19 Prill 2024

Përmbyllet edicioni i Akademisë së Dialogut të OSBE-së për gra të reja

Vjenë, 22 tetor - Edicioni i katërt i Akademisë së Dialogut të OSBE-së, që mblodhi 24 pjesëmarrëse nga Prishtina dhe Beogradi, u përmbyll në Stadtschlaining të Austrisë.

Për dhjetë ditë me radhë, pjesëmarrëset patën mundësi të zhvillojnë kontaktet personale, shkëmbejnë pikëpamjet rreth çështjes së fuqizimit të gruas në vendimmarrje, të mësojnë për sfidat me të cilat ballafaqohen pjesëtaret e secilës shoqëri, si dhe të trajtojnë shqetësimet e përbashkëta.   

Programi ka përfshirë aktivitete intensive të punës ekipore, ligjërata për” Dialogun, ndërmjetësimin, dhe pajtimin” dhe për “Gratë në politikë” me ekspertë ndërkombëtar, si dhe një shkëmbim pikëpamjesh për dialogun me 6 gra të dalluara nga Prishtina dhe Beogradi – anëtare të iniciativës “Na ndiqni”.

Për t’u njohur me punën që e bën OSBE, pjesëmarrëset dëgjuan Ambasadoren Melanne Verveer, Përfaqësuese Speciale për Çështje Gjinore e Kryesisë së Radhës të OSBE-së dhe Ambasadore e parë e SHBA për Çështje Globale të Grave, duke ndarë përvojat e saja dhe duke u përgjigjur në pyetjet e tyre sfiduese dhe interesante. Krahas kësaj, pjesëmarrëset morën pjesë në një seancë të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së dhe u takuan me përfaqësuesit e Kryesisë Italiane të OSBE-së.

“Akademia e Dialogut e OSBE-së për të gra të reja na e rikonfirmoi se politika do t’iu shërbejë grave vetëm atëherë kur gratë përfshihen në të,” tha Kaltrina Ahmeti, pjesëmarrëse nga Prishtina.

Isidora Šmigić nga Beogradi tha: “Akademia e Dialogut e OSBE-së na mësoi se gratë duhet të qëndrojnë së bashku dhe të bashkuara në luftën për të drejtat tona, duke i kapërcyer kështu ndarjet tona etnike, fetare dhe politike. Kjo është mënyra e vetme për ta arritur ndryshim në shoqëritë tona.”

Si vijim, pjesëmarrëset e edicionit të katërt të Akademisë së Dialogut do të takohen në nëntor në Beograd, për vizitën shkëmbyese me alumnit (pjesëmarreset e edicioneve të mëhershme). Ato do t’i zhvillojnë tutje projekt-idetë e tyre për 2019, që kanë për qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe promovimin e shkëmbimeve kulturore.

Akademia organizohet çdo vjet nën përkujdesjen e iniciativës “Na ndiqni,” të përkrahur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Misioni i OSBE-së në Serbi, si pjesë e punës së tyre për të forcuar pjesëmarrjen e gruas në dialog dhe zgjidhje të konfliktit si dhe procese të vendimmarrjes.

Iniciativa, që mbledh gra të shquara nga Beogradi dhe Prishtina u lancua në vitin 2012, dhe që nga ajo kohë është ndihmuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Misioni i OSBE-së në Serbi. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)