28 Mars 2024

Investimet milionëshe të elitës kazake në vila

Pragë, 26 dhjetor - Një hulumtim i Radios Evropa e Lirë tregon se familjarët e ish-presidentit të Kazakistanit, Nursultan Nazarbaev, kanë investuar gati 785 milionë dollarë në prona luksoze, në së paku gjashtë vende, për një periudhë kohore 20-vjeçare.

Hulumtimi, i publikuar më 22 dhjetor, nuk është përmbledhje gjithëpërfshirëse e të gjitha investimeve në pasuri të patundshme, që kanë bërë fëmijët e Nazarbaevit, nipërit e mbesat, vjehrrit, ose elita tjetër - e lidhur politikisht - e Kazakistanit.

Por, këto janë përpjekjet e para për t’i dokumentuar dhe vlerësuar ato investime, disa prej të cilave kanë tërhequr vëmendje mediatike dhe kontrollim ligjor gjatë viteve, ose kanë qenë burim i polemikave.

Jeta e të pasurve të Kazakistanit

Hulumtimi i Radios Evropa e Lirë po ashtu hedh dritë të re mbi marrëveshjet biznesore të politikanit kosovar, Behgjet Pacolli, dhe lidhjet e tij me Nazarbaevin.

Një vilë luksoze buzë një kodre në Kanë të Francës është shndërruar në një proces të gjatë dhe të hidhur gjyqësor midis vëllait të Nazarbaevit, Bolat, dhe ish-gruas së tij, Maira Kurmangalieva. Ngjashëm edhe disa apartamente luksoze në Wall Street të Nju Jorkut, me pamje nga Parku Qendror.

Një pallat, në anën e oqeanit, në Kosta Brava të Spanjës, në pronësi të Timur Kulibaevit, burrit të vajzës së dytë të Nazarbaevit, Dinara, ka qenë burim i rregullt i polemikave, pasi ambientalistët lokalë i kanë luftuar përpjekjet për të mbyllur një rrugë hyrëse. Nazarbaev thuhet se ka vizituar pronën, e njohur si Can Juncadella.

Disa prona në Mbretërinë e Bashkuar, të lidhura me vajzën e madhe të Nazarbaevit, Darigha, dhe djalin e saj, Nurali, kanë qenë shënjestër e Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani, e cila ka akuzuar se fondet e përdorura për blerjen e tyre, mund të kenë ardhur nga burime të paligjshme. Megjithatë, një gjykatë i ka hedhur poshtë këto akuza në muajin prill.

Darigha po ashtu zotëron një pjesë të një blloku shtëpish në rrugën e famshme të Londrës Baker, blerja e të cilave është bërë duke përdorur kompani anonime joaktive.

Vjehrri i djalit tjetër të Darighas, Aisultan, zotëron një pronë luksoze në jugperëndim të Londrës, pranë një fushe të famshme golfi, dhe hotele në Republikën Çeke.

Vëmendjen e mediave britanike e ka pasur edhe Kulibaev kur ka blerë dhe rinovuar një rezidencë në Mbretëri të Bashkuar, dikur në pronësi të princit Andrew.

Në Zvicër, vajza e dytë e Nazarbaevit, Dinara, zotëron dy pallate të tipit vilë në brigjet e Liqenit të Gjenevës.

Kulibaev gjithashtu ka qenë i lidhur me një pronë historike në Lugano, në jug të Zvicrës, dhe me një banjë gjysmë të rrënuar në majë të një kodre, me pamje nga qyteti historik çek, Karllovi Vari.
Marrëveshjet e biznesit me Pacollin

Vila Galli, Via Cantonale 3, Melide (a.k.a. “La Romantica”)

Çmimi i blerjes: I panjohur

Pronarë të pretenduar: Behgjet Pacolli, Timur Kulibaev

Deri në vitin 2013, në pronën në Liqenin e Luganos ndodhej një ndërtesë e famshme e shekullit 19, e njohur si Vila Galli, ose, më me dashamirësi, si La Romantica. Ka qenë e popullarizuar te gjeneratat e banorëve të Luganos për restorantin luksoz, dhomën e çajit, klubin e natës, sallën e vallëzimit dhe shëtitoret e saj në bregdet.

Shtatë vjet më parë, prona është marrë në heshtje nga një kompani e quajtur Stott Limited, e inkorporuar në Ishujt e Virgjër Britanikë - një juridiksion i famshëm për firmat me pronësi të paqartë. Kompania ka qenë e lidhur ngushtë me Behgjet Pacollin, biznesmen kosovar, i cili, gjatë dy dekadave, ka ndërtuar një mori ndërtesash masive në Kazakistan, përfshirë pallate qeveritare, salla koncertesh dhe terminalin e aeroportit në kryeqytetin Nur-Sultan, ku ai është gjithashtu qytetar nderi.

Kompania e ndërtimit e Pacollit, Mabatex, e ka selinë në Lugano.

Në vitin 2008, Pacolli ka zbuluar publikisht pronësinë e pronës ku ishte vendosur La Romantica, duke thënë se ai zotëronte tri ndërtesa pranë, ndërsa Stott Limited, për të cilin ka thënë se ishte përfaqësuesi zyrtar, zotëronte vetë ndërtesën La Romantica.

Në vitin 2010, Pacolli ka mohuar se ka blerë La Romantica-n “në emër të palëve të treta” dhe i ka kërcënuar me masa ligjore ata që kanë sugjeruar kështu.

Ai po ashtu ka thënë se për aq sa di, “asnjë anëtar i familjes së presidentit Nazarbaev është ose ka qenë ndonjëherë pronar” i La Romantica-s ose Stott Limited, kanë raportuar mediat lokale.

Pavarësisht zemërimit publik të mbrojtësve të historisë, Pacolli e ka rrënuar La Romantica-n në vitin 2013. Megjithatë, që nga ajo kohë, sipërmarrësi është duke luftuar me autoritetet lokale për lejet e zonimit. Në këtë tokë tani ndodhet një klub tenisi dhe tri ndërtesa zyrash pa përshkrim.

Një hulumtim nga gazetarët zviceranë, i publikuar në vitin 2010, ka zbuluar se Stott Limited ishte 50 për qind në pronësi të një kompanie tjetër, Transasian Oil, e udhëhequr nga një biznesmen indian dhe partner i Timur Kulibaevit - emri i të cilit shfaqet në disa kompani në pronësi të Kulibaevit.

Sipas hulumtimit të transmetuesit publik zviceran RTS, Transasian Oil i ka huazuar Stott-it më shumë se 10 milionë franga zvicerane (12.4 milionë dollarë) dhe ka marrë pronën e Vila Galli-t si kolateral. Borxhi për pronën ka arritur në 8.5 milionë franga zvicerane (10.5 milionë dollarë), duke e bërë Transasian Oil pronar të fundit të Vila Galli-t, është thënë në hulumtimin e RTS-së.

Në një raport të vitit 2015, për kërcënimet me të cilat përballet Zvicra nga pastrimi i parave dhe terrorizmi, Policia Federale e Zvicrës ka detajuar një shembull të një skeme, në të cilën një pronë e paemëruar zvicerane blihet në rrethana që ngrenë dyshime.

Ndërsa skema nuk i emëron njerëzit ose kompanitë e përfshira, ajo pasqyron detaje nga hetimi i RTS-së dhe informacionin e njohur publikisht në lidhje me pronën e Vila Galli-t dhe individët me të cilët ka qenë e lidhur.

Ashtu si Kulibaev, personi i identifikuar si “i dyshuari A” në skemën e Policisë Federale Zvicerane, përshkruhet si dikush që “akuzohet se ka përfituar nga pozicioni i tij si menaxher në kompaninë kombëtare të naftës të një vendi prodhues të naftës, për t'u pasuruar në mënyrë të paligjshme”.

Paratë e këtij personi, në këtë skemë, “kanë kaluar nëpër kompani të ndryshme, për t'u përdorur në fund nga një njeri përfaqësues, për të siguruar pronë në Zvicër”, thuhet në dokument.

Sipas skemës, kompania e ngjashme me Stott fiton pronësinë e pronës, duke përdorur një hua prej 8.55 milionë frangash zvicerane nga një kompani që i ngjan Transasian Oil, që kontrollohet nga dikush që ka qenë “një person i besuar dhe përfaqësues” i “të dyshuarit A” për “shume vite”.

Shënimi i hipotekës për ndërtesën historike mbahet pastaj nga kompania që i ngjan Transasian Oil si kolateral për huanë që firma e ngjashme me Stott përdor për të blerë pronën, tregon skema.

E pyetur nëse prona e cituar në skemë, në raportin e vitit 2015, ishte ndërtesa e La Romantica-s, zëdhënësja e Policisë Federale Zvicerane, Katrin Schmitter, ka thënë:

“Ne jemi subjekt i sekretit zyrtar dhe nuk mund të komentojmë për raste specifike”.

Megjithatë, Schmitter ka thënë për Radion Evropa e Lirë se shembujt “e përshkruar në raportet tona, zakonisht bazohen në raste të jetës reale”.

Raporti i policisë federale gjithashtu i bën jehonë rastit të Kulibaevit, i cili është hetuar nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës për pastrim të mundshëm parash, ryshfet dhe vjedhje të pasurisë së shtetit. Hetimi është mbyllur në vitin 2013, pasi autoritetet kanë thënë se nuk kanë gjetur prova të keqbërjes.

Raporti thekson se pretendimet kundër “të dyshuarit A” përcaktohen si “të pabazuara” dhe procedurat kanë pushuar për shkak të “mungesës së provave për origjinën kriminale të pasurive”.

Ashtu si në rastin e La Romantica-s, prona e përmendur në skemë “është rrënuar” dhe mediat kanë raportuar se “i dyshuari A” dhe “një i njohur dhe bashkëpunëtor i supozuar” synojnë “ta zëvendësojnë atë me një hotel luksoz”.

Firma ligjore e Londrës që ka përfaqësuar Kulibaevin për shumë vite, Farrer & Co., nuk u është përgjigjur e-maileve për komente. Radio Evropa e Lirë gjithashtu ka lënë një mesazh me zë tek avokati i Kulibaevit.

Në dy e-maile të ndara dërguar Radios Evropa e Lirë, përfaqësuesja e Pacollit në Lugano ka thënë se Stott Ltd. ka qenë, në fakt, “100 për qind kompani e zotit Behgjet Pacolli” dhe se “Stott është pronar 100 për qind” i pronës La Romantica.

Përfaqësuesja ka thënë se blerja e pronave më shumë se një dekadë më parë dhe ndërtimi i një hoteli luksoz, të planifikuar tani për ish-vendndodhjen e La Romantica-s, “janë financuar 100 për qind nga zoti B. Pacolli”.

“Nuk ka pasur fare marrëdhënie pune me zotin Kulibaev”, ka thënë ajo përmes e-mailit.

Ajo nuk i është përgjigjur e-mailit pasues që kërkonte detaje të mëtejshme për atë se kur e ka fituar Pacolli kontrollin e Stott dhe për mospërputhjen me deklaratat e mëparshme publike të Pacollit, në lidhje me pronësinë e pronave të Vila Galli-t.

Gazetarët zviceranë gjithashtu kanë raportuar se Dinara Kulibaeva ka jetuar në një vilë aty afër midis janarit 2007 dhe dhjetorit 2009, të cilën, sipas tyre, ajo e ka marrë me qira nga Pacolli, për një shumë të raportuar prej 50,000 frangash zvicerane (57,000 dollarë) në vit.

Përfaqësuesja e Pacollit ka konfirmuar se vila e tij në Lugano është dhënë me qira në një kohë, për një periudhë të paspecifikuar 12-mujore, te familja Kulibaev, “derisa djali dhe nipi i saj ndiqnin shkollën amerikane në Lugano dhe për atë periudhë kohore të dy studentët jetonin në vilë”.

“Pas përfundimit të semestrave, qiramarrja ka përfunduar”, ka thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Në periudhën 1991-2019, Nazarbaevi ka qenë udhëheqësi i vetëm politik i Kazakistanit, duke mbajtur kontroll të hekurt mbi jetën politike të vendit dhe duke shtypur çdo përpjekje rivale për ta sfiduar atë.

Prosperiteti i vendit është rritur ndjeshëm gjatë asaj periudhe, duke u ushqyer me rezervat e mëdha të naftës dhe gazit, porse korrupsioni dhe nepotizmi në vend kanë lëshuar rrënjë.

Aktivistët kundër korrupsionit dhe studiuesit e Azisë Qendrore kanë thënë se një sistem i tipit klanor, që përfiton nga një grup i ngushtë elitash, paraqet rrezik afatgjatë.

Në vitin 2019, Indeksi i Korrupsionit i Organizatës Transparency International e ka renditur Kazakistanin në vend të 113-të, në mesin e 198 vendeve.

Kazakistani është renditur i 157-ti në Indeksin e Lirisë së Shprehjes të Reporterëve pa Kufij, më 2020.

/Radio Evropa e Lirë/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)