28 Mars 2024

Lidhja Shqiptaro Amerikane i ka kërkuar Trumpit, që të largojë Richard Grenell

Prishtinë, 21 prill - Lidhja Qytetare Shqiptaro - Amerikane i ka bërë thirrje Presidentit të ShBA-ve, Donald Trump, që të largojë Richard Grenell nga detyra e tij si i dërguar special për dialogun Kosovë - Serbi.

Nëpërmjet një letre të hapur thuhet që qasja e Administratës Trump është e gabuar dhe se besueshmëria e Grenell ka humbur si ndërmjetësues i paanshëm.

“Ne besojmë se qasja e administratës Trump ndaj konfliktit Kosovë-Serbi në thelb është e gabuar dhe prandaj është e destinuar të dështojë. Meqenëse Ambasadori Grenell ka humbur besueshmërinë e një ndërmjetësuesi të paanshëm, Lidhja Qytetare i bën thirrje Presidentit Trump që të largojë Ambasadorin Grenell nga detyrat e tij si i Dërguari Special për dialogun Kosovë-Serbi”, thuhet në letër”, thuhet në këtë letër.

Ndërsa thonë që janë të shqetësuar pasi rënia e qeverisë së Kryeministrit Albin Kurti u orkestrua nga disa anëtarë të politikës në Kosovë në koordinim me Grenell.

“Ne, anëtarët e Bordit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, jemi shumë të shqetësuar për situatën e rrezikshme në Republikën e Kosovës pas rënies së qeverisë së Kryeministrit Albin Kurti të zgjedhur në mënyrë demokratike. Rënia ishte si rezultat i një lëvizjeje të paprecedentë të orkestruar nga disa anëtarë të elitës politike të Kosovës të përkushtuar për avancimin e interesave të tyre personale, në koordinim me të Dërguarin Special të Presidentit Trump për Negociatat e Paqes Serbi-Kosovë, Ambasadorin Richard Grenell. Lidhja Qytetare gjithmonë ka lobuar te Qeveria e SHBA-së që në koordinim me Bashkimin Evropian të angazhohet plotësisht në gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme të konfliktit Kosovë-Serbi. Për keqardhjen tonë, Ambasadori Grenell ka keqpërdor rëndë procesin duke e ndjekur një zgjidhje të lehtë dhe të shpejtë”, thuhet tutje në letër.

Por, kush është Lidhja Qytetare Shqiptaro - Amerikane? Kjo udhëhiqet nga amerikani Joseph DioGuardi.

DioGuardi ishte anëtari i parë i Kongresit që prezantoi çështjen e të drejtave të Shqiptarëve në Ballkan, duke e bërë si çështje me interes për Qeverinë e ShBA-ve nëpërmjet rezolutës së Kongresit që ai e solli në Shtëpinë e Përfaqësuesve në vitin 1986.

DioGuardi ishte gjithashtu përgjegjës për dëgjimin e parë në Kongres për çështjen e Kosovës në vitin 1987 dhe ka bërë më shumë se 40 udhëtime në Ballkan prej që është larguar nga Kongresi në vitin 1989, tash në cilësinë e themeluesit, vullnetarit e Presidentit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro - Amerikane.

Në vitin 1990 DioGuardi bashkë me kongresmenin Tom Lantos kanë vizituar Kosovën për të parë politikat brutale të diktatorit serb, Slobodan Millosheviq dhe regjimit të tij e pastaj bën edhe udhëtimin e parë zyrtar në 50 vite në Shqipëri, prej kohës së diktaturës.

Në vitin 1996, DioGuardi u rikthye në Shqipëri me këshilltarin për Ballkan të Lidhjes Qytetare Shqiptaro - Amerikane, Shirley Cloyes dhe kongresmenin Benjamin Gilman, kryesues në atë kohë i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, ku u takuan me Presidentin Sali berisha për të diskutuar sigurinë kombëtare.

Pastaj udhëtoi për në Shqipëri përsëri në vitin 1998 për krizën humanitare nga lufta në Kosovë, me kërkesë të kongresmenit Dana Rohrabacher, e në verën e vitit 1999, DioGuardi bashkë me Cloyes udhëtuan në Kosovë pas bombardimeve të NATO-s dhe i raportoi kryesuesit Gilman.

Në vitin 2003, DioGuardi dhe Cloyes ishin ata që prezantuan një rezolutë në Kongres dhe i bën thirrje Qeverisë së ShBA-ve që të njohin pavarësinë e Kosovës, bashkë me përkrahjen e komitetit për Marrëdhënie me jashtë, kryesuesin Henry Hyde dhe anëtarin e lartë Tom Lantos.

Madje, bashkë me Lantos në vitin 2003 udhëhoqën një delegacion për në Malin e Zi ku qëllim ishin të drejtat e Shqiptarëve dhe statusi i tyre në këtë vend.

DioGuardi ka lindur në Bronx të Neë Yorkut në vitin 1958, ndërsa babai i tij emigroi në ShBA në vitin 1929 dhe ishte me etni shqiptare, i lindur në një fshat në Itali.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)