22 Janar 2020

Palmer: Duam njohje të ndërsjellë Kosovë-Serbi

Washington, 5 dhjetor - I dërguari i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha se SHBA-ja dëshiron të shohë normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që do të nënkuptonte njohje të ndërsjellë.

"Sikur ta njihnin njëra-tjetrën, ato do të mund t'i zgjidhnin çështjet e diskutueshme si fqinj", tha Palmer për televizionin N1 në Sarajevë.

Sipas tij, Prishtina dhe Beogradi "duhet të ulen në tryezë, të arrijnë marrëveshje dhe bashkë të përcaktojnë rrugën kah e ardhmja evropiane".

"Është e nevojshme një marrëveshje që do të pranohej nga publiku në të dyja anët dhe do të mbështetej si rruga më e mirë përpara", tha Palmer, për të shtuar se marrëveshja do të duhej të ishte "e zbatueshme, e drejtë dhe e qëndrueshme".

Palmer po ashtu tha se ka një marrëdhënie shumë të mirë me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Emërimi i Palmerit në gusht dhe i Grenellit pak muaj më vonë janë parë si shenjë e përfshirjes gjithnjë e më të madhe të Shteteve të Bashkuara në dialogun Kosovë-Serbi.

Ky dialog është ndërprerë qysh në fund të vitit të kaluar, kur Kosova ka nisur me aplikimin e një takse mbi mallrat e importuara nga Serbia.

Përkundër thirrjeve të SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian - si ndërmjetësues i dialogut - Kosova nuk e ka hequr taksën, ndërsa Serbia ka kundërshtuar vazhdimin e dialogut pa heqjen e taksës.

Kosova aktualisht është në negociata për formimin e qeverisë së re.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 janar 2020 - Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës organizon diten e dytë të takimit rajonal për Ndryshime Klimatike dhe Integrime Evropiane “Zhvillimi i një propozim projekti për ngritjen e kapaciteteve në sektorin e Mjedisit, Integrimeve Evropian dhe Ndryshimeve Klimatike”. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Me rastin e 22 vjetorit të sulmit të dytë të forcave serbe mbi familjen Jashari, Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së,  do të organizojnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në shenjë kujtimi e nderimi të luftës së shenjtë çlirimtare të familjes Jashari. (Prekaz, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Mitrovicës. (Sallën e Mediave të Komunën se Mitrovicës, ora 10:00)

- Klubi i Prodhuesve organizon tryezën e diskutimit për diskutimin e efekteve të tarifës 100% në ekonominë  e vendit një vit pas vendosjes së kësaj takse. (Orion Conference Centre, ora 10:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Vushtrrisë. (Qendr Rinore në Vushtrri, ora 11:00)

- Kryetari Shpend Ahmeti do të nënshkruajë Marrëveshjen e Mirëkuptimit me USAID për zbatimin e Programit per trajtimin e ndertimeve pa leje. (Komuna e Prishtinës, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës në detyrë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Kaçanikut. (Shtëpia e Kulturës "Xheladin Kurtaj" në Kaçanik, ora 14:00)

- Mbahet Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2020”, ku do të marrin pjesë teatrot me shfaqjet më të mira dhe dramat e tyre origjinale shqipe nga Kosova. (Teatri i Qytetit të Gjilanit, ora 19:00)