29 Maj 2020

SHBA nuk po ndihmon në zgjidhjen e e mospajtimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Prishtinë, 10 maj - Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke ndihmuar tani sikur dikur në zgjidhjen e mospajtimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo i ka bërë këto komente përgjatë një diskutimi të Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, të kryesuar nga Eliot Engel, rreth autoritarizmit, dezinformimit dhe qeverisjes së mirë gjatë pandemisë me koronavirus.

“Çfarë ka ndodhur, fatkeqësisht, është se tani ka pyetje rreth kufijve dhe asaj se Kosova ka qenë pjesë e Serbisë, mirëpo mendoj se në shumë mënyra, më duhet ta them këtë me keqardhje, se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke ndihmuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje me (presidentin serb, Aleksandar) Vuçiq dhe me atë që serbët kanë tentuar ta zhbëjnë, e që ka pasur për rezultat një spastrim gjenocidal, të cilin e ka dënuar komuniteti ndërkombëtar”, ka deklaruar Albright.

Ajo me këtë deklaratë duket se u është referuar diskutimeve për shkëmbim kufijsh, që fillimisht janë shpërfaqur më 2018.

Edhe Kryetari i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, Eliot Engel ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është duke udhëhequr aktualisht me grusht të hekurt dhe se po bën gjithçka që të dëmtojë demokracinë në Kosovë, duke tentuar të nxisë vendet drejt çnjohjes së shtetësisë së Kosovës.

“Zgjedhjet sapo janë mbajtur në Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara tani duket se janë duke u larguar nga përkushtimi dypartiak që kemi pasur në administratat e kaluara, duke nisur me Clintonin, Bushin dhe të tjerët”, është shprehur ai.

Përgjatë debatit, Engel ka rikujtuar edhe një herë falënderimin e shprehur nga shqiptarët për popullin amerikan.

“Pavarësisht sa shumë mund të udhëtoni, ju nuk mund të gjeni kurrë një vend që përshëndet amerikanët me aq gëzim sikurse kosovarët. Unë kurrë nuk kam parë ndonjë vend që do dhe vlerëson amerikanët dhe është falënderues për atë që kemi bërë më 1999 për të parandaluar gjenocidin para syve të Evropës edhe një herë andaj më thyhet zemra, që në një mënyrë u kemi kthyer shpinën atyre njerëzve”, është shprehur mes tjerash ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 Maj 2020

- Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prizrenit, e thirrur nga kryesuesi i Kuvendit. (Salla e shtëpisë së kulturës "Xhemajli Berisha", ora 10:00)

- Mbahet mbledhje e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, shqyrëtohet  raporti vjetor i përformancës se Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e pestë e rregullt e Kuvendit Komunal të Rahovecit për vitin 2020, në të cilën do të bëhët shqyrtimi i propozim vendimit për bartjen e tejkalimit të të hyrave vetanake nga viti 2019.  (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, në objektin e ri të komunës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e radhës e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Objekti i KGjK-së, ora 14:00)