në përfshirjen financiare të grave, përfaqësim parlamentar, mbrojtje ligjore dhe siguri në komunitet.

Por këto nuk mjaftuan që të kapërcente në renditje asnjë nga vendet fqinje në rajon.

Maqedonia Veriore renditet 20 vende mbi Shqipërinë në këtë Indeks global, duke raportuar më shumë përfaqësim parlamentar të grave (38.3 pikë), përfshirje financiare (72.9), më shumë siguri të tyre në komunitet (64.9) dhe më pak dhunë nga partneri (3.1).

Indeksi ka të dhëna për Kosovën në 6 prej 11 treguesve të studimit, çka e bëri të pamundur vendosjen e saj në renditjen globale. Sipas treguesve të paraqitur për Kosovën, përfshirja financiare e grave është 43.7 pikë (më e lartë se Shqipëria), përdorimi i celularëve 89.6 (më e lartë se Shqipëria dhe Maqedonia Veriore), mbështetja ligjore 10, diskriminimi në punë 9, dhuna nga partnerët 3.7, ndërsa siguria në komunitet 67.2 pikë (më e lartë se Shqipëria dhe Maqedonia Veriore).

Indeksi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2019/20 hapet me Norvegjinë në vendin e parë dhe mbyllet me Jemenin në vendin e fundit 167.

Autorët e studimit voluminoz theksuan se e kryejnë Indeksin me besimin se “paqja e qëndrueshme mund të vijë përmes përfshirjes, drejtësisë dhe sigurisë për gratë”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 nëntor 2019 - Klinika e Neonatologjisë dhe Shoqata e Neonatologëve të Kosovës, organizojnë Konferencën e I-rë nderkombëtare. (Hotel Garden, ora 9:00)

- Policia e Kosovës në shënim të ditës botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, në bashkëpunim me Këshillin e Sigurisë në Trafikun Rrugor dhe me Shoqatën e Sigurimeve , do të mbaj tryezë për shënimin e kësaj dite. (Salla Orion në Prishtinë në afërsi të Kino ABC, ora 9:30)

- Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë organizon tryezën dhe punëtorinë me temën “Status quo e Zhvillimit të Kërkimit dhe Inovacionit në Kosovë: Ide rreth së ardhmes së K&I në Kosovë”, mbështetur nga Projekti HERAS i cili përkrahet nga Qeveria e Austrisë. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale mban punëtorinë lidhur me “Udhëzuesin për miradministrimin e aktiviteteve minerare dhe mjedisore. (Hotel Amazona, ora 10:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, përmes projektit Interdev 2, organizon një panair me shoqatat e grave prodhuese për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Sipërmarrësisë së Grave. (Qendra Kulturore në Viti, ora 11:00)

- Ministria e Mbrojtjes organizon ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të FSK-së, gjenerata e dytë 2019. (Kazerma 'Adem Jashari' në Komandën e Forcave Tokësore në Prishtinë, ora 11:00)

- Komuniteti artistik organizon takim përkujtimor për regjisoren Arzana Kraja. (Teatri Kombëtar, ora 12:00)

- Organizata ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës organizon ceremoninë e hapjes të minibibliotekës së lagjes Ulpiana. (Te fontana në lagjen Ulpiana, ora 12:00).

- Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, do të nënshkruajë gjashtë Udhëzime Administrative që avancojne fushën e kadastrës dhe regjistrimit të pronës. (Zyret e Agjencisë Kadastrale të Kosoves, ndërtesa e Arkivit të Kosovës, ora 14:00)

- Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi, do të mbajë një konferencë për media në të cilën do të prezantohet raporti nga muaji korrik deri në muajin tetor për Gjykatën Themelore të Gjilanit, së bashku me Degët e saja. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 14:30)

- Mbahet marsh përkujtimor në këmbë nga Lagja Arbëria, rrugës Fehmi Agani deri te Teatri Kombëtar ku do të bëhet ndezja e qirinjve në përkujtim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente në trafikun rrugor. (Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, ora 18:00)

- Mbahet stërvitja e Kombëtares së Kosovës. (Stadiumi ‘Fadil Vokrri’, ora 18:00)

- Galeria e Ministrisë së Kulturës organizn hapjen e ekspozitës individuale të autores Lumjetë Havolli, e titulluar "Is This Me...Or i Do it For You Only!?". (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00)

- Qendra për Informim dhe Përmirësim Social feston hapjen e Linjës telefonike për parandalim të vetëvrasjes "Linja e Jetës" në Kosovë! (Menza Ramiz Sadiku, ora 21:00)