18 Nëntor 2019

Kosova dhe Serbia kërkuan angazhim më të madh të SHBA-së

Washington, 25 tetor - Prishtina dhe Beogradi donin një angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, madje kërkuan që edhe unë të angazhohem për këtë, tha senatori republikan në Uashington, Ron Johnson.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, Johnson tha se i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell, dhe përfaqësuesi special i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin, Matthew Palmer kanë plan të përbashkët për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, fokusi kryesor i të cilit është ekonomia.

Johnson tha se Kosova duhet të formojë qeverinë dhe se nuk dëshiron të japë “afate artificiale”, për kohën kur mund të arrihet marrëveshja.

“Palmer dhe Grenell janë duke bashkëpunuar. Unë kam biseduar me të dy dhe e di se kanë plan, i cili përqendrohet në mundësitë ekonomike. Unë mendoj se ata mund të arrijnë diçka dhe pastaj të përpiqen t’i kthejnë të dyja palët në tryezë që të punojnë së bashku”, tha senatori amerikan, i cili është kryetar i nën-Komitetit për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal.

Johnson theksoi se do të ishte mirë që Kosova të heqë taksën që u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia, ndërsa Beogradit i bëri thirrje që të ndalojë të kërkojë nga vendet e tjera t’i tërheqin njohjet për Kosovën.

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 nëntor 2019

- Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencë për media në të cilën do të prezentojë hulumtimin rreth opinionit të bizneseve për marrëveshjen Kosovë-Serbi. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 9:00)

- Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU! me përkrahjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës përmes Programit Matra organizon tryezë në të cilën do të publikohet raporti me titull Qasja në Drejtësi. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Qendra e Inovacionit të Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizojnë ceremoninë e hapjes së Javës Globale të Ndërmarrësisë 2019 në Kosovë. (Menza "Ramiz Sadiku" në Prishtinë, ora 10:00)

- Grupi Tematik për të Drejtat e Fëmijëve në Shëndetësi në kuadër të Koalicionit te OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve organizon konferencën për media në te cilën do të prezantojë një dokumet me të dhëna dhe rekomandime për mbrojtjen e ambientit në Kosovë. (Qendra e Resurseve për OSHC, Forumi për Iniciativa Qytetare në Lagjen Pejton, ora 10:00) 

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it do të organizojë tryezë me titull “Pandëshkueshmëria e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit organizon prezantimin e studimit per Çështjen e Kompleksit të Trepçës dhe Çështjen e Reparacioneve për Krimet e Luftës të kryera në Kosovë në Kontekstin e ‘Finales së Madhe’ eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me PPSE Swisscontact dhe SHB Sharri përuron shtegun turistik të ri Via Ferrata "Panorama". (Gryka e Lumbardhit, 4.5 km nga qendra e qytetit, ora 11:00 - transporti i organizuar nga Komuna e Prizrenit, nisja nga Shtëpia e Bardhë, ora 10:30)

- Në kuadër të aktivitet kulturor kushtuar "Ditet e Alfabetit", promovohet botimi 'Levizja Protestante te shqiptaret 1818-1908" te autorit prof. dr. David Hosaflook. (Biblioteka Kombetare "Pjeter Bogdani", ora 10:30)

- Muzeu Kombëtar i Kosovës hap ekspozitën “Bienalen e Akuarelit Edicioni i 2-të” e cila sjellë vepra arti të artisëve nga 70 vende të botës me rreth 380 piktura. (Muzeu Kombëtar, ora 19:00)