25 Shkurt 2020

Nagavci, Krasniqi e Damka në Sesionin e Parë të AP të Këshillit të Evropës

Strasburg, 28 janar - Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përbërje të tre nënkryetarëve: Arbërie Nagavci, kryesuese e delegacionit, si dhe Memli Krasniqi e Fikrim Damka, anëtarë të delegacionit, të shoqëruar nga ambasadorja Mimoza Ahmetaj, po merr pjesë në punimet e Sesionit të Parë të Rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës –APiKE, për vitin 2020, që po mbahen në Strasburg të Francës, nga 26 - 31 janar 2020.

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka marrë pjesë edhe në takimet e Komiteteve Parlamentare të APKiE-së, atë të Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat të Njeriut, si dhe Komitetit për Çështje Sociale, Shëndetësi dhe Zhvillim të Qëndrueshëm. 

Po ashtu, delegacioni ka marrë pjesë edhe në mbledhjet e Grupeve të politike të APKiE-së.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës ka zhvilluar takime bilaterale me anëtarë të delegacioneve pranë APKiE-se, përfshirë edhe përfaqësues të delegacionit gjerman, në përbërje: Peter Beyer nga koalicioni CDU-CSU, njëherësh raportues për Kosovën në KiE, si dhe Axel Schafer nga Partia Social Demokrate.

Në takim u kërkua përkrahja e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE, si dhe mbështetja në procesin e integrimit evropian.

Kryesuesja e delegacionit të Kosovës, Arbërie Nagavci, tha se anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t'u mundësojë qytetarëve të Kosovës qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Delegacioni i Kosovës po ashtu u takua edhe me kryetaren e Dytë të Parlamentit Austriak, Doris Bures, SD. Edhe nga znj. Bures u kërkua përkrahja e Austrisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Znj. Bures propozoi që të organizohet një takim i përbashkët në mes të dy delegacioneve të parlamenteve dhe u zotua se do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën edhe më tutje.​


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 shkurt 2020 - Konstituohet Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 10:00)

- Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë organizon konferencë të jashtëzakonshme për media për të shprehur shqetësimin lidhur me trajtimin e rasteve ku fëmijët janë viktima të formave të abuzimit dhe dhunës seksuale. (Ambientet e organizatës Forumi për Iniciativa Qytetare në lagjen Pejton, ora 10:00)

- Konstituohet Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Vendi: (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Demokracia Plus dhe Qendra për Avokim dhe Kulturë Demokratike në bashkëpunim me programin e USAID për Fuqizim të Sistemit të Drejtësisë organizojnë konferencën në cilën do të shpalosen rezultatet e Anketës me përdoruesit e shërbimeve të gjykatave. (Hotel Sirius, ora 10:00) 

- Konstituohet Komisioni për Buxhet dhe Transfere. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 11:00)

- Konstituohet Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 10, ora 11:00)

- Bibloteka Kombëtare e Kosovës dhe Shoqata e të Burgosurve Politik organizojnë hapjen e ekspozitës "Kujtesa e Kosovës, portrete të Adem Demaqit në pikturë dhe fotografi". (Bibloteka Kombëtare, ora 11:00)

- Konstituohet Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 204, ora 11:00)

- ADMOVERE e mbështetur nga KFOS promovon raportin "Gjendja në Fakultetin e Gjeoshkencave të Universitetit të Mitrovicës". (Hapësirat e rektoratit të UMIB-it në Mitrovicë, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike mban diskutim lidhur me detyrat me prioritet dhe organizimin e punës së Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 12:00)

- Anibar Festivali Ndërkombetar i Animacionit organizon shfaqjen e filmave nga java e Kinematografisë afrikane. (Kinema Jusuf Gërvalla, 13:00)