29 Mars 2024

SHBA zgjat emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor

Washington, 20 qershor - Shtëpia e Bardhë e vazhdoi edhe për një vit emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, të shpallur me urdhër ekzekutiv më 26 qershor të vitit 2001.

Në një deklaratë të lëshuar më 18 qershor kujtohet se presidenti amerikan, më 2001, ka shpallur emergjencë kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, për të trajtuar, siç është thënë, kërcënimin e pazakontë ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të SHBA-së, që vjen nga veprimet e personave të angazhuar, ose që ndihmojnë, sponsorizojnë apo mbështesin dhunën ekstremiste në Republikën e Maqedonisë, e cila sot njihet si Maqedoni e Veriut.

Kjo gjendje e emergjencës kombëtare, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, do të trajtonte edhe kërcënimin që sjellin veprimet e atyre që pengojnë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje e Hercegovinë ose Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

Presidenti amerikan e ka ndryshuar këtë urdhër në vitin 2003, për të marrë hapa shtesë "lidhur me aktet që pengonin zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001, në lidhje me Maqedoninë", thuhet në deklaratë.

"Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor, përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetin pengues, vazhdojnë të përbëjnë kërcënim të pazakontë për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara."

"Për këtë arsye, emergjenca kombëtare, e shpallur më 26 qershor, 2001, dhe masat e miratuara në atë datë dhe më pas, për t'u marrë me këtë emergjencë, duhet të mbeten në fuqi përtej 26 qershorit, 2019", thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, ku po ashtu saktësohet se emergjenca kombëtare do të zgjatet edhe për një vit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)