15 Nëntor 2019

SHBA miraton rezolutë për ndriçimin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi

Washington, 23 tetor - Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, miratoi një rezolutë, me të cilën i kërkohet Serbisë që të vë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, në vitin 1999, ndërsa bën thirrje që përparimi në ndriçimin e këtij rasti të jetë “faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”.

Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, Eliot Engel, tha se kjo çështje ishte e rëndësishme për të, duke pasur parasysh lidhjet me komunitetin shqiptar dhe se ai e njeh personalisht familjen e vëllezërve, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi.

Engel tha se ai e di që autoritetet serbe kanë njohuri se kush janë personat përgjegjës.

"Nëse Serbia do që të bashkohet me perëndimin, ajo duhet të përballet me të shkuarën dhe pranojë përgjegjësinë", tha ai.

Ligjvënësi nga Nju Jorku, Lee Zeldin tha se kjo çështje është ngritur vazhdimisht me autoritetet serbe.

"Dua t'i them Serbisë se ky është një mësim i rëndësishëm, se pas 20 vjetësh ne (Shtetet e Bashkuara) nuk kemi harruar dhe nuk do të harrojmë kurrë. Ne do të këmbëngulim që drejtësia të vihet në vend".

Menjëherë pas miratimit, reagoi vëllai i Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçit, Ilir Bytyçi, duke shprehur vlerësimin e familjes së tij për rezolutën:

"Shpresojmë që i Dërguari i Posaçëm, Matt Palmer dhe i Dërguari i Posaçëm Rich Grenell t'i dëgjojnë këto zëra dhe ta bëjnë përparësi çështjen e vëllezërve Bytyçi dhe drejtësinë për krimet e luftës në punën e tyre. Sot Kongresi tregoi se viktimat nuk mund të injorohen".

Rezoluta ishte miratuar në korrik të këtij viti nga Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve, vetëm pak ditë pas përvjetorit të vrasjes së vëllezërve Bytyçi. Ajo ishte hartuar nga ligjvënësit Eliot Engel dhe Lee Zeldin.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Në muajin korrik të vitit 1999 ata ishin arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.

Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish-Jugosllavisë.

Trupat tyre u gjetën në në një varrezë masive në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë që komandoheshin nga ish gjenerali i policisë serbe, Goran Radosavleviç, i njohur si Guri. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë.

Në Rezolutën e miratuar të martën thuhet se “Shtetet e Bashkuara duhet t’iu kushtojnë vëmendje përpjekjeve të qeverisë së Serbisë dhe ministrave të saj përkatës, si dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët po ndërmarrin hapa për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat që besohet se janë përgjegjës për vrasjen e vëllezërve Bytyçi. Përparimi në zgjidhjen e këtij rasti, ose mungesa e vullnetit, duhet të jenë faktor i rëndësishëm në përcaktimin e zhvillimit të ardhshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”, thuhet mes tjerash në dokument.

Rezoluta u referohet fakteve rreth vrasjes bashkë me përfshirjen e ish zëvendës-ministrit të Brendshëm të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviç dhe Goran Radosavleviçit. Ajo përfshinë edhe premtimet e papërmbushura të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Që nga viti 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.

Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes.

 

/rel/

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 nëntor 2019  - Klinika e Neonatologjisë dhe Shoqata e Neonatologëve të Kosovës, organizojnë Konferencën e I-rë nderkombëtare. (Hotel Garden, ora 9:00)

- Policia e Kosovës në shënim të ditës botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, në bashkëpunim me Këshillin e Sigurisë në Trafikun Rrugor dhe me Shoqatën e Sigurimeve , do të mbaj tryezë për shënimin e kësaj dite. (Salla Orion në Prishtinë në afërsi të Kino ABC, ora 9:30)

- Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë organizon tryezën dhe punëtorinë me temën “Status quo e Zhvillimit të Kërkimit dhe Inovacionit në Kosovë: Ide rreth së ardhmes së K&I në Kosovë”, mbështetur nga Projekti HERAS i cili përkrahet nga Qeveria e Austrisë. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale mban punëtorinë lidhur me “Udhëzuesin për miradministrimin e aktiviteteve minerare dhe mjedisore. (Hotel Amazona, ora 10:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, përmes projektit Interdev 2, organizon një panair me shoqatat e grave prodhuese për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Sipërmarrësisë së Grave. (Qendra Kulturore në Viti, ora 11:00)

- Ministria e Mbrojtjes organizon ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të FSK-së, gjenerata e dytë 2019. (Kazerma 'Adem Jashari' në Komandën e Forcave Tokësore në Prishtinë, ora 11:00)

- Komuniteti artistik organizon takim përkujtimor për regjisoren Arzana Kraja. (Teatri Kombëtar, ora 12:00)

- Organizata ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës organizon ceremoninë e hapjes të minibibliotekës së lagjes Ulpiana. (Te fontana në lagjen Ulpiana, ora 12:00)

- Kryetarja e KQZ-së dhe anëtarët, presin në takim deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, anëtarë të Komisionit të Reformës Zgjedhore: znj. Rudina Hajdari, Myslim Murrizi dhe Ralf Gjoni. (Selia e KQZ-se, ora 12:00)

- Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, do të nënshkruajë gjashtë Udhëzime Administrative që avancojne fushën e kadastrës dhe regjistrimit të pronës. (Zyret e Agjencisë Kadastrale të Kosoves, ndërtesa e Arkivit të Kosovës, ora 14:00)

- Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi, do të mbajë një konferencë për media në të cilën do të prezantohet raporti nga muaji korrik deri në muajin tetor për Gjykatën Themelore të Gjilanit, së bashku me Degët e saja. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 14:30)

- Mbahet marsh përkujtimor në këmbë nga Lagja Arbëria, rrugës Fehmi Agani deri te Teatri Kombëtar ku do të bëhet ndezja e qirinjve në përkujtim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente në trafikun rrugor. (Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, ora 18:00)

- Mbahet stërvitja e Kombëtares së Kosovës. (Stadiumi ‘Fadil Vokrri’, ora 18:00)

- Galeria e Ministrisë së Kulturës organizn hapjen e ekspozitës individuale të autores Lumjetë Havolli, e titulluar "Is This Me...Or i Do it For You Only!?". (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00)

- Qendra për Informim dhe Përmirësim Social feston hapjen e Linjës telefonike për parandalim të vetëvrasjes "Linja e Jetës" në Kosovë! (Menza Ramiz Sadiku, ora 21:00)