27 Nëntor 2021

Navalny fiton Çmimin Sakharov

Bruksel, 20 tetor - Udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse, Aleksei Navalny, fitoi Çmimin Sakharov për Lirinë e Mendimit.

Çmimi vjetor i Parlamentit Evropian iu nda atij për, siç u tha, ekspozimin e korrupsionit në Rusi dhe të përpjekjeve për frenimin e lirive në këtë vend.

Navalny ishte në listë të ngushtë me një grup të grave afgane dhe me një politikan opozitar të Bolivisë.

Ai u shpall fitues nga ligjvënësit evropianë, njoftoi Partia Popullore Evropiane, e cila është subjekti më i madh politik në Parlamentin Evropian.

Navalny, një nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin, është burgosur në një aeroport të Moskës në janar, menjëherë pasi është kthyer nga Berlini, ku është shëruar nga helmimi me agjent nervor.

Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve rusë për helmimin dhe burgosjen e tij.

Navalny, 45 vjeç, është dënuar pastaj me 2 vjet e gjysmë burgim për, siç është thënë, shkelje të lirimit me kusht.

Ai ka thënë se akuzat kundër tij janë të motivuara politikisht.

Vitin e kaluar, Çmimi Sakharov i është dhënë opozitës demokratike të Bjellorusisë, e cila ka organizuar disa protesta kundër udhëheqësit autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.

Fituesit e mëparshëm të këtij çmimi përfshijnë: ish-presidentin e Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, opozitën demokratike të Venezuelës dhe aktivisten pakistaneze të arsimit, Malala Yousafzai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 Nëntor 2021

- Forca e Sigurisë së Kosovës organizon manifestimin qendror të Ditës së Forcës ku do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 10:00)

- Komuna e Skenderajt përuron poligonin sportiv në fshatin Burojë. (Tek shkolla fillore Abedin Rexha,ora 10:00)

- Komuna e Malishevës vendos buqeta me lule të shtatorja e Adem Jasharit. (Malishevë, ora 10:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani merr pjesë në shënimin e Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 10:00)

- Komuna e Skenderajt përuron poligonin sportiv në fshatin Kuqicë. (Kuqicë, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e përbashkët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë. (Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në Tiranë, ora 11:00)

- Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës organizon “Ditën e Hapur’’. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 11:00)

- Komuna e Malishevës viziton varrezat e dëshmorëve në qytet, Kleçkë dhe Prekz. (Malishevë, ora 11:00)

- Komuna e Skenderajt përuron shtegun për çiklistë. (Rruga Merita Murtezi në Skenderaj, ora 12:00)

- Komuna e Skenderajt  organizon natën e dytë të festivalit Rapsodia shqiptare. (Qendra e Kulturës Hasan Prishtina, ora 16:00)