14 Dhjetor 2018

Senatori Cotton thekon përkrahjen e mëtejme të SHBA-ve për Kosovën

Washington, 28 shtator - “Në rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe Pavarësisë, rrugë kjo shumë e gjatë dhe plot vuajtje, roli i ShBA-së ishte jetik për Kosovën”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në takimin që zhvilloi në Senatin Amerikan me senatorin Tom Cotton.

Kryeministri Haradinaj, e njoftoi senatorin Cotton për prioritetet e Qeverisë, me theks të veçantë për fuqizimin e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe kompletimin e kësaj infrastrukture jetike për vendin.

“Kosova është gati ta ketë ushtrinë e saj dhe e gatshme që në funksion të paqes kudo në botë të jetë pjesë e misioneve ndërkombëtare të lirisë të udhëhequra nga SHBA”, tha Kryeministri Haradinaj.

Senatori Cotton u informua edhe për prioritetet e Qeverisë, me fokus kryesor në zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, përmbushjen e agjendës evropian, si dhe në fuqizimin e institucioneve demokratike.

Kryeministri Haradinaj, shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e pazëvendësueshme që SHBA-të kanë dhënë në të gjitha periudhat, duke kërkuar mbështetjen e mëtejme për proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

“Kosova dhe populli i saj do të vazhdojë ta ruajë miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe asnjëherë nuk do ta harrojmë atë çfarë SHBA-të kanë bërë për ne në kohërat më të vështira të jetës tonë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit me SHBA-të.

Senatori Amerikan, Tom Cotton, vlerësoi të arriturat në Kosovë gjatë këtyre viteve, duke theksuar përkrahjen e mëtejme të SHBA-ve për Kosovën.

Takimi me Senatorin Amerikan, Tom Cotton, u realizua në kuadër të vizitës zyrtare të Kryeministrit Haradinaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesë e agjendës qeveritare për të fuqizuar marrëdhëniet bilaterale me ShBA-të dhe intensifikuar përpjekjet për konsolidimin ndërkombëtarë të vendit.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 14 dhjetor 2018 - Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2018” mbahet turneu kundër Korrupsion “Kosova Open 2018”. (Kino “Armata”,  ora 10:00)

- Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës organizojnë tryezën "Roli i medias dhe shoqërisë civile në luftimin e korrupsionit". (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Instituti D4D organizon hapjen zyrtare të projektit “Rritja e qasjes së grave në punësim”. (Restorant Tartine Deli, Prishtinë, ora 10:00)

- Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2018” mbahet tryeza me temë "Lufta Kundër Korrupsionit në Ballkan. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Mbahet ceremonia e përurimit të shtëpisë për familjen skamnore në fshatin Livoç. (Fshati Livoç, ora 10:30)

- Në kuadër të Javës Kundër Korrupsion, Demokraci Plus organizon debatin publik në lidhje me gjetjet e monitorimit të prokurimit publik në Komunën e Prishtinës. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Let's Do It organizon aksion pastrimi në Plemetin të Obiliqt në kuadër të Fushatës "Ta Pastrojmë Kosovën". (Plemetin, ora 11:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe Qendra Tregtare "Plus Center “ organizon hapjen e ekspozimit dhe promovimit të prodhimeve vendore në kuadër të “Javëve të Biznesit Kosovar 2018” me moto: Unë Konsumoj Produkte Vendore, Po JU?. (Objekti i Qendrës Tregtare "Plus Center“ ne Ferizaj, ora 12:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të mbajë ngjarjen përmbyllëse të “Javës Kundër Korrupsionit 2018”, ku do të jenë prezent Ambasadorët e Shteteve Anëtare të QUINT, BE dhe Koalicioni i OJQ-ve. (Përpara Teatrit Kombëtar, ora 15:00)

- Fondi për të Drejten Humanitare organizon ligjëratën publike “Sot, 20 vite më parë: Rasti Panda”. (Qendra e Dokumentimit në bibliotekën Hivzi Sulejmani, rruga “Sadik Bekteshi” nr 16, ora 16:30)

- Federata Kosovare e Atletikës organizon manifestimin sportiv të atletikës "Laureatët e vitit – Gala Athletics2018”. (Miracle Beni Dona, Zona Industriale, ora 18:30)

- Shfaqet drama jokonvencionale e Mark Ravenhill lidhur me dy vëllezër identikë të cilët ritakohen pasi që janë rritur ndarazi më Gjermaninë lindore dhe perëndimore. (Ambienti i fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”, rruga e Muzeu Etnologjik, ora 20:00)