14 Dhjetor 2018

SHBA vazhdon mbështetjen e Kosovës në të gjitha fushat zhvillimore

Washington, 28 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qëndruar në Senatin Amerikan, ku ka takuar Senatoren amerikane nga shteti i Iowa-s, Joni Ernst.

Në këtë takim Kryeministri Haradinaj ka biseduar për aktualitetin politik në Kosovë dhe për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Fillimisht, kryeministri Haradinaj e ka falënderuar Senatoren Ernst për mbështetjen e parezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në veçanti të shtetit të Iowa-s dhënë Kosovës, në të gjitha periudhat e shtetndërtimit, të zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit.

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Senatoren Ernst për progresin e Kosovës, prioritetet e Qeverisë, për sundimin  e rendit dhe ligjit, për hapat e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës në krijimin e një klime të favorshme për zhvillimin e biznesit, për përmbushjen e Agjendës së Konsolidimit ndërkombëtarë të vendit dhe reformave të gjithanshme në funksion të përmirësimit dhe të rritjes së mirëqenies sociale për qytetarët e Kosovës.

"Marrëdhënia bilaterale që Kosova e ka me shtetin e Iowa-s, është dëshmia më e mirë e miqësisë së përjetshme që Kosova e ka me ShBA-të. Jemi falënderues për përkrahjen që kemi nga populli dhe institucionet amerikane. Ky raport duhet të intensifikohet me bashkëpunimin bilateral në fushën e arsimit dhe ekonomisë", tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast, ka ripërsëritur kërkesën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë të përfshira në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, deri në arritjen e një marrëveshje përfundimtare ligjërisht obliguese për të dy vendet, e cila do t'i kontribuonte paqes dhe stabilitetit në rajon.

Duke vënë theksin në fushën e zhvillimin ekonomik, kryeministri Haradinaj tha se Kosova ka krijuar ambient të përshtatshëm për investimet e huaja direkte, ka miratuar Ligjin për Investime Strategjike, ka krijuar zona të lira ekonomike në të gjithë vendin.

"Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për krijimin e Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane dhe investimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të mirëseardhura në Kosovë", tha kryeministri Haradinaj.

Duke iu referuar vizitës së fundit në Kosovë të një delegacioni nga Iowa, kryeministri Haradinaj tha se janë arritur marrëveshje bashkëpunimi në shumë fusha, si në ekonomi, biznes, arsim dhe në projektet e binjakëzimit dhe kjo është dëshmi e mirë se partneriteti strategjik ndërmjet dy vendeve tona është i një rëndësie të veçantë për Kosovën.

Senatorja, Joni Ernst, gjatë takimit me kryeministrin Haradinaj ka përgëzuar atë dhe institucionet e Kosovës, për të arriturat dhe përkushtimin e tyre në avancimin e agjendës euroatlantike të Kosovës. Ndërkaq, shprehu besimin e saj të plotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të vazhdojnë mbështetjen e Republikës së Kosovës në të gjitha fushat zhvillimore, poashtu edhe në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 14 dhjetor 2018 - Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00) 

- Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2018” mbahet turneu kundër Korrupsion “Kosova Open 2018”. (Kino “Armata”,  ora 10:00)

- Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës organizojnë tryezën "Roli i medias dhe shoqërisë civile në luftimin e korrupsionit". (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Instituti D4D organizon hapjen zyrtare të projektit “Rritja e qasjes së grave në punësim”. (Restorant Tartine Deli, Prishtinë, ora 10:00)

- Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2018” mbahet tryeza me temë "Lufta Kundër Korrupsionit në Ballkan. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Në kuadër të Javës Kundër Korrupsion, Demokraci Plus organizon debatin publik në lidhje me gjetjet e monitorimit të prokurimit publik në Komunën e Prishtinës. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Let's Do It organizon aksion pastrimi në Plemetin të Obiliqt në kuadër të Fushatës "Ta Pastrojmë Kosovën". (Plemetin, ora 11:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe Qendra Tregtare "Plus Center “ organizon hapjen e ekspozimit dhe promovimit të prodhimeve vendore në kuadër të “Javëve të Biznesit Kosovar 2018” me moto: Unë Konsumoj Produkte Vendore, Po JU?. (Objekti i Qendrës Tregtare "Plus Center“ ne Ferizaj, ora 12:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të mbajë ngjarjen përmbyllëse të “Javës Kundër Korrupsionit 2018”, ku do të jenë prezent Ambasadorët e Shteteve Anëtare të QUINT, BE dhe Koalicioni i OJQ-ve. (Përpara Teatrit Kombëtar, ora 15:00)

- Fondi për të Drejten Humanitare organizon ligjëratën publike “Sot, 20 vite më parë: Rasti Panda”. (Qendra e Dokumentimit në bibliotekën Hivzi Sulejmani, rruga “Sadik Bekteshi” nr 16, ora 16:30)

- Federata Kosovare e Atletikës organizon manifestimin sportiv të atletikës "Laureatët e vitit – Gala Athletics2018”. (Miracle Beni Dona, Zona Industriale, ora 18:30)

- Shfaqet drama jokonvencionale e Mark Ravenhill lidhur me dy vëllezër identikë të cilët ritakohen pasi që janë rritur ndarazi më Gjermaninë lindore dhe perëndimore. (Ambienti i fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”, rruga e Muzeu Etnologjik, ora 20:00)