28 Mars 2024

Ivanoviq: Modeli i Qipros për Kosovën

Beograd, 25 qershor - Përfaqësues të institucioneve të Serbisë kanë përsëritur qëndrimin e tyre për një zgjidhje kompromisi për statusin e Kosovës, i cili sipas autoriteteve në Prishtinë nuk mund të diskutohet më.

Sekretari i shtetit në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, ka deklaruar se një prej zgjidhjeve do të mund të ishte 'modeli i Qipros', një shteti të ndarë, që është pranuar në BE.

Ideja për një Kosovë të ndarë, është hedhur në prag të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që do të mund të hapte rrugën për bisedime të reja mes Prishtinës e Beogradit.

"Zgjidhja duhet të jetë e tillë që do të jetë e kënaqshme për të dyja palët ose të jetë njëlloj e pakënaqshme për të dyja palët, ndërkohë që ne sot nuk e kemi një zgjidhje të tillë," tha zoti Ivanoviq lidhur me vendimin e GjND-së.

"Insistoj që modeli i Qipros është modeli më i mirë për ne, megjithëse kam hasur në qëndrime shumë negative ndaj kësaj ideje," tha sekretari serb për Kosovën.

"Nëse nuk mund të merremi vesh atëherë më mirë të mos e zgjidhim problemin dhe të presim një kohë më të mirë për zgjidhje,” tha zoti Ivanoviq.

Sipas tij të dyja palët duhet të tregojnë pjekuri politike dhe të jenë të hapura për zgjidhje sepse ato, tha Ivanoviq, "janë në interes të rajonit".

Por, autoritetet në Kosovë dhe mekanizmat ndërkombëtarë kanë përsëritur qëndrimin për mosndryshim të kufijve, meqë kjo do të krijonte probleme të reja në rajonin e Ballkanit.

Prishtina zyrtare ka deklaruar se është e hapur për dialog me Beogradin zyrtar për çështjet e interesit të përbashkët, duke përjashtuar mundësinë e rihapjes së çështjes së statusit, që sipas saj është përmbyllur me pavarësimin e vendit në shkurt të vitit 2008 dhe me njohjen e saj nga 69 vende të botës.

Bisedimet mes Prishtinës e Beogradit, për çështjet e interesit të përbashkët, janë paralajmëruar të zhvillohen nga vjeshta e këtij viti, pasi të jetë dhënë mendimi i Gjykatës së Drejtësisë, që megjithatë thuhet se nuk është detyrues për asnjërën palë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)