08 Shkurt 2023

Kina vazhdon manovrat në Tajvan

Pekin, 8 gusht - Kina po vazhdon demonstrimin e fuqisë ushtarake kundër Tajvanit dhe mbi të gjitha kundër SHBA-së. Për momentin nuk shihet fundi i kësaj matjeje të muskujve.

Sipas burimeve kineze, ajo ka kryer manovra të reja ushtarake pranë Tajvanit. Ushtria kineze ka “vazhduar stërvitjet praktike në det dhe hapësirën ajrore rreth ishullit të Tajvanit”, me fokus në “organizimin e operacioneve të përbashkëta kundër nëndetëseve dhe sulmeve detare”, kumtoi Komanda Lindore e Ushtrisë Çlirimtare Popullore.

Pekini planifikon që gjatë manovrave këtë të hënë të ushtrojë me të shtëna edhe në Detin e Kinës Jugore dhe në Detin e Verdhë midis Kinës dhe gadishullit Korean. Ndërsa Tajvani ka njoftuar se do të ketë manovra me të shtëna nga forcat e tij të armatosura edhe të martën.
 
Të dielën, Ministria e Transportit në Taipei njoftoi se shtatë “zonat e përkohshme të rrezikut” që Kina u kishte kërkuar linjave ajrore të shmangnin, u hoqën në orën 12:00 (sipas kohës lokale atje). Kjo u mor si shenjë se disa nga manovrat kanë marrë fund.

Kur u njoftuan manovrat, Kina fillimisht kishte premtuar se ato do të përfundojnë ditën e dielë. Por deri tani, nuk është shpallur përfundimi zyrtar i manovrave. Përkundrazi, disa komentues kinezë kanë sugjeruar se stërvitjet ushtarake do të zhvillohen rregullisht edhe në të ardhmen dhe se mund të jetë një normalitet i ri.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Wu Qian, i përshkroi manovrat si një “paralajmërim të domosdoshëm” për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Tajvanin. Ishte një reagim “i duhur” ndaj “provokimeve” të tyre. Tensionet u krijuan “qëllimisht” nga SHBA, me ardhjen e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi në Taipei, pavarësisht kundërshtimeve të Pekinit.
 
Stërvitjet rreth Tajvanit, të cilat filluan të enjten pas largimit të Pelosit nga Tajvani, ishin stërvitjet më të mëdha në historinë e kësaj zone. Pekini përdori avionë luftarakë, anije luftarake dhe raketa balistike. Tajvani akuzoi Kinën për simulimin e një sulmi të mundshëm kundër Tajvanit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 shkurt 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, shqyrton Projektligjin për Sigurinë e përgjithshme të produkteve. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)
    
- Përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raportojnë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me Raportin e Auditimit për të “Hyrat nga Qiraja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 10:00)
    
- Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë mban tryezë diskutimi me temën: “Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës – progresi në zbatimin e tij”. (Hotel Sirius, ora 10:00)    

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare me pikat e pa përfunduar. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-së, ora 13:30)
    
- Organizata paditëse GLPS dhe një qytetare e Republikës së Kosovës do të paraqesin Padi për konflikt administrativ për refuzimin e kompensimit për personin paraplegjik dhe tetraplegjik. (Pallati i Drejtësisë, Ndërtesa A, ora 14:00)

- Federata e Futbollit e Kosovës mbledh të gjitha klubet e Superligës së Kosovës në një ngjarje të veçantë, ku fituesit e fushatës së nisur javë më parë në rrjetet sociale do të shpërblehen me fanella të nënshkruara nga vet lojtarët e ekipeve të ndryshme. (Kati i parë në Albi Mall, ora 18:00)

- Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) organizon hapjen e ekspozitës së përkohshme të veprës “Albumi familjar – Mes kujtimit dhe realitetit” (Family Album – Between Recollection and Reality) nga Alban Muja, e cila do të pasohet me një bisedë me artistin. (Vendi: Qendra e Dokumentimit, Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, Dardani, ora 19:00)