27 Nëntor 2021

SHBA dhe BE mbështesin Kosovën në luftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar

Bruksel / Washington, 20 tetor - Pas takimit të fundit midis Përfaqësuesit të Lartë të BE Josep Borrell dhe Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken javën e kaluar në Uashington, BE dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord ta forcojnë më tej angazhimin e tyre të përbashkët në Ballkanin Perëndimor në mbështetje të përparimit të rajonit në rrugën e tij evropiane.

Kështu është thënë në një deklaratë të përbashkët të SHBA-së dhe BE-së, të publikuar më 20 tetor.

Deklarata është publikuar një ditë pasi Komisioni Evropian ka miratuar paketën e zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet e rajonit të përfshira në këtë proces.

“Ne nënvizojmë mbështetjen tonë të plotë për procesin e zgjerimit. Anëtarësimi në BE, prioritet i deklaruar i tërë Ballkanit Perendimor, ndihmon në konsolidimin e institucioneve demokratike, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe avancimin e sundimit të ligjit."

"Ky rajon i takon Bashkimit Evropian. Integrimi më i afërt do të forcojë stabilitetin dhe do të kontribojë në prosperitetin e njerëzve në rajon. Në këtë kontekst, ne nënvizojmë se negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të nisin pa vonesa”, është thënë në deklaratën e përbashkët.

Në veçanti në këtë deklaratë përmenden edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina, vende ku ka pasur tensione në muajt e fundit.

BE-ja dhe SHBA-ja mbështesin veprimet e Kosovës në luftë kundër krimit të organizuar dhe inkurajojnë palët që të angazhohen për zbutjen e tensioneve Kosovë-Serbi.

“Ne nënvizojmë rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, i cili është mekanizmi kyç për të adresuar normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Pas tensioneve të javëve të fundit në veri të Kosovës, ne inkurajojmë të dyja palët që të angazhohen në një shtensionim të qëndrueshëm dhe të evitojnë veprimet, të cilat kërcënojnë stabilitetin”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

“Ne mirëpresim dhe mbështesim angazhimin e Kosovës në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe ritheksojmë se dhuna ndaj civilëve, gazetarëve, policisë, apo ndonjë autoriteti tjetër, është e papranueshme”.

Deklarata e përbashkët ka ardhur disa ditë pasi Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka konsideruar të njëanshëm aksionin e Policisë së Kosovës për luftim të kontrabandës në disa qytete të Kosovës, përfshirë veriun.

Sa i përket Bosnje-Hercegovinës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian përsërisin mbështetjen e plotë për integritetin territorial sikur edhe përpjekjet për të promovuar reformat kushtetuese dhe zgjedhore dhe ruajtjen e funksionalitetit të institucioneve shtetërore.

“Jemi seriozisht të shqetësuar për shkak të rritjes së retorikës përçarëse në Bosnje e Hercegovinë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të respektojnë dhe mbrojnë institucionet shtetërore, të rifillojnë dialogun konstruktiv, dhe të ndërmarrin hapa për të avancuar përparimin në rrugën e integrimeve evropiane, përfshirë edhe përmes reformave relevante. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme të ndihmojnë në këtë drejtim”, është theksuar në deklaratë.

BE dhe SHBA u kanë bërë thirrje edhe të gjitha forcave politike në Mal të Zi që të punojnë së bashku për të mbajtur dhe forcuar orientimin strategjik, i cili reflekton dëshirën e popullit të Malit të Zi, që të bëjë reforma përmes së cilave shpresa për një të ardhme në BE të bëhet realitet.

Kohëve të fundit është rritur angazhimi i Shteteve të Bashkuara në rajonin e Ballkanit Perendimor.

Në të njëjtën kohë, nga të dyja anët e Atlantikut janë shtuar edhe thirrjet që BE-ja dhe SHBA-ja të veprojnë së bashku në këtë rajon, në mënyrë që të zgjidhen problemet kryesore, që mund të kenë potencial për tensionime të reja.

Ditë më parë, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka zhvilluar një takim me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe mes tjerash kanë diskutuar edhe për Ballkanin Perëndimor.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 Nëntor 2021

- Forca e Sigurisë së Kosovës organizon manifestimin qendror të Ditës së Forcës ku do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 10:00)

- Komuna e Skenderajt përuron poligonin sportiv në fshatin Burojë. (Tek shkolla fillore Abedin Rexha,ora 10:00)

- Komuna e Malishevës vendos buqeta me lule të shtatorja e Adem Jasharit. (Malishevë, ora 10:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani merr pjesë në shënimin e Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 10:00)

- Komuna e Skenderajt përuron poligonin sportiv në fshatin Kuqicë. (Kuqicë, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e përbashkët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë. (Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në Tiranë, ora 11:00)

- Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës organizon “Ditën e Hapur’’. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 11:00)

- Komuna e Malishevës viziton varrezat e dëshmorëve në qytet, Kleçkë dhe Prekz. (Malishevë, ora 11:00)

- Komuna e Skenderajt përuron shtegun për çiklistë. (Rruga Merita Murtezi në Skenderaj, ora 12:00)

- Komuna e Skenderajt  organizon natën e dytë të festivalit Rapsodia shqiptare. (Qendra e Kulturës Hasan Prishtina, ora 16:00)