05 Shkurt 2023

Republika Çeke merr Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian

Prishtinë, 1 korrik - I Ngarkuari me Punë i Ambasadës Çeke në Kosovë, Pavel Bílek, dhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog organizuan sot në Prishtinë ceremoninë e hapjes së Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, gjatë së cilës u prezantuan prioritetet e Presidencës Çeke për gjashtë muajt e ardhshëm.

Motoja e Presidencës Çeke është “Evropa si detyrë: rimendo, rindërto, rifuqizo”, e marrë nga titulli i fjalimit të Presidentit Václav Havel nga viti 1996, fjalim ky ku ai u bëri thirrje evropianëve që të marrin përgjegjësi për sfidat globale mjedisore, sociale dhe ekonomike dhe të udhëheqin përmes shembullit.

“Republika Çeke po e merr Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian në mes të pushtimit rus kundër Ukrainës që ka kapluar tërësisht situatën gjeopolitike në kontinentin tonë. Kjo na bën të rivlerësojmë shumë prej qasjeve dhe premisave tona aktuale”, tha Bílek.

Objektivi i përgjithshëm i Presidencës Çeke është të kontribuojë në krijimin e kushteve për sigurinë dhe prosperitetin e BE-së në kuadër të vlerave evropiane të lirisë, drejtësisë shoqërore, demokracisë, sundimit të ligjit dhe përgjegjësisë mjedisore.

BE-ja duhet të përqendrohet në garantimin e sigurisë së bashku me NATO-n dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të mënyrës së lirë të jetës dhe demokracisë liberale së bashku me Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe shtetet e tjera demokratike jashtë BE-së.

Pesë prioritetet e përgjithshme të Presidencës Çeke përfshijnë menaxhimin e krizës së refugjatëve ukrainas dhe rimëkëmbjen e pasluftës, sigurinë energjetike, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe sigurinë kibernetike të Evropës, qëndrueshmërinë strategjike të ekonomisë evropiane, dhe qëndrueshmërinë e institucioneve demokratike.

Ballkani Perëndimor është ndër zonat prioritare të Presidencës Çeke, së bashku me Ukrainën, Indo-Paqësorin dhe Sahelin. Presidenca Çeke do të përpiqet të arrijë progres konkret në negociatat e zgjerimit të BE-së dhe të mbështesë procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Shumica e prioriteteve të Presidencës Çeke përkthehen në aktivitete konkrete të BE-së në Kosovë, duke përfshirë përmirësimin e infrastrukturës jetike, investimin në burimet e energjisë së gjelbër dhe të ripërtëritshme dhe në mënyra ekologjike të transportit, mbështetjen e digjitalizimit të mëtejshëm dhe sigurisë kibernetike, si dhe kontributin në zhvillim ekonomik, konkurrueshmëri dhe qasje në tregun e BE-së”, tha ambasadori Szunyog.

Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian janë dy organet kryesore vendimmarrëse të BE-së. Këshilli përbëhet nga ministrat e qeverive të 27 shteteve anëtare të BE-së, të cilët takohen në dhjetë konfigurime të ndryshme për të negociuar, ndryshuar dhe miratuar ligjet e BE-së, për të bashkërenduar politikat e BE-së dhe për të lidhur marrëveshje ndërmjet BE-së dhe vendeve të tjera dhe organizatave ndërkombëtare.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 shkurt 2023  - Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 9:00)

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite do të jetë falja e tatimit në pronë në vlerën deri 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e kësaj komune, për vitin 2023. (Salla e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ora 10:00)

- Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës mban konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve teknik të Sektorit Privat te Kosovës dhe dialogu me qeverinë dhe institucionet tjera të Kosovës. (Zyrët e Sindikatës, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës Dega në Prizren, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së në Prizren, ora 11:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore, si dhe shqyrton listën e kandidatëve për plotësimin e një pozite për anëtar joekzekuiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 13:30)

- Prezantohet puna e kryer rreth vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara të cilat kanë folur hapur për historitë e tyre të, abuzimeve seksuale, dhunës fizike, dhunës psikike, keqtrajtimeve, ofendimeve dhe diskriminimeve. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:30)