19 Prill 2024

Serbia diskuton ngrirjen e luftës për Kosovën

Beograd, 8 prill - Propozimi i fundit i drejtorit të qendrës serbe për studimet e sigurisë, Aleksandër Fatiç, për “ngrirjen” tani për tani nga ana e politikës së Serbisë të çështjes së statusit të Kosovës dhe përqendrimin te bashkëpunimi rajonal është bërë kohët e fundit temë e nxehtë politike në këtë vend dhe reagimet ndaj tij janë nga më të ndryshmet.

“Ngrirja e statusit të Kosovës do të nënkuptonte dhe do t’i shërbente zhvillimit të bashkëpunimit rajonal, por, sidoqoftë, Kosova do të duhej të prezantohej me emrin e lidhur me Rezolutën 1244 të OKB-së. Kjo ngrirje do të mund të argumentohej me faktin se Kosova ende nuk është pranuar si anëtare e OKB-së dhe se nuk ka ndonjë perspektivë të afërt për këtë, për shkak të vetos së Rusisë dhe të disa vendeve të tjera”, theksoi analisti i njohur politik serb i lartpërmendur.

Sipas Fatiçit, kjo “ngrirje” do ta lejonte Serbinë që të avanconte në rrugën e integrimeve në BE përmes procesit të stabilizimit dhe të asocimit, ndërkohë që zgjidhja e çështjes së statusit të Kosovës do të shtyhej, të paktën, deri në momentin e marrjes së vendimit për hyrjen e Serbisë në BE që, duke gjykuar nga gjithçka, nuk duhet të pritet që të ndodhë deri para vitit 2020. Kjo gjë do të linte një hapësirë maksimale që kjo çështje të zgjidhej pa emocione dhe pasione në një kohë më të vonshme”, theksoi ai. Ministri i Pushtetit Lokal të Kosovës, Sadri Ferati, u shpreh ndër të parët kundër idesë së Fatiçit, duke theksuar se ajo nuk është aspak e mirë.

“Kjo ide nuk merr parasysh cilësinë e jetës së njerëzve në Kosovë. E shoh këtë çështje si qytetar i zakonshëm dhe jo si ministër. Kjo, veç të tjerave, nuk do të sillte investime, kështu që nuk do të kishte as jetesë më të mirë për njerëzit që jetojnë në Kosovë”, deklaroi Ferati, të cilit i referohet gazeta e përditshme serbe, “Glas Javnosti”.

Sekretari shtetëror në “Ministrinë për Kosovën dhe Metohinë”, Oliver Ivanoviç, nga ana e tij, vuri në dukje se statusi i Kosovës tanimë është ngrirë, duke e shpjeguar këtë me faktin se, deri tani, Kosovën e kanë njohur 65 vende nga 192 që ka gjithsej OKB-ja. Shpresojmë që kështu të mbesë edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë së Hagës. Kur Serbia të hyjë në BE, pozitat tona do të jenë politikisht më të mira”, theksoi Ivanoviçi në një prononcim të këtyre ditëve të fundit në gazetën e përditshme serbe “Kurir”.

Lobisti i njohur serb në SHBA, Xhim Xhatras, nga ana tjetër, lidhur me idenë e mësipërme, vuri në dukje se ajo (ideja) do të mund të jetë një ide e mirë, por, sidoqoftë, kjo varet se çfarë nënkupton “ngrirje” statusi të Kosovës. Në rast se kjo nënkupton se Serbia nuk duhet të pranojë asnjë lloj statusi tjetër, veç atij që ka në Kushtetutën e vet, pra Kosova është pjesë e Serbisë, atëherë kjo është një zgjidhje e mirë. Në rast të kundërt, nuk ka asgjë të mirë”, tha Xhatras.

Kurse politikani i njohur serb, Marko Jakshiç, funksionar i lartë i Partisë Demokratike të Serbisë (opozitare), shprehet me forcë kundër idesë së lartpërmendur, duke theksuar se “shqiptarët, pikërisht, këtë gjë do të dëshironin, që ne të mos bënim asgjë, që t’i fusim gjërat nën rrogoz, madje për vite me radhë, deri kur Serbia të hyjë në BE, kurse ndërkohë në këto territore të krijohet një shtet i ri shqiptar! Duhet ta marrim iniciativën në duart tona dhe të luftojmë aktivisht”, tha ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)