29 Mars 2024

Dyfishohet numri i emigrantëve që kalojnë Detin Mesdhe

Gjenevë, 20 dhjetor - Në kërkim të një jete më të mirë, shumë emigrantë kalojnë nga Afrika në Evropë përmes të ashtuquajturit “kufiri më vdekjeprurës në botë”: Deti Mesdhe.

Por pavarësisht rreziqeve, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin thotë se numri i emigrantëve gjatë gjysmës së parë të 2021 arriti në rreth 77 mijë

Një hap i vogël për një emigrant, por një hap i madh drejt një jete më të mirë mes një udhëtimi të rrezikshëm në Detin Mesdhe.

Emigrantët kalojnë natën nga një varkë tek një anije shpëtimi evropiane, e dërguar nga organizata “SOS Mediterranee”. Ata kanë rrezikuar jetën pikërisht për këtë moment, thotë zoti Tanguy nga ekipi shpëtues.

“Disa herë gjejmë njerëz të plagosur nga plumbat. Ndonjëherë gjejmë njerëz që kanë vdekur nga asfiksia, ose arsye të tjera. Pra ka rrethana të ndryshme”, thotë ai.

Në bordin e “Ocean Viking”, të përdorur nga SOS Mediterranee, të mbijetuarve u ofrojnë rroba dhe hapësirë për të fjetur.

Një prej tyre është 40 vjeçari Salim nga Siria, që iku me djalin për ta shpëtuar atë nga shërbimi ushtarak.

“Kam ardhur me babain sepse kur të bëhem 18 vjeç mund të më çojnë në luftë. Nga Libisa po shkojmë drejt Italisë përmes detit”, thotë emigranti Mahmud Salim.

Babai me të birin dhe më shumë se 300 emigrantë tjerë të shpëtuar kalojnë kohën gjatë misionit të shpëtimit, ndërsa përballen herë pas here me rojet bregdetare libiane, që shpesh kthejnë mbrapsht imigrantët.

“Ata vijnë dhe përpiqen të na frikësojnë, që të mos shkojmë tdrejt ujërave libiane, gjë që nuk do ta bënim gjithsesi”, thotë koordinatorja e shpëtimit, Anita.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin thotë se përkeqësimi i respektimit të të drejtave të njeriut në Libi, çoi në rritjen e numrit të emigrantëve të rinj. Ata kërkojnë siguri në Evropë, si për shembull 32 vjeçarja Annabelle Philips.

“Në Nigeri nuk kisha siguri për veten dhe fëmijën tim”, thotë emigrantja Annabelle Philips.

Anija “Ocean Viking” operon në një hapësirë të vogël, gjë që minimizon shanset për të hasur një anije emigrantësh.

Kritikët thonë se operacionet e shpëtimit nxisin emigrantët të ndërmarrin rrugëtime vdekjeprurëse.


“Ne kemi parë që edhe gjatë shpërthimit të COVID-19 në prill 2020, kur pandemia paralizoi botën, njerëzit vazhdonin të iknin. Por pamë se u shtuan njoftimet për mbytje anijesh”, thotë Clair Juchat nga SOS Mediterranee.

Pas shpëtimit të migrantëve, duhet pritur që Italia të caktojë një port zbarkimi.

Pas katër ditësh vjen momenti i evakuimit të një personi të sëmurë rëndë në portin Lampedusa.

Me caktimin e një porti sigurie vjen fundi i udhëtimit që për disa të mbijetuar ka zgjatur disa vjet. Hapi tjetër është testimi për COVID-19. Më pas ata transferohen në tokë, në qendra ku do të përcaktohet nëse ata mund të marrin statusin e azilkërkuesit ose refugjatit.

Zbarkimi i pjesës tjetër të emigrantëve lejohet në Augusta të Siçilisë.

Me zbarkimin në tokë, nis një tjetër udhëtim. Për marrjen e azilit mund të duhen vite. Ata që nuk kanë fat mund të kthehen mbrapsht ose të bëhen pjesë e ekonomisë së ashpër joformale të Italisë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)