03 Shkurt 2023

Kryeministri Kurti fton Greqinë të njoh pavarësinë e Kosovës

Davos, 24 maj - Në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati një adresim në debatin e Greek House.

Duke folur për marrëdhëniet gjithnjë e më të mira dhe intensifikimin e bashkëpunimit, kryeministri Kurti tha se edhe takimet ndërmjet politikanëve të Greqisë dhe atyre të Kosovës janë shpeshtuar kohën e fundit. Ndërkohë që eksportet e Kosovës për në Greqi janë rritur për 160 për qind.

Afërsia gjeografike me Greqinë, por edhe kostoja e ulët e shpenzimeve krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, e bën Kosovën vend atraktiv për investime të kompanive greke, tha kryeministri Kurti.   

Ai tha se Republika e Kosovës shpreson që Greqia sa më shpejtë t’iu bashkohet 22 shteteve të Bashkimit Evropian që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Po ashtu, shprehu besimin se Greqia mund të bëhet lidere në përshpejtimin e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Teksa dënoi sulmin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse në Ukrainë, kryeministri Kurti foli për reagimin e menjëhershëm të Republikës së Kosovës për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe ofrimin e ndihmës për Ukrainën, duke shprehur gatishmërinë për të pranuar 5000 refugjatë ukrainas dhe duke iu ofruar strehim dhe kushte pune 20 gazetarëve nga Ukraina.​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 shkurt 2023  - Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 9:00)

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite do të jetë falja e tatimit në pronë në vlerën deri 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e kësaj komune, për vitin 2023. (Salla e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ora 10:00)

- Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës mban konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve teknik të Sektorit Privat te Kosovës dhe dialogu me qeverinë dhe institucionet tjera të Kosovës. (Zyrët e Sindikatës, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës Dega në Prizren, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së në Prizren, ora 11:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore, si dhe shqyrton listën e kandidatëve për plotësimin e një pozite për anëtar joekzekuiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 13:30)

- Prezantohet puna e kryer rreth vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara të cilat kanë folur hapur për historitë e tyre të, abuzimeve seksuale, dhunës fizike, dhunës psikike, keqtrajtimeve, ofendimeve dhe diskriminimeve. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:30)

- Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës organizon marsh kundër Asociacionit, dhe në shënim të 53-vjetorit të themelimit të UP-së. (Biblioteka Kombëtare, ora 16:00)