05 Dhjetor 2022

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë fillon seancën dëgjimore për Ukrainën

Hagë, 7 mars - Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka filluar seancën dëgjimore ku Ukraina paraqet argumentat e saj verbale kundër Rusisë.

Ukraina i ka kërkuar gjykatës të marrë masa paraprake duke e urdhëruar Rusinë të ndalë të gjitha operacionet ushtarake në këtë vend. Rusia ka vendosur të mos përfaqësohet me juristët e saj në këtë seancë të gjykatës më të lartë të Kombeve të Bashkuara.

Me mospjesëmarrjen e saj, Rusia kritikoi kështu zhvillimin e një seance dëgjimore në gjykatën më të lartë të OKB-së për të shqyrtuar kërkesën e Kievit për të ndalur sulmin shkatërrimtar të Moskës ndaj Ukrainës.

“Gjykata mblidhet sot për të dëgjuar argumentat verbale të Ukrainës mbi kërkesën e saj për vendosje të masave paraprake në çështjen për akuzat e gjenocidit, sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimeve të Gjenocidit. Ukraina kundër Federatës Ruse”, tha presidentja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, gjykatësja amerikane Joan E. Donoghue.

Megjithatë, një radhë karrigesh të rezervuara për juristët rusë qëndronin bosh. Gjykata shprehu keqardhjen për mosparaqitjen e Federatës Ruse gjatë këtyre punimeve.

Seanca dëgjimore vazhdoi sidoqoftë pa pjesëmarrjen e delegacionit rus. Procesi në Pallatin e Paqes të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të zgjasë dy ditë, gjatë të cilave Ukraina paraqet argumentat e saj verbale të hënën dhe Rusia ka mundësinë të përgjigjet të martën.

“Ukraina i kërkon gjykatës vendosjen e masës paraprake: Federata Ruse të ndalë menjëherë operacionet ushtarake të filluara më 24 shkurt 2022... Federata Ruse duhet të shmangë çdo veprim dhe të ofrojë të gjitha garancitë se nuk do të ndërmerren veprime që mund të rëndojnë apo zgjasin mosmarrëveshjen në thelb të kësaj çështjeje, ose që mund ta bëjnë mosmarrëveshjen më të vështirë për t’u zgjidhur”¸ lexoi sekretari i gjykatës pasazhe nga kërkesa e paraqitur nga Ukraina.

Një vendim pritet të merret brenda disa ditësh, megjithëse do të mbetet për t’u parë nëse Rusia do të zbatonte urdhrin që mund të japë gjykata. Vendimet e gjykatës janë të detyrueshme dhe përgjithësisht vendet i zbatojnë ato.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është gjykata më e lartë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes shteteve. Megjithëse një çështje mund të vazhdojë me vite, gjykata ka procedura të përshpejtuara për zbatimin e masave paraprake për të parandaluar një përkeqësim të situatës.. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2022 - Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të nënshkruajë marrëveshjen me partneritet publiko privat për ndërtimin e tri shkollave të reja dhe ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe operimit në Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Vjetër e Komunës së Prishtinës, ora 9:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus organizojnë tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohet lidhur me “Reforma në Drejtësi”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 interviston Njazi Thaçin, Luigj Imerin, Perparim Kabashin, Nagip Krasniqin, Faruk Hajrizin, Rrezarta Pllanën, Hysen Fazliun, Musa Misinin, Skender Hazirin, Ali Hamitin, Izet Rushitin dhe Krenar Bujupin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Kabineti i Presidentes,ora 12:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-it dhe UN Volunteers shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. (Kino Armata, sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantohet raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Këshilli Rinor Kosovar në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjëve të Ferizajt dhe Komunën e Ferizajt do të mbajë panelin e diskutimit dhe aktivitetin ‘Dita e Vullnetarizmit’ me qëllim të promovimit dhe diskutimit rreth punës vullnetare, nevojave të vullnetarëve dhe aktiviteti i tyre në këtë komunë. (Salla e Kuvendit Komunal në Ferizaj, ora 14:00)

- Lëvizja FOL në kuadër të  “Javës Kundër Korrupsion 2022” mban konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e raportit "Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike". (Hotel Sirius, ora 15:15)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ora 15:45)