24 Shtator 2020

Nisin takimet Kosovë - Serbi për të zhvendosurit dhe çështjet ekonomike

Bruksel, 30 korrik - Në Bruksel nisi takimi midis përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian, në kuadër të raundit të sotëm të bisedimeve Kosovë-Serbi, në nivel ekspertësh.

Përfaqësuesit evropianë do të zhvillojnë bisedime të ndara edhe me ata të Serbisë, përpara se të mbahet takimi i përbashkët trepalësh.

Është ky takimi i dytë i tillë në një javë, që ndërmjetësohet nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Delegacioni i Kosovës kryesohet nga koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, ndërsa ai i Serbisë nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Zyrtarë të BE-së konfirmuan se në agjendë të bisedimeve sot janë personat e zhvendosur dhe çështjet ekonomike.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, në nivelin më të lartë, ka rinisur më 16 korrik, me një takim midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidetit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të ndërmjetësuar nga zyrtarët e lartë të BE-së.

Takimet në nivel ekspertësh nuk janë mirëpritur në Prishtinë, ku partitë opozitare, por edhe partnerët e koalicionit dhe presidenca kanë thënë se ato e zvarrisin arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.

Hoti, megjithatë, ka insistuar se me takimet e tilla ka nisur edhe draftimi i marrëveshjes për njohje reciproke me Serbinë.

 

/rel/

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Shtator 2020

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Komunën e Ferizajt. (Objekti i Komunës Ferizaj, ora 9:30)

- Në kuadër të Javës së sporti, Federata e Pingpongut në bashkëpunim me Departamentin e sportit të MKRS do të organizoj një aktivitet promovues për pingpongun në Pejë. (Sheshi Dukagjini në Pejë, ora 10:00)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Mural Fest. (Muralet e qytetit në Ferizaj, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit fillon projektin e Drejtorisë së Shëndetësisë për Kujdesin Geriatrik me ç'rast kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu dhe drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu Hoxhaj do të prononcohen për media. (Nisja do të bëhet nga objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të shqyrtohet plani i punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:30)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi merr pjesë në ndarjen e certifikatave për të rinj të trajnuar për ndërmarrësi. (Qendra e Inovacionit në Ferizaj, ora 11:00)

- Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare, Sokol Havolli dhe Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi mbajnë konferencën për media. (Auditoriumi i BQK-së, ora 11:30)

-  Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për mbrojtje nga dhuna në familje. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)
 
 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi merr pjesë në aktivitet me misionin e OSBE-së. (Muzeu i Kosovës, ora 14:00)